Kryeministri Berisha: Tirana të ketë një muze të genocidit kundër shqiptarëve

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm, në çeljen e ekspozitës “Për të mos harruar...”, në përkujtim të genocidit serb ndaj popullsisë shqiptare 1833-1999. Ekspozita u çel në Muzeun Kombëtar, e organizuar nga bashkia e Tiranës.
Kryeministri Berisha, duke shprehur falënderimet për bashkinë e Tiranës për këtë nismë, tha se ekspozita i kushtohet “kalvarit të vuajtjeve, sakrificave dhe jetëve të flijuara” të kombit shqiptar, në dy shekujt e fundit.
“I lindur këtu, që në ditët e para të ekzistencës së popujve e kombeve, shqiptarët - tha Kryeministri - patën fatin të kenë një prej historive më të vështira e më të dhimbshme, sepse, në mënyrë të përsëritur, të tjerët lakmonin trojet e tyre, të tjerët synon shfarosjen e farës së tyre.”
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i familjes së heroit Adem Jashari, i cili ra bashkë me pjesëtarët e familjes së tij, në një qëndresë heroike ndaj forcave serbe, në mars të vitit 1998, të cilin Kryeministri e cilësoi tribun legjendar, i pashembullt në historinë kombëtare.
“Në tërë historinë tonë, - tha Kryeministri - ne kemi mijëra, dhjetëra mijëra, qindra mijëra martirë që ranë nga luftërat e Lidhjes së Prizrenit, deri në betejat për liri e të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Por në tërë këtë histori, në krye të altarit të lirisë së këtij kombi qëndron vigan, Adem Jashari.”
Kryeministri e konsideroi si një detyrim ndaj brezave ngritjen në Tiranë, të një muzeu që dokumenton sakrificat dhe rezistencën e shqiptarëve ndaj genocidit, në dy shekujt e fundit. “Për ne, harresa do të ishte turpërim i madh, do të ishte e pafalshme!” tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha vizitoi më pas, stendat ku ekspozohen dokumente të Arkivit Qendror të Shtetit, dokumente historike, fotografi, dëshmi të gjalla e pamje filmime të ofruara nga RTSH, RTK dhe media të huaja që kanë ndjekur nga afër luftën e Kosovës, të cilat dëshmojnë gjenocidin e masakrat serbe në Kosovë.
Më poshtë vijon fjala e Kryeministrit në këtë ceremoni.
“Së pari, dua të falenderoj bashkinë e Tiranës, kryetarin e saj, për organizimin e kësaj ekspozite kushtuar kalvarit të vuajtjeve, sakrificave, mundimeve, dhimbjeve dhe jetëve të flijuara të kombit tonë, dy shekujt e fundit. I lindur këtu, që në ditët e para të ekzistencës së popujve e kombeve, shqiptarët patën fatin të kenë një prej historive më të vështira e më të dhimbshme, sepse, në mënyrë të përsëritur, të tjerët lakmonin trojet e tyre, të tjerët synon shfarosjen e farës së tyre. Asnjë komb tjetër, pas kombit hebre, nuk ka njohur genocide, spastrime etnike, krime kundër njerëzimit, siç kanë njohur shqiptarët, të paktën që nga Lidhja e Prizrenit, deri në fund të shekullit që lamë pas.
Por sot, ne jemi të lirë e kjo liri është e tëra e ndërtuar mbi një sakrificë mbinjerëzore, mbi një përpjekje titanike të një kombi të vogël për të mbijetuar, në të drejtën, në tokën, në trojet e tij. Sot, ne jemi të lirë dhe kemi një vështrim të kristaltë drejt të ardhmes sonë. Kemi besim të madh se si komb i lire lamë mbrapa periudhën e përpjekjeve për mbijetesë e ekzistencë dhe kemi hapur kapitullin e ndërtimit të së ardhmes që meritojmë, e një të ardhmeje në liri, në prosperitet, në bashkëpunim dhe miqësi me kombet e tjera të rajonit e të Europës.
Zoti kryetar, keni zgjedhur një ditë të veçantë, për të hapur këtë ekspozitë. Ditën e sakrificës, e vetëflijimit, e heroizmit më të madh në historinë e këtij kombi. Në tërë historinë tonë, ne kemi mijëra, dhjetëra mijëra e qindra mijëra martirë që ranë nga luftërat e Lidhjes së Prizrenit, deri në betejat për liri e të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Por në tërë këtë histori, në krye të altarit të lirisë së këtij kombi qëndron vigan, Adem Jashari, qëndrojnë Jasharët si kurorë e heroizmit shqiptar, si kurorë e sakrificës shqiptare, si kurorë e patriotizmit shqiptar. Të gjithë ata që vizitojnë Prekazin, shohin varret e 56 heronjve të rinj, se ai vend, ajo tokë historikisht ka qenë tokë e heronjve të kombit, e burrave që luftuan, u sakrifikuan në mënyrë që në Prekaz, flaka e lirisë të mos shuhej kurrë. Kruja e Prekazi janë tempujt e lirisë sonë kombëtare. Kushdo që viziton Prekazin sheh terrenin, shtëpitë dhe konstaton se strategu i luftës çlirimtare të Kosovës dhe faktikisht, i çlirimit të Kosovës kishte të gjitha mundësitë të luftonte e të largohej, të përcillte familjen e tij, por ai zgjodhi më frymëzuesen, më burrëron, më heroiken, qëndresën deri në të shtatin, në parimin shqiptar shtatë në shtatëdhjetë dhe e shndërroi Prekazin në gurrën e madhe të frymëzimit të luftëtarëve të lirisë, të cilët bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë, bënë të lirë çdo shqiptar, e bënë Ballkanin një gadishull të lirë dhe hoqën nga harta e Europës, koloninë e fundit, që ishte Kosova.
Ndaj, kjo ditë është ditë përuljeje me nderim të madh, e çdo shqiptari, para Adem Jasharit, këtij tribuni legjendar e të pashembullt në historinë tonë kombëtare, familjarëve të tij që ranë heroikisht që sot, ne të jemi të lirë, para burrave e grave të Prekazit që luftuan në shekuj që Prekazi të mbetej gjithmonë shqiptar, që Drenica të mbetej gjithmonë shqiptare, që Kosova të mbetej gjithmonë shqiptare. Ne nderojmë jo vetëm familjen Jashari, por nderojmë të gjithë luftëtarët e lirisë, ata qindra e mijëra djem e vajza që vetëm 14-15 vite më parë rrëmbyen armët dhe u përballën me një nga ushtritë më të pajisura të Europës dhe fituan.
Zoti kryetar, është e domosdoshme që Tirana, kryeqytetin e vendit, të ketë një muze të veçantë për kalvarin e shqiptarëve këto dy shekuj, sepse për ne, harresa do të ishte turpërim i madh, do të ishte e pafalshme! Ne flasim dhe njohim disa nga masakrat, por ju garantoj se në çdo territor të këtij vendi që kufizohet me të tjerë kalohet mbi të vdekur, të rënë vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Kjo është mënyra më dinjitoze për të ndërtuar marrëdhëniet e reja me kombet e vendet përreth, për të ecur të sigurt drejt së ardhmes që meritojmë. Ndaj, edhe Tirana duhet të ketë një muze të genocidit kundër shqiptarëve, në mënyrë që brezat, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë të shohin se cilat ishin sakrificat e paraardhëse të tyre, cila është drita që i udhëheq ata drejt së ardhmes që meritojnë.
Edhe një herë ju falënderoj për ekspozitën, sikundër ju shprehim edhe ju, zoti Murat Jashari, nderimin më të madh e mirënjohjen më të thellë ndaj sakrificës së madhe të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.”
05/03/2012