E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË KONFERENCËN “MARRËDHËNIET SHQIPTARO-AMERIKANE: NDËRTIMI I SË ARDHMES”

6 tetor 2011

I nderuar Shkëlqesia Juaj, Ambasador Arvizu,
I nderuar zoti Rakipi,
Të nderuar zonja e zotërinj!

Falenderoj Institutin Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare për ftesën dhe rastin për të kujtuar së bashku 20-vjetorin e rihapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë! Për Shqipërinë e shqiptarët kjo ngjarje ka domethënie të veçantë. Pas dekadash ndërprerjeje të njëanshme të marrëdhënieve për shkak të politikës izoluese të regjimit të kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rikthyen në Shqipëri duke gjetur një popull me kujtesë historike dhe ndjenja të larta mirënjohje për shtetin e madh mik, i cili në fillimet e shekullit XX përcaktoi ekzistencën e shtetit shqiptar.

Si President i Shqipërisë ndiej krenari të theksoj ndjenjat e larta të simpatisë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë në shoqërinë shqiptare, duke qenë një vend gati unikal ku çdo forcë politike dhe aktor publik ka unison të plotë në qëndrimet e respektit të thellë ndaj tyre. Ambasadori Hill, Ambasadori Rajerson 20 vjet më parë dhe ju, Ambasadori Arvizu, sot, stafet e tyre diplomatike dhe çdo ambasador e diplomat amerikan që ka shërbyer në Tiranë, ka pasur rastin të shohë e ndiejë kudo klimën miqësore dhe vlerësimin e lartë qytetar për shtetin dhe popullin amerikan. Me të drejtë qytetarët i identifikojnë Shtetet e Bashkuara me vendin simbol të lirisë dhe demokracisë, vendin që u ndodh pranë kombit shqiptar në momentet e tij më të vështira, vendin që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për njohjen e shtetit shqiptar dhe çlirimin e Kosovës.

Natyrisht që janë të paharruara ato vite ku në Shqipëri u rikthye shpresa. Pranë meje kam një zë, i cili është memorizuar në mendjet e shqiptarëve si një zë i patjetërsueshëm, pikërisht zotin Biberaj, i cili nëpërmjet valëve të “Zërit të Amerikës” zgjonte tek shqiptarët atë ndjenjë shprese që e kishin pritur për gati pesëdhjetë vjet me radhë. Unë kam qenë i vogël, kur shikoja tim atë në një mjedis shumë konfidencial, në shtëpi të afronte veshin tek radioja për të dëgjuar lajmet reale që përcilleshin nga “Zëri i Amerikës”. Kemi marrë informacinet reale se ç’po ndodhte në botë, kemi përcjellë ngjarjet më të rëndësishme që shoqëronin politikën botërore. Mbaj mend shumë mirë kur kemi përcjellë me një emocion të veçantë zbritjen e njeriut të parë në Hënë nëpërmjet valëve të “Zërit të Amerikës” dhe ngjarje pas ngjarjesh. Por besoj ngjarjet që shoqëronin lindjen e demokracisë në vendet ish-komuniste ishin ato që na bënim të fluturonim pikërisht në atë hapësirë që ka qenë e izoluar për shqiptarët: në hapësirën e lirisë. Kjo është arsyeja që ne u jemi shumë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Padiskutim të gjithëve me radhë, të gjitha personaliteteve dhe mbarë popullit amerikan. Kam sot krenarinë që ta ri-evidentoj këtë moment, i bindur që nuk është një ndjesi e thjeshtë personale, por është një ndjesi kolektive. Ju vetë kemi pasur rast ta ndieni, ta shikoni, ta përjetoni dhe nuk është asgjë joreale. Është diçka që ju e prekni tek njerëzit që merren me poltikë, por edhe tek njeriu më i thjeshtë, tek ai që ndoshta nuk ka lidhje me politikën, por që në një mënyrë shumë intuitive ndien që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë, mbeten dhe do të jenë aleati ynë më i madh. Aleati strategjik, që na u gjend në ditë shumë të vështira, atëhere kur diskutohej pikërisht ekzistenca e shtetit shqiptar dhe brenda një harku kohor, do të thoja relativisht, sepse gjithçka në këtë botë mbetet realtive: brenda një harku kohor relativisht të shkurtër është e paimagjinueshme që nga një shtet në krizën e mbijetesës dhe ekzistencës, sot Shqipëria të jetë aleat shumë luajal krahas Shteteve të Bashkuara në aleancën më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë. Ne u jemi mirënjohës të gjitha vendeve aleate në NATO, por në mënyrë të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë e kam ndierë si politikan, e kam ndierë si qytetar, e kam ndierë në çdo moment. Kujdesi i jashtëzakonshëm për ta kuruar këtë miqësi. Kujdesi i jashtëzakonshëm për ta rritur këtë demokraci që sot e shijojmë së bashku.

Shqipëria e konsideron SHBA-në një mik të madh dhe një partner strategjik për interesat e saj kombëtare. Falë ndihmës shumëvjeçare të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera partnere Shqipëria është sot anëtare e NATO-s. Gjatë dy dekadave të fundit, Shtetet e Bashkuara mbeten për ne avokati kryesor në rrugën e konsolidimit të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe integrimit euro-atlantik. Ne u jemi mirënjohës pakufi për mbështetjen e dhënë nga qeveritë dhe populli amerikan, duke qenë të vetëdijshëm se, pa këtë ndihmë, Shqipëria nuk do të kishte arritur përparimin e deritanishëm. Shqipëria vlerëson se prania aktive amerikane në Shqipëri mbetet me rëndësi të veçantë për konsolidimin e demokracisë, dhe në një kontekst më të gjerë, prania aktive amerikane në rajonin tonë, mbetet një gur themeli për demokracinë dhe stabilitetin.

Në aspektin dypalësh, marrëdhëniet midis vendeve tona janë forcuar dhe zgjeruar në të gjitha fushat. Programet e zhvillimit dhe të demokracisë, ato për gjyqësorin dhe drejtësinë, për transparencën publike dhe median, për demokratizimin e jetës politike dhe shoqërinë civile, – janë vetëm disa nga treguesit e partneritetit aktiv dhe pranisë së suksesshme amerikane në Shqipëri. Pikëpamjet dhe asistenca amerikane në mbështetje të forcimit të institucioneve kushtetuese në Shqipëri, rritjes së pavarësisë dhe integritetit profesional të tyre kanë qenë e mbeten shumë të rëndësishme për jetësimin e parimit kushtetues të ndarjes e balancës së pushteteve, dhe kështu, për forcimin e demokracisë funksionale në vendin tonë. Vitet e fundit gjithnjë e më shumë kompani amerikane janë të pranishme në Shqipëri dhe modele të investimeve si ato të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit apo kompanive të njohura në infrastrukturë dhe rrjetet e sigurisë, janë optimiste për mundësi dhe hapësira të reja edhe në bashkëpunimin ekonomik.

Midis dy vendeve tona ekziston edhe një lidhje e qëndrueshme dhe partneriteti aktiv në kuadër të sigurisë dhe angazhimeve ndërkombëtare. Në përputhje me kapacitetet e saj modeste, Shqipëria ka qenë që në fillim pjesë e koalicionit kundër terrorizmit ndërkombëtar. Forcat tona ushtarake kanë qenë, janë dhe do të jenë edhe më tej pjesë e misioneve paqëruajtëse në kuadër të koalicionit, në kuadër të NATO-s dhe të çdo nisme tjetër me pjesëmarrje të të dyja vendeve.

I nderuari Ambasador Arvizu,
Të nderuar pjesëmarrës,

Sot ne kujtojmë ditën kur midis nesh u hap një derë miqësore, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikërisht kjo qendër, kjo Seli, e cila nuk është thjesht fizikisht, por jep një impakt të jashtëzakonshëm shpirtëror për shqiptarët. Të gjithë ndajmë vlerësim të lartë e jemi krenar për këtë, por mendoj se respekti për SHBA-në duhet treguar edhe në respektin për vlerat dhe parimet që e bëjnë këtë vend një vend lider të demokracisë. Politikanët tanë shfaqen në publik idhtarë të vlerave perëndimore; në praktikë disa prej veprimeve dhe vendimeve të tyre nuk gjejnë përputhje me këto standarde demokracie. Sjellja e dyzuar, – me distancë të madhe midis të folurës dhe praktikës, – duhej të ishte tipar i kapërcyer tashmë i tranzicionit. Shpeshherë dëgjojmë të thuhet se qytetarët janë disa hapa përpara politikës për nga vizioni i tyre për vendin dhe sakrificat që ata bëjnë për të rifituar kohën e humbur. Unë besoj se ky vëzhgim është i drejtë. Ne kemi një popullsi të re në moshë, plot energji dhe me etje të madhe për ndryshim. Ata meritojnë të dëgjohen, të respektohet vullneti i tyre i lirë dhe që produktet politike t’u zgjerojmë, e jo t’u kufizojnë liritë dhe hapësirat e tyre për të ardhmen.

Sot, Shqipëria në NATO dhe aspiruese për në Bashkimin Evropian meriton të ketë një sjellje të re politike, një mënyrë të re mendimi dhe veprimi. Gjej rastin të apeloj sot të gjithë aktorët politikë në vend, ata që janë mandatuar ose kanë zgjedhur të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, që në sjelljen e tyre politike dhe institucionale të dëshmojnë kurajo e përgjegjësi për të vendosur axhendën qytetare mbi çdo axhendë politike të ditës, dhe kështu, për të jetësuar në praktikë vlerat dhe parimet e demokracisë tek të cilat besojmë. Duke vepruar kështu politika vihet në funksion të qytetarëve dhe u shërben siç duhet interesave të vendit duke dëshmuar njëherësh respekt thelbësor për partneritetin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhënë Shqipërisë gjatë këtyre dy dekadave.

Së fundi, me këtë rast më lejoni edhe njëherë që në emër të shtetit shqiptar të falenderoj Shtetet e Bashkuara, Presidentin Obama dhe të gjithë Presidentët amerikanë për gjithçka kanë bërë për Shqipërinë e shqiptarët dhe të garantoj se përherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të gjejë në Shqipëri një vend dhe një popull mik, mirënjohës dhe aleat në sfidat e përbashkëta!

Suksese punimeve të konferencës!

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›