Kryeministri Berisha: 125 vjet më parë, në Korçë u ndez për të mos u shuar kurrë, drita e dijes në çdo mendje e çdo cep të kombit
"Sot, ne, që 20 vite më parë renditeshim në 3-4 vendet e fundit në botë, kemi lënë prapa në disa ndër treguesit më themelorë kombe më të zhvilluara të Bashkimit Europian."
Në kuadër të vizitës në qytetin e Korçës, ku po merr pjesë në ceremonitë festive që po zhvillohen me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit, Kryeministri Berisha ndoqi koncertin festiv, të organizuar në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. Në përshëndetjen drejtuar pjesëmarrësve, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur zonja dhe zotërinj mësuese dhe mësues të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë,
Zotërinj ministra,
Zotërinj deputetë,
I dashur zoti zëvendëskryeministër i Maqedonisë Musa Xhaferri,
Të dashur nxënës dhe nxënëse,
Për mua është një privilegj i madh dhe nder i veçantë të përulem me nderimin më të madh para jush, mësuesve dhe mësueseve të Korçës dhe mbarë Shqipërisë, t’ju garantoj se si ish-nxënës, që kam adhuruar pafundësisht mësuesit e mi, si pedagog, që kam admiruar shumë studentët e mi, si prind, që kam ndier shumë afër dhe kam pasur respektin më të madh për mësuesit e fëmijëve të mi dhe tani për mësuesit dhe mësueset e nipërve dhe mbesave të mia dhe të të gjithë shqiptarëve. Mbetem gjithnjë i detyruar ndaj jush, me mirënjohje të pakufishme ndaj veprës tuaj të madhe, por edhe i kënaqur, i gëzuar, pasi jam i bindur se ju jeni sot, njerëzit më të dashur, qytetarët, punonjësit më të dashur për fëmijët e shqiptarëve e shqiptarët në tërësi dhe kjo është një meritë e juaja, një arritje shumë e madhe, që përbën një energji të pashtershme për ju, në misionin tuaj fisnik.
Sot ne, së bashku me të gjithë shqiptarët, nderojmë mësueset dhe mësuesit, këta misionarë të mëdhenj të dijes dhe të përparimit. Këta misionarë, të cilët janë promotorët kryesorë të asaj gare, më fisnikja, më e vështira, më jetikja e të gjitha garave të tjera, gara e dijes. Dija është horizonti më i lartë në të gjitha horizontet, është horizonti më i vështirë, që rend më shpejt se çdo horizont tjetër. Ndaj është e kuptueshme sa e vështirë, sa e lodhshme është detyra dhe misioni juaj, por, siç thotë një filozof, ndër më të mëdhenj e shekullit që shkoi dhe ndoshta ndër më të mençurit e të gjitha kohërave, fati i një shoqërie përcaktohet nga nderimi që ajo i bën mësuesit. Ndaj edhe unë ju garantoj se në vetëdijen time më të thellë, ky postulat ka të vërtetën më të madhe. Kështu që ju premtoj, ju siguroj se do të bëjmë gjithçka, që ju të qëndroni në piedestalin e merituar, do të bëjmë gjithçka, që rritja, mbështetja dhe konsolidimi i rolit qendror të mësuesit, në sistemin tonë arsimor të qëndrojë në epiqendër të të gjithë përpjekjes sonë për të vendosur shoqërinë dhe ekonominë, mbi bazat e dijes.
Sot, ne nderojmë së bashku, një përvjetor që shndrin dhe do të shndrijë gjithmonë në historinë tonë kombëtare, 125 vjetorin e shkollës së parë laike të shqiptarëve, e dritës që u ndez në qytetin tuaj dhe që vërshoi për të mos u shuar kurrë, në çdo skaj, në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo zemër, në çdo mendje të kombit shqiptar. Ndaj le të shprehim nderimin më të madh, për ata burra që themeluan këtu, 125 vjet më parë, shkollën e parë laike të kombit. Shkollë, e cila me dritën e saj do të ndriçonte e do të bënte të shkëlqejë gjithnjë e më shumë vokacioni perëndimor i kombit shqiptar, thelbi i shpirtit të tij, thelbi i kulturës së tij. Edhe më parë, edhe pas asaj, shqiptarët kishin bërë përpjekje shumë të mëdha për të pasur shkolla, por shkolla e parë laike ishte Mësonjëtorja e Korçës, e cila do të shndërrohej në një burim të pashtershëm drite, jo vetëm dijeje, por edhe bashkimi kombëtar, jo vetëm dijeje, por edhe vetëvendosjes së kombit, aty ku ai kishte lindur, në djepin e tij perëndimor.
Sot ne kremtojnë këtë datë në 100 vjetorin e pavarësisë. Shkollat dhe çdo arritje e jona ka në themel një sagë vuajtjesh dhe sakrificash mbinjerëzore, por ka për kurorë, rezultate të shkëlqyera që premtojnë të ardhmen që meritojmë. Ajo u ngrit mbi gjak martirësh, në një kohë kur obskurantizmi i pushtuesit, por edhe obskurantizma të tjera, do të dëshironin çdo gjë për shqiptarët, por jo germat e gjuhë së tyre, jo fjalët e gjuhës së tyre. Shkolla triumfoi falë guximit të shqiptarëve, sakrificës së burrave dhe grave të Korçë, të cilët nuk lejuan që drita e saj të shuhej kurrë në këtë qytet, por të shpërndahej në mbarë vendin.
Të dashur mësuese dhe mësues,
Në këtë 100 vjetor të pavarësisë dhe në këtë 125 vjetor të Mësonjëtores së parë, ne jemi në një stacion të ri. Në një nivel dhe horizont të ri. Ne jemi të lirë. Por kemi kaluar një kalvar të vërtetë si komb, për të arritur këtu ku jemi. Këto 20 vite liri, që ju kanë dhënë juve, mundësi të mëkoni tek fëmijët tanë të vërtetat më të rëndësishme të dijeve njerëzore, vlerat më të arrira të virtyteve tuaja shpirtërore dhe te qytetërimit, kanë bërë të mundur që shqiptarët të realizojnë në 20 vite më shumë se në të gjitha kohërat e mbijetesës së tyre.
Sot, në të gjithë treguesit, nuk jemi më një vend i varfër. Pavarësisht se në mendjen tonë, ky koncept sërish mbetet dhe qarkullon, e vërteta është se Shqipëria është hequr nga të gjitha listat e vendeve të varfra të planetit dhe kjo është meritë e mundit dhe djersës së shqiptarëve, reformave të thella të ndjekura.
Sot, ne, që 20 vite më parë renditeshim në 3-4 vendet e fundit në botë, kemi lënë prapa në disa ndër treguesit më themelorë kombe më të zhvilluara të Bashkimit Europian. Në këto vite, në të cilat ne u angazhuam se do të vendosim mësuesin në piedestalin që meriton, ne ia kemi dalë që fëmijët tanë të ndjekin shkollat dhe braktisja e shkollës të marrë përgjigjen më të merituar, mbi 91 përqind e atyre që mbarojnë arsimin 9 vjeçar të ndjekin shkollat e mesme. Ia kemi dalë ta diversifikojmë arsimin. Ne kemi arritur që sot, mësuesi i lirë t’u mëkoje fëmijëve vlerat e qytetërimit dhe të lirisë. Ne ia kemi dalë që sot, mësuesi i lirë të jetë frymëzues kryesor i ëndrrave të bukura të fëmijëve tanë. Sot, ju i fusni fëmijët tanë në banesën e dijes, pasi i keni frymëzuar dhe i frymëzoni me virtytet tuaja, i fusni si njerëz të lirë, por duhet të jeni të vetëdijshëm se kjo garë është e përjetshme. Mësuesi, influenca e tij është përjetshme. Qiriri shkrihet, por drita i mbetet dhe askush nuk mund të imagjinojë se kur ndërpritet influenca e tij. Ndaj të punojmë së bashku, sërish me ju në epiqendër, të dashur mësues dhe mësuese, me ju në qendër të përpjekjeve tona, në mënyrë që ta shndërrojmë sistemin tonë arsimor edukativ, në një nga sistemet më të konsoliduara të rajonit dhe të Europës. Ne nuk duhet të kemi ndrojtje, nuk duhet të kemi komplekse. Njerëzit që kanë vuajtur kanë një shpirt të fortë! Njerëzit që kanë vuajtur kanë një eksperiencë të madhe. Ndaj le të bëjmë gjithçka që sakrificat e 125 viteve të shkuara, të mësueseve dhe mësuesve të këtij vendi, të jenë një energji, një forcë e madhe për vitet që vijnë.
Edhe njëherë shpreh nderimin më të madh për ju, mësues dhe mësuese të Korçës, për ata burra dhe gra që themeluan Mësonjëtoren e parë, Pandeli Sotirin, Papa Kriston, Thoma Avramin, Thanas Sina, Hafiz Ali Korçën dhe shumë të tjerë, të cilët u bënë dhe promotorë të kësaj drite që nuk u shua kurrë, në trojet shqiptare. Gëzuar 7 marsin!”
07/03/2012