E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha uron 7 marsin: Festë shpirtërore, e mendjes dhe dijes!

Kryeministri i përcolli të gjithë mësuesve të vendit urimet për këtë ditë feste, nga qyteti i Korçës, ku 125 vjet më parë u hap shkolla e parë e sistemit tonë arsimor.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në Korçë, ku mori pjesë në disa aktivitete të organizuara nga Drejtoria Arsimore e këtij qyteti, Ministria e Arsimit dhe autoritetet lokale, me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit. Krahas autoriteteve shqiptare, i pranishëm në këto aktivitete është edhe Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, zoti Musa Xhaferri.

Fillimisht, Kryeministri u ndal në shkollën e mesme profesionale Tekniko-Ekonomike “Isuf Gjata”, ku u takua me stafin pedagogjik, nxënësit e saj, të cilëve ju uroi 7 marsin, të cilën e cilësoi “festë shpirtërore e mendjes dhe dijes”.

“Ditë festë për të gjithë shqiptarët, ditë nderimi për mësueset e mësuesit e këtij vendi, të cilët me përkushtim, virtytet e dijet e tyre janë promotorë kryesorë të garës më fisnike, garës së dijes,” u shpreh Kryeministri. 

Kryeministri vizitoi disa nga klasat e shkollës, si klasën e hoteleri-turizmit, të ekonomi-financës, të tekstileve, informatikës etj. dhe përgëzoi stafin e saj për nivelet që kanë arritur. Kryeministri e cilësoi arsimin profesional si një nga sfidat madhore të sistemit tonë arsimor. “Arsimi profesional – tha Kryeministri - përbën një nga orientimet më themelore të përshtatjes së arsimit dhe sistemit të edukimit në tërësi me tregun dhe shoqërinë tonë, zhvillim e tyre.”

Kryeministri u bëri thirrje prindërve për të vlerësuar rëndësinë e edukimit profesional, në kushtet e sotme të kërkesave të tregut, duke garantuar se nxënësit që dalin nga këto shkolla do të kenë të drejtën të përzgjedhin degën universitare që ata dëshirojnë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Është nder i veçantë për mua, t’ju uroj sot, gëzuar këtë ditë feste të vërtetë shpirtërore, të mendjes dhe dijes, të fëmijëve, mësuesve, nxënësve, studentëve, pedagogëve, profesorëve, prindërve. Ditë festë për të gjithë shqiptarët, ditë nderimi për mësueset e mësuesit e këtij vendi, të cilët me përkushtim, virtytet e dijet e tyre janë promotorë kryesorë të garës më fisnike, më të rëndësishme të fëmijëve, nxënësve, studentëve, individit dhe qytetarit, garës së dijes.

Sot erdha tej ju për të shprehur gjithashtu nderimin më të madh për ju, mësuesit e kësaj shkolle profesionale, për nivelet që ju keni arritur dhe për të theksuar se drejtimi profesional i arsimit është e do të mbetet një nga sfidat madhore të sistemit tonë arsimor. Kjo përbën gjithashtu një nga orientimet më themelore të përshtatjes së arsimit dhe sistemit të edukimit në tërësi me tregun dhe shoqërinë tonë, zhvillim e tyre. Ne jemi përpjekur e kemi realizuar reforma të thella në arsim, këto vite. Në asnjë sistem e fushë tjetër nuk jemi përqendruar e nuk kemi investuar më shumë, se në sistemin arsimor dhe ju garantoj se kjo do të vazhdojë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për kombin  e vendin, për zhvillimin  tyre, sesa sistemi i edukimit! Por ne e njohim se nuk jemi në nivelin e duhur në rrafshin e edukimit profesional. Arsimi profesional është i një rëndësie përcaktuese për përshtatjen e sistemit arsimor me kërkesat e tregut, për punësimin e lëvizshmërinë e krahut të punës. Ky vit, pas përpjekjeve të mëdha, ka shënuar fatmirësisht, një hop, pasi është rritur me 8 përqind angazhimi i fëmijëve tanë në arsimin profesional, si në asnjë vit tjetër.  

Në këtë shkollë, unë gjeta disa degë themelore për ekonominë tonë, si hoteleri- turizëm. Imagjinoni se cilat janë kërkesat, sot, për shërbime në një vend që vetëm 7 vite më parë pranonte gjithsej 300 mijë vizitorë e turistë dhe vitin që shkoi pati gjithsej 4 milionë e 100 mijë vizitorë. Nevojat tona në këtë fushë janë shumë të mëdha, kërkesat në këtë fushë janë të jashtëzakonshme.

Krahas kësaj dege, unë vizitova degë të tjera si degën e tekstileve dhe gjeta stiliste të mrekullueshme dhe absolutisht jam i bindur se stilistët shqiptarë do të marrin gradualisht reputacion të madh në Europë e në botë.

Vizitova gjithashtu degën e biznesit dhe ekonomisë, nxënësit e së cilës po bënin analizën e veprimtarisë së shoqërive tregtare të qytetit të Korçës dhe mesazhi im për Ministrinë e Arsimit është se ekonominë duhet ta shndërrojmë në një doktrinë kryesore në tërë sistemin tona arsimor. Në kushtet tregut të lirë, parimet bazë ekonomike janë të rëndësishme për çdo individ dhe familje. Në këtë kontekst, të reduktojmë disa lënde të tjera dhe të hapim vend të veçantë për ekonominë e financat. Çdo qytetar e qytetare përballet çdo ditë, për të mos thënë çdo orë, me administrimin e financave familjare. Në këtë kontekst, dijet ekonomike janë dije bazë, të domosdoshme në të gjithë sektorët e tjerë. I pajisur me dije ekonomike, individi do të jetë absolutisht më eficent në çdo profesion që mund të angazhohet dhe do të ketë më shumë mundësi ta përmbushë misionin në profesionin e dhënë.

Sot, ende nuk jemi në nivelin europian të përqindjes në arsimin profesional. Vendet e zhvilluara të Europës e kanë një me një, raportin arsim i përgjithshëm-arsim profesional. Ndaj thirrja ime për të gjithë shqiptarët është: të konsiderojnë me seriozitetin më të madh shkollat tona profesionale dhe i garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për rritjen e cilësisë së tyre. Në këtë shkollë, unë gjeta disa fondacione lokale dhe të huaja që kontribuojnë. Këto shkolla janë shkolla që garantojnë cilësi të madhe dhe nuk përbëjnë e nuk do të përbëjnë asnjë lloj pengese në përzgjedhjen e shkollimit universitar të atyre që përfundojnë këto shkolla. Këtu, unë vizitova një klasë, nxënësit e së cilës ishin angazhuar në artin e kuzhinës. Këta nxënës, pas përfundimit të shkollës, do të kenë të drejtë të përzgjedhin cilëndo degë që ata duan në universitet. Por, në rast se këta zgjedhin universitetin, do të jenë gjithashtu zonjat e zotërit e shtëpisë më të kënaqur, pasi do të disponojnë artin e mrekullueshëm të kuzhinës dhe në rast se do të shërbejnë në hotele e restorante, ata sërish do të ushtrojnë një profesion të dobishëm për të gjithë shoqërinë. Mora këtë shembull për të bërë thirrje që të mos konsiderohet angazhimi i fëmijës në shkollë profesionale si një kufizim në degë të caktuara për universitetin. Ne do të bëjmë gjithçka për lëvizshmërinë e fleksibilitetin më të madh të sistemit tonë arsimor.

Edhe një herë ju uroj gëzuar festën, në 125 vjetorin e themelimit të mësonjëtores së parë të sistemit aktual arsimor. Mësonjëtore, e cila shpërndau dritën e saj në mbarë trojet shqiptare. Gëzuar këtë ditë!  


07/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›