Kryeministri Berisha pret Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Gerard Stoudmann
Kryeministri Berisha priti sot, në takim e Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, zotin Gerard Stoudmann.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, e falënderoi zotin Stoudmann për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Këshilli i Europës dhe institucionet e tjera të lidhura me të i kanë dhënë Shqipërisë në vazhdimësi, por njëkohësisht edhe për kontributin dhe mbështetjen personale dhe shumë të çmuar të zotit Stoudmann ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, në të gjitha reformat e thella e të gjithanshme të ndërmarra gjatë këtyre viteve.
Zoti Stoudmann e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i përcolli përshëndetjet më të përzemërta të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës Thorbjørn Jagland.
Zoti Stoudmann shprehu vlerësimin dhe kënaqësinë e veçantë të autoriteteve të institucioneve të Këshillit të Europës që për herë të parë, Shqipëria do të marrë presidencën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012, duke e konsideruar këtë si një ndër arritjet më të rëndësishme të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, e cila është mirëpritur nga të gjithë në Këshillin e Europës.
Më tej, zoti Stoudmann i shprehu Kryeministrit vlerësimet më të sinqerta për transformimet rrënjësore që kanë ndodhur e po ndodhin çdo ditë në Shqipëri dhe duke e vlerësuar ketë si një moment shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, i shprehu Kryeministrit mbështetjen e plotë të Këshillit të Europës dhe të të gjithë organizmave të tij, në përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar sa më shpejt në Bashkimin Europian.
Në takim u vlerësuan një sërë fushash, ku bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Këshillit të Europës ka dhënë rezultate të frytshme si projekti në fushën e arsimit, kontributi i veçantë i Komisionit të Venecias në aspektet ligjore të reformës zgjedhore, por sidomos projektet në luftën kundër korrupsionit, ku në veçanti u vlerësua kontributi i GRECO. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e posaçme që qeveria shqiptare i jep kufizimit të imunitetit të zyrtarëve për çështje të korrupsionit dhe krimeve të rënda. “Heqja e imuniteteve është një hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, - u shpreh Kryeministri - dhe qeveria shqiptare mbetet plotësisht e vendosur, e angazhuar dhe e hapur për të miratuar të gjitha amendimet ligjore për heqjen e imunitetit, ndaj i bën thirrje opozitës shqiptare që t’i bashkohet kësaj nisme të rëndësishme, e cila kërkon shumicë të cilësuar në parlament dhe të mos bëhet pengesë për realizimin e këtij angazhimi të rëndësishëm që Shqipëria ka marrë në marrëdhëniet e saj me Këshillin e Europës.”
29/02/2012