E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëbisedim i Kryeministrit Berisha me gazetarët

Përshëndetje. Kur ndjek çdo ditë mediat dhe konstaton se si ato përcjellin kronikat e veprimtarisë së Kryeministrit dhe kronika të tjera, natyrisht, në një raport normal dhe korrekt me to, mendja të shkon gjithnjë se kronika u dha, por, për arsye burokratike apo ligjore, mediat nuk bëjnë dot pyetje, të cilat janë një domosdoshmëri profesionale e tyre, një dimension i rëndësishëm i transparencës që, me të drejtë, ato duan të bëjnë. Kështu nuk ka qenë e mundur të bëhen pyetje për shkaqe kushtetuese në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, për shkaqe parlamentare në mbledhjet e grupit parlamentar e aktivitete të tjera. Atëherë, si detyrim ndaj tyre, mendova që sot të dal para jush, pa bërë një deklaratë tematike, por i hapur ndaj çdo pyetjeje që ju dëshironi të më drejtoni. Jam këtu, për të marrë pyetjet tuaja.

Anila Basha [Shqiptarja.com]: Meqenëse një ndër çështjet kryesore është debati i brendshëm në Partinë Demokratike, dua të ndalem në mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Deputeti i PD-së Oketa ka deklaruar në një emision televiziv se ka që nga tetori që nuk i ndjek mbledhjet e grupit, madje ka hedhur edhe një lloj akuze, që i ngjajnë mbledhjeve të byrosë. Do të donim të dinim se cili është qëndrimi i kryetarit të partisë për këtë?

Kryeministri Berisha: Siç e dini, Kryetari i Partisë Demokratike, vetëm në rastet kur nuk ndodhet në Shqipëri, merr pjesë një herë në javë, në mbledhjen e grupit parlamentar dhe diskuton në këtë mbledhje probleme të interesit të përgjithshëm, të platformës, por edhe probleme të veçanta të zonave të tyre elektorale, ose çështje të tjera. Kjo është një konstante e shumicës së mbledhjeve, përveçse rasteve, kur ndonjë shkak madhor protokollar më detyron ta bëj mbledhjen të shkurtër. Në këtë kontekst, ju garantoj se, si rregull, në shumicën e mbledhjeve, deputetët ngrenë para kryeministrit dhe ministrave të pranishëm probleme që kanë të bëjnë me çështje të zgjedhësve të zonave të tyre elektorale, me shqetësime dhe ankesa të tyre. Sikundër, në këto mbledhje, deputetët ngrenë edhe probleme të përgjithshme. Mund të të them Anila, se në memorien time, e cila funksionon, deputeti Oketa, as tani, as në kohën kur ka qenë në funksione ndër më të lartat në qeveri, nuk ka ngritur qoftë edhe një problem të vetëm në mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Të besoj se ish ministri i Mbrojtjes ishte frikacak të ngrinte çështje në mbledhjet e grupit parlamentar, kjo nuk më konvenon me problematikën. Deputeti Oketa ka marrë pjesë rregullisht në mbledhje gjer në shtator apo tetor, siç thotë dhe nuk ka ngritur ndonjëherë as edhe një problem, as kur ka qenë zëvendëskryeministër apo ministër apo deputet. Kështu që shkaqet e këtij divorci duhet t’i kërkojmë tjetërkund. Investigoni ju gazetarët. Kishte frikë ministri i Mbrojtjes apo zëvendëskryeministri të ngrinte çështje në mbledhjen e grupit parlamentar?! Ju thatë se ai nuk fliste dot në mbledhjen e grupit, por në mbledhjen e grupit, ju garantoj flet çdo njeri dhe nuk i është kërkuar kujt, kurrë, as edhe njëherë dhe nuk mund të ndodhë t’i kërkohet llogari përse ngre çështje në grupin parlamentar, kur në grup ngrihen rëndom probleme dhe kjo është normë konstante. Zoti Oketa nuk ka ngritur qoftë edhe një herë të vetme dhe ju garantoj se të gjitha çështjet politike janë diskutuar e diskutohen me grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Unë jam i hapur për çdo diskutim. Zoti Oketa zgjodhi një mënyrë tjetër. E kemi dëgjuar ndonjëherë kryetrarin e partisë të thotë pse Oketa bëri këtë apo atë? Kam vetëm këtë keqardhje: Zoti Oketa hyri në parti si përfaqësues i një brezi tjetër, të ri dhe u largua nga PD-ja si një Namik Dokle. Parlamenti dhe muret e tij kanë arkivin dhe memorien, koha stamposet. Ndodhi në vitin 1991 që si kurban për Ramiz Alinë, Namik Dokle pranoi të marrë vetëm votën e tij, ndodhi në vitin që jemi, që  kurban për Bamir Topin, Gazmend Oketa të marrë vetëm votën e tij. Këtë, Gazmend Oketa nuk duhet t’ia bënte vetes.

Robert Rakipllari [Panorama]: Në kushtet kur faktori ndërkombëtar, ambasadorët në Tiranë, kanë intensifikuar deklaratat e tyre në drejtim të mazhorancës për zgjedhjen e presidentit konsensual, i konsultuar me të gjitha palët, ju i qëndroni deklaratës suaj se presidenti do të dalë nga radhët e mazhorancës,si politikan karrierë nga radhët e mazhorancës?

Kryeministri Berisha: Unë jam njeri jashtëzakonisht vlerësues dhe bashkëpunues me faktorin ndërkombëtar, por, në atë që quhet faktor ndërkombëtar në këtë vend e në çdo vend, sundimi i ligjit është standardi që bashkon vendet e lira. Në këtë kontekst, ne jemi të hapur të diskutojmë me të gjithë faktorët parlamentarë, kandidaturat apo kandidaturën për president të republikës, por, në çdo rrethanë, ne mbetemi të vendosur t’i japim vendit një president në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Do të ishte qesharake, jo serioze që ne të zëvendësonim Kushtetutën me forma të tjera të paparashikuara. Periudha, kur ne e zgjidhnim presidentin me 3/5 e votave, mori fund në vitin 2008, me një marrëveshje për ndryshimin e Kushtetutës së vendit. Arsyetimi i atij ndryshimi është jashtëzakonisht solid. Relacioni që shoqëron atë ndryshim fakton se qëllimi më madhor është të parandalohet një krizë institucionale, parandalimi i futjes së Shqipërisë në një elektroshok zgjedhor një vjeçar etj. etj.. Vendi, nga i cili u mor ky model ishte Kushtetuta greke, një Kushtetutë shumë e mirë, përveç këtij neni. Në zgjedhjet e fundit, ky  nen u bë shkak për zgjedhje të parakohshme në republikën helenike. Kjo është e vërteta. Nëse e studion me vëmendje këtë nen, ai bie në kundërshti me frymën e Kushtetutës, e cila përcakton sistemin të bazuar në zgjedhje periodike dhe zgjedhjet periodike janë zgjedhjet që bëhen një herë në 4 a 5 vjet, veç rasteve kur humbet me mocion, në republikat parlamentare. Në këtë rast, ligjvënësit kanë shtuar një faktor tjetër ekstra që ndërpret zgjedhjet dhe që nuk ka të bëjë me funksionalitetin e qeverisë, por ka të bëjë me zgjedhjen e kreut të një institucioni tjetër. Kushtetuta të ndryshme, në këtë rast, kanë ndjekur dy qëndrime për të parandaluar një gjë të tillë: Zgjedhjen e presidentit me 50 përqind plus 1 të votave në raundet e fundit, siç vendosëm ne me zotin Rama, ose zgjedhje nga populli, siç e kanë disa vende. Që të dyja këto zgjedhje nuk cenojnë parimin e periodicitetit të zgjedhjeve të përgjithshme që sanksionohet në afatin kohor 4 a 5 vjeçar, sipas kushtetutave të ndryshme. Pra, kemi të bëjmë me një përshtatje që u bë në Kushtetutën e Shqipërisë me atë model të zgjedhjes së presidentit, i cili nuk ndërhyn në parimin e zgjedhjeve periodike të përgjithshme në vend.

Robert Rakipllari [Panorama]: Do ta tentoni kompromisin në tre raundet e para, pasi në deklaratat e mëparshme keni lënë të kuptohet se do të jetë një kandidat i mazhorancës?

Kryeministri Berisha: Do të jetë kandidat i mazhorancës dhe në rast se zoti Rama do të japë votat, ne e mirëpresim. Sikundër zoti Rama, në përputhje me Kushtetutën është i lirë dhe i ftuar të paraqesë kandidatin e tij. Nuk ka asnjë pengesë, zoti Rama ka të gjithë fuqinë, me firmat e deputetëve të tij, të paraqesë një apo dy kandidatë, sipas dëshirës së tij. Ky nuk do të jetë një proces konfrontues, por do të jetë kushtetues. A do të jetë nga mazhoranca? Unë i qëndroj asaj që kam thënë në kryesinë e Partisë Demokratike. Nuk di që për ndonjërin të mund të më thuash se nuk ka kapacitetin për të qenë president i republikës. Ky është vlerësimi im. Natyrisht, pastaj vlerësimet janë individuale. Por ligji ndiqet.

Robert Rakipllari [Panorama]: Kur jemi një vit para zgjedhjeve të vitit 2013, keni ndërmend të bëni ndryshime në qeveri, nisur edhe nga kërkesat që keni nga anëtarë të grupit tuaj parlamentar, që kërkojnë ndryshime në qeveri, si deputeti Alibeaj, Xhepa?

Kryeministri Berisha: 8 maji ishte prova më e rëndësishme për qeverinë që unë kryesoj. 8 maji ishte testi mbarëpopullor, për funksionalitetin e kësaj qeverie. Kundërshtari im, për të më ndihmuar mua në këtë drejtim, i shpalli zgjedhjet plebishit antiqeveritar dhe këtë nuk ia diktova unë, por  e zgjodhi vetë. Dhe rezultati i 8 majit ishte 142 mijë vota më shumë për koalicionin që unë drejtoj, sesa koalicioni i zotit Rama. Rezultati ishte gjithashtu, fitorja e katërfishtë në bashkinë e Tiranës, në total me 10 909 vota më shumë. Unë nuk kam alternativë tjetër veçse të respektoj verdiktin e qytetarëve dhe vlerësimin e tyre.

Elona Meço [TCH]: Po nëse ju kërkon LSI ndryshime në qeveri, do t’i bëni?

Kryeministri Berisha: LSI është në qeveri si një forcë politike sovrane, e lidhur me një marrëveshje e koalicion dhe unë, si kryetar i mazhorancës, jam i detyruar në përputhje me atë marrëveshje, të respektoj vullnetin e kësaj force, në përmasat e marrëveshjes.

Elona Meço [TCH]: Sot është cenuar kompromisi në Komisionin e Ligjeve dhe ka gjasa të mos miratohet me konsensus Kodi Penal, në seancën e së enjtes në parlament. Besoj jeni njohur se ka ndodhur për shkak të disa kërkesave të PS-së për të kriminalizuar disa vepra, përfshi Këshillin e Ministrave apo falsifikimin e shifrave të statistikave zyrtare. Gjatë këtyre ditëve, ju i keni mëshuar faktit se Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe i Ligjeve kanë kriminalizuar shumë vepra penale që lidhen me komisionerët e zgjedhjet. Ky kriminalizimin a i shërben klimës politike, kur përpara kemi edhe zgjedhjen e presidentit që mund të arrihet me një zgjedhje konsensuale?

Kryeministri Berisha: Ajo çka mund të përmbledh këtu dhe juve mund t’ju vijë pak si e veçantë është: Blloku është vetëm bllokim, çunat  e bllokut nuk kanë parim tjetër, përveç bllokimit. Është jashtëzakonisht interesante lidhja e qëndrimit të tyre me bllokun dhe nocionin e etërve të tyre. Le t’i marrim me radhë, se mund të duket çudi. Po punohej fare mirë në reformën elektorale, me seriozitetin e përkushtimin më të madh. Mesa di unë, OSBE kontraktoi ekspertë të një reputacioni botëror në doktrinën elektorale. Por zoti Rama, i cili e vërteta është se tallet me veten e tij, zgjodhi rrugën e dytë, duke hedhur poshtë të parën. Rruga e parë që i ofrova ishte: Shkruaj të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, dërgoi në Komisionin e Venecias dhe ODIHR dhe ne do t’i votojmë pa asnjë ndryshim dhe asnjë kusht. Nëse nuk e do këtë rrugë, të ulemi e t’i bëjmë bashkë, por pa diktate. Këtu ka një traditë 20 vjeçare pune e produkti të përbashkët në këtë fushë, ku do të ketë lëshime, kompromise e mospranime. Ky është rregulli! Zoti Rama nuk e pranoi propozimin e parë, sepse në të gjithë matematikën, ai del humbës në 2013-ën dhe nëse do ta bënte vetë ligjin, në 2013 nuk do të kishte më Kastriot [Islami] për të bërë kurban dhe të gjithë do t’i thoshin se nuk do të kishte më mundësi të akuzonte 20 mijë komisionerë si tradhtarë apo të korruptuar nga kryeministri. Për t’u shpëtuar këtyre të dyjave, zgjodhi rrugën tjetër, e cila për çdo njeri të qytetëruar është rrugë kompromisi. Por zoti Rama doli befas para jush dhe denoncoi bllokimin, edhe pse nuk ju tha as edhe një amendament të vetëm, të paraqitur nga partia e tij, që ishte hedhur poshtë nga ne. Bllokuan reformën! Po ashtu, për muaj të tërë, verën e vjeshtën e kaluar, kërkonte ndryshime në rregulloren e parlamentit, të cilat, absolutisht, të paktën për 30 vjet nuk kisha ndërmend t’ia pranoja, se ishin marrëzira ligjore, marrëzira logjike dhe ekstensione të psikologjisë së bllokut: Bllokimi. Atëherë zoti Rama, siç e ka zakon që i bie murit me kokë dhe kur i dhemb shumë koka kthehet, doli dhe tha pranoi të bëjmë reformën, sipas rregullores së Parlamentit Europian. U mblodh komisioni dhe zoti Rama solli aty dy deputetë të tij, zotin Bushati dhe një tjetër, si dhe solli si propozime, të gjitha ato që i kishte bërë para marrëveshjes, pra, që kryeministri të mos flasë më shumë se 10 minuta në parlament. Ai harron se kryeministri i Shqipërisë dhe çdo kryeministër në një vend të lirë është ai që udhëheq në fushatë elektorale, është ai që mban të gjithë përgjegjësinë për fitoren dhe për humbjen, është ai që jep llogari intensive periodike në parlament, para kombit e qytetarëve të vet për problemet. Për këtë arsye, Kushtetuta e Shqipërisë, Gjermanisë dhe vendeve të tjera, i njeh të drejtën e fjalës në parlament sa herë të dojë të flasë. Ky është një nen standard edhe në kushtetutën e Shqipërisë dhe këtë nen e ka vendosur në Kushtetutë paraardhësi im dhe zoti Rama nuk kërkoi të lëvizej ky nen, kur ne ndërhymë në Kushtetutë, sepse nuk mund të lëvizej. Zoti Rama e sheh se më parë mund të gjejë një eskimez në shkretëtirë, sesa të bëhet kryeministër, e sheh se shqiptarët e kanë destinuar atë, për të gjitha bllokimet që bën, për ta mbajtur vetëm në opozitë, ndaj tani thotë ta rrethojmë e ta bllokojmë me ligj kryeministrin. Por kryeministri i ka të përcaktuara në ligj të gjitha gjërat. Gjithashtu, ai kërkon që kohën 60-të minutëshe, e cila kaloi në fund të seancës dhe u lavdërua në raportet ndërkombëtare, ta rikthejë sërish në fillim të seancës, në mënyrë që të bllokojë parlamentin. Sikundër kërkon që dekretet e presidentit të votohen fshehtas, gjë që nuk ekziston në asnjë vend. Dekretet nuk janë kompetencë vetëm e presidentit të Shqipërisë. Ato janë kompetencë pothuajse e të gjithë presidentëve. Zoti Rama nuk është kurrë në gjendje të gjejë një parlament të një vendi që i voton dekretet e presidentit fshehtas. Nëse do që t’i japësh seriozitetin më maksimal, të bëhet votim nominal, siç ndodh kjo rëndom në Kongresin Amerikan, por të kërkosh ta bësh të fshehtë votimin e dekretit, këtë nuk mund ta bësh kurrë. Çdo propozim tjetër që bëhet në parlament, përveç dekretit, votohet fshehtas.

Çfarë ndodhi sot? Që nga fillimi i viteve ‘800, që nga koha e Napolon Bonapartit që është edhe themeluesi i kodeve të sotme të botës perëndimore e gjer më sot, dënimi kolektiv nuk ekziston. Për hir të së vërtetës, këtë nuk e kanë as kodet e Kim Il Jungut, por nuk e kishin as edhe kodet e etërve shpirtërorë të Edi Ramës. Vendimi i Këshillit të Ministrave është vendim kolektiv, vendimet e parlamentit janë vendime kolektive. Është primitivizëm të shkosh 200 vjet mbrapa. Të kërkosh dënim kolektiv është kërkesa më ekstreme dhe më e zezë që mund të bësh. Dhe këtë paraqitën sot, përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe kjo ditë do të shënohet në analet e parlamentit. Me këtë ata demaskuan dhe treguan se kjo i duhej Sallakut, sepse ata nisën proces ndaj një trupi kolektiv, siç ishte rasti i rrugës së kombit. Ju kujtohet kur unë ju thosha se kjo është e paprecedent në historinë e një vendi. Tani ata kërkojnë të plotësojnë bazën ligjore të asaj që bënë, të asaj komedie të turpshme që organizuan me prokurorinë politike. Por kjo nuk mund të ndodhë, pasi nuk ka dënim kolektiv. Vërtet, një ministër apo punonjës e nis një akt, por Këshilli i Ministrave e rrëzon dhjetë herë dhe nëse e miraton, është vendim kolektiv dhe askush nuk mund të gjykohet. Atë e gjykon populli, kur shkohet në zgjedhje, i thuhen dëmet që janë bërë dhe merret verdikti. Sot, për të prishur edhe nenet që u ra dakord, sollën amendamentet e dënimit kolektiv. Por ky amendament simbolizon kampe përqëndrimi, simbolizon dënime kolektive, simbolizin psikologjinë më të errët të njeriut. Njeriu i qytetëruar nuk mundet kurrë të bëjë një tentativë të tillë. A mund ta pranojmë ne, këtë? Absolutisht jo! Këtë nuk e ka as Koreja e Veriut, as sulltanati më absolut.

Neni tjetër që propozuan është dënimi për falsifikatorin e statistikave. Në fakt, në Kodin tonë nuk ka një, por disa nene që dënojnë falsifikimin e qëllimshëm. Si qëndron problemi i statistikave? Statistikat jo vetëm këtu, por kudo në botë kanë relativitetin e tyre. Për shembull po marr statistikat e bujqësisë. Vende të zhvilluara e nxjerrin atë me satelit, kanë treguesit e vet që shohin fushën e grurit dhe raportojnë se prodhimi i grurit këtë vit do të ketë këtë nivel rritjeje. Nuk mund të thuhet se është qind përqind e përpiktë, por është afërsisht e përpiktë dhe mbi të ndërtohen politika tregtare botërore të grurit. Atëherë, ne do të themi se ulliri prodhon kaq apo aq dhe do të varim dikë përkëmbësh pse nuk doli tamam?! Ligji është dhe në rast se dikush bën një gënjeshtër të vërtetueshme që mund ta parandalohej, atëherë dërgojeni aty ku duhet. Por përse zoti Rama ka zgjedhur statistikën shtetërore? Kjo, sepse zoti Rama ka një problem madhor me aritmetikën. Ai u thotë shqiptarëve se janë një milion të papunë, një milion kështu e një milion ashtu dhe nuk pranon statistikë tjetër përveç kësaj, nuk pranon statistikë tjetër veç asaj që thotë vetë se 95 përqind e shqiptarëve janë të varfër, pavarësisht se ka një statistikë të Bankës Botërore që thotë se varfëria në Shqipëri është 12 përqind. Edhe pse nuk është statistikë e Shqipërisë, ai nuk pranon tjetër veç asaj që thotë vetë se 95 përqind e shqiptarëve janë të varfër dhe keni për ta parë që gjatë zgjedhjeve do ta çojë në 99 përqind. Paçka se 300 e ca mijë familje shqiptare, pothuajse gjysma e tyre, kanë nga dy shtëpi dhe ky është fakt i regjistrimit. Ai ka një problem shumë të madh me realitetin dhe ai njeh si realitet vetëm atë që krijon në mendjen e tij dhe që nuk është kurrkund. Dhe arsyeja e kësaj është bllokimi. Bllok do të thotë bllokim. Këta kanë një mision. Ju e dëgjuat sot, një nga pinjollët e bllokut në Komisionin e Ligjeve tha se një nga drejtoritë nuk duhet të jetë në varësi të kryeministrit, por në varësi të Këshillit të Ministrave. Ky zotëri ka votuar ligjin në parlament – e kanë votuar ata, jo ne - sipas të cilit nuk mund të ketë varësi në Këshillin e Ministrave, përveçse nga kryeministri. Cili ka qenë qëndrimi ynë? Kur unë u bëra kryeministër, ka pasur 23 institucione varësi e Këshillit të Ministrave. Unë kam hequr 12 nga Këshilli i Ministrave dhe i kam dërguar në varësi të institucioneve të tjera, por disa nuk mund t’i heqim. Konkretisht, statistikën kam dashur që në fillim ta vendos në varësi të Ministrisë së Financave, por me logjikë e kanë kundërshtuar partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk pranuan që ky institucion të varej nga Ministria e Financave, pasi vetë kjo Ministri është burim i materialeve që ky institucion përpunon dhe mbeti në Këshillin e Ministrave. Por ligji organik i Këshillit të Ministrave përjashton totalisht varësinë nga Këshilli i Ministrave, ka varësi vetëm te kryeministri. Ndaj, për shkak se edhe ata, edhe ne kemi bërë gabime dhe i kemi quajtur varësi e Këshillit të Ministrave, absolutisht nuk po i ndryshojmë emërtimin asnjë institucioni, por po korrigjojmë germën, për ta përshtatur me ligjin, që thotë në varësi të kryeministrit. Por edhe në rast se është varësi e Këshillit të Ministrave, sërish është varësi e kryeministrit që drejton Këshillin e Ministrave. Nuk mund të thotë kush se Drejtoria e Dokumenteve të Klasifikuara mund të varet nga Ministria e Kulturës, mund të varet plotësisht nga Ministria e Brendshme apo e Mbrojtjes, por ligji e lë në varësi të Këshillit të Ministrave, pra, të kryeministrit. U ndala tek këto çështje, për të thënë se platforma e neobllokut është vetëm bllokimi. Ata kërcejnë kur kryeministri u thotë bllokmenë të rinj, por çfarë t’u them, kur bëjnë gjithçka për të bllokuar Shqipërinë dhe vetëm për ta bllokuar?! Përse zgjedhin pikërisht këtë moment? Sot, zoti Rama doli e foli për Serbinë, por Shesheli ishte armik i egër i shqiptarëve, por nuk bënte kurrë përpjekje për t’i bllokuar Serbisë integrimin. Ai, në një urrejtje patologjike, ishte për t’i pjekur shqiptarët në hell, por nuk votonte në parlament kundër Serbisë dhe perspektivës së saj. Partia e Sheshelit dhe Sllobodanit janë edhe sot, aty, në parlament, por nuk votuan kundër asnjë reforme, siç bën ky grusht bllokmenësh të rinj që bllokojnë.      

Rajmonda Lajthia [Vizion Plus]: Mos vallë emri i ardhshëm për presidentin e Republikës  po mban peng mbledhjen e forumeve në PD për përzgjedhjen në postet drejtuese dhe nëse  ka ndonjë afat se kur mund të mblidhen këto forume?

Kryeministri Berisha: Asgjë nuk ka të vërtetë. Por a do të ishte e njerëzishme  që forumet e  PD-së të nxirrnin emrin e presidentit tani, në një kohë kur zoti Topi ka edhe disa muaj në detyrë. Nuk është çështja e qëndrimeve ndaj zotit Topi si person, por është çështja  e qëndrimeve ndaj presidencës si institucion dhe kjo nuk mund të bëhet. Në respekt të institucionit të presidencës, emri do të dalë dhe do të diskutohet atëherë kur e përcakton Kushtetuta. Kjo nuk do të ndodhë përpara, sepse  Kushtetuta e ka të përcaktuar afatin se sa  ata mund të bashkëjetojnë, d.m.th periudha e tranzicionit nga momenti  i zgjedhjeve deri në kalimin e pushtetit është një muaj. Dhe ky është qëndrim  i pandryshueshëm.

Rajmonda Lajthia [Vizion Plus]: Si i konsideroni hetimet e deritanishme për ngjarjet  e 21 janarit, në një kohë  që Prokuroria ka një akuzë publike dhe pretendon se ka fakte konkrete se Komandanti i Gardës  akuzohet për vrasjen e shtetasit Faik Myrtaj?

Kryeministri Berisha: Përsa i përket këtij problemi, lexo  gazetat çdo ditë, se si Prokuroria shet dosjen dhe dëmton hetimet. Kjo është një gjë jashtëzakonisht e rëndë dhe të garantoj se nuk ndodh kurrë, në ndonjë vend tjetër, përveçse në Shqipëri, ku me dosjet dhe materialet bëhet pazar. I shesin me lekë apo i shesin me politikë, këtë nuk e di. Ajo që di është se çdo ditë botohen gënjeshtra ose fakte nga dosja e hetimit dhe kjo është mënyra më e sigurt për të shkatërruar hetimin.

SCAN TV: Kur do të bëhet rritja e pagave dhe pensioneve e parashikuar në buxhet dhe në çfarë mase? Në  kuadër të kësaj, a do të merri një reformë të thellë pensionesh, nëse jemi një vit para zgjedhjeve?

Kryeministri Berisha: Rritja e rrogave dhe pensioneve do të bëhet në datën 1 korrik, sipas parashikimit. Është bërë çdo vit në datën 1 korrik, përveç  vitit 2009 që, për shkak të zgjedhjeve, u detyruam t’i afrojmë 2 muaj para, në mënyrë që të mos korrespondonin me ditët e zgjedhjeve. Ndërsa në rastet e tjera janë bërë  në datën 1 korrik. Rritja do të jetë në masën e parashikuar mbi indeksimin. D.m.th që të gjitha më shumë sesa indeksimi, por jo të gjitha në të  njëjtën masë, të ulëtat më shuma, të lartat më pak.

Reforma e pensioneve kërkon një konsensus më të  gjerë, pasi kjo është një reformë që bëhet minimumi për 40 vjet, por mund të shkojë edhe 50 vjet e më shumë, nëse e vendos në baza të drejta. Opozita është në linjën e bllokimit. Ajo është bërë sinonim i bllokimit, për shkak të origjinës nga blloku. A duhet që qeveria të lëvizë pa opozitën në  reformën e pensioneve? Jo, sepse kjo është një trashëgimi prej dekadash. Ndaj do të vijë viti 2013 dhe shqiptarët do të japin verdiktin përfundimtar ndaj bllokimit, sepse ata që mendojnë të marrin peng  qytetarët e vendit gabojnë shumë. Pastaj do ketë mundësi të shqyrtohet reforma e pensioneve. Ajo është e gatshme dhe pret  në sirtar dhe e kemi bërë me ekspertët më të mirë në botë, ekspertë të Bankës Botërore. Absolutisht, ekspertët më të mirë. Por opozita nuk do.

SCAN TV: A do të rishikohet buxheti për të blerë energji?

Kryeministri Berisha: Problemi më madhor, këtë vit, ka qenë problemi i energjisë, sepse në memorie, kjo është thatësira më e madhe. Në muajin shkurt, digat nuk kanë qenë kurrë, afër nivelit pothuajse zero. Edhe muajt e supozuar me kulmin e reshjeve, nëntori dhe dhjetori, kanë qenë të thatë pothuajse sa muajt qershor dhe korrik. Ndaj, ne jemi të detyruar të blejmë energji. Ne  jemi të gatshëm  të bëjmë  çdo lloj ndryshimi në buxhet, që të sigurojmë  furnizimin me energji. Ne besojmë se qytetarët shqiptarë nuk meritojnë errësirën. Ne besojmë se vendi i tyre nuk duhet t’i kthehet kurrë, viteve të errësirës. Dënimi kolektiv i tyre është absolutisht i papranueshëm. Ndaj, ne do të blejmë energji, pavarësisht nga çmimi, përsa kohë të gjejmë në treg. Dua të theksoj se ka pasur një moment të vështirë  dhe sërish nuk është zgjidhur, sepse kjo thatësirë nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por të gjitha vendet përreth. Thatësira ka cenuar thellë rezervat ujore në të gjitha vendet e rajonit. Nuk është se kjo nuk ndjehet, por do ta ndienim  shumë më tepër, në qoftë se kthenim terrin, një fenomen, nga i cili shqiptarët duhet të jenë ndarë njëherë e përgjithmonë. Edhe sot, ne po diskutonim për fonde të tjera për KESH-in,  për të blerë sasi të tjera energjie. Eshtë lënduese, por është jetike dhe e domosdoshme. Sikundër ju jeni dëshmitarë se për këtë qeveri, tre kanë  qenë përparësitë më absolute: Energjia, rrugët dhe mosha dixhitale. Dhe në të tria, Shqipëria ka lëvizur më shpejt se kurrë.

Merita Haklaj [ABC NEWS]: Keni pasur një  reagim zyrtar lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi, lidhur me atë që njihet fusnota. Por ky konkluzion është përcjellë me konfuzion. Sa realisht ka përfituar Kosova nga kjo marrëveshje, cili është komenti juaj  dhe sa e shihni këtë si një arritje të Kosovës?

Kryeministri Berisha: I përmbahem plotësisht asaj që kam deklaruar, me bindjen time më të thellë, se ai është  një akt i një rëndësie të veçantë, madhore, për Kosovën. Nuk them se aty nuk u bë një kompromis. Sigurisht që u bë një kompromis nga të dyja palët. Por të jemi të drejtë. Të dy palët e kanë bërë këtë kompromis për të njëjtin qëllim, për të cilin, në vlerësimin tim, ia vlen shumë. E kanë bërë për rrugën europiane, për të garantuar të ardhmen e tyre në Europë. Kosova pranoi fusnotën dhe do të jetë e gabuar të mendohet se e pranoi ngushtësisht për marrëdhënie bilaterale me Serbinë, ose vetëm për marrëdhënie bilaterale me Serbinë. Fusnota ishte e domosdoshme për Kosovën, sepse pesë vende anëtare të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo është e vërteta më e madhe. Pa votën e këtyre 5 vendeve, hapat e Kosovës drejt BE-së, për të mos thënë janë të pamundura, janë shumë të vështira, për mekanizmin e funksionimit të Bashkimit Europian. Pra, nuk është  Serbia dhe marrëdhëniet me të qëllimi i parë. Këtu ka diçka shumë më madhore, që ka të bëjë me perspektivën europiane të Kosovës, me gjetjen e një mekanizmi për të zbutur pengesën që del nga mosnjohja nga këto 5 vende, të cilat kanë faktuar se, ndonëse nuk e kanë njohur, nuk  kanë mbajtur qëndrime tërësisht bllokuese, kanë mbështetur Eulex-in, disa prej tyre në një formë a një tjetër kanë qenë në Kosovë, kanë rënë dakord për liberalizimin e vizave. Unë e kuptoj se më e mira do të ishte të mos kishte asnjë fusnotë dhe Kosova të ishte e njohur nga 150 vende, të ishte njohur nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, por realiteti  është ky që është dhe në kushtet që është, me fusnotën, Kosova pranoi të mos citohet direkt deklarata e Pavarësisë, por të citohet në kuadrin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare dhe është absolutisht e njëjta gjë. Madje e cituar në kuadrin e GJND-së, e cila ka gjykuar nëse është legale apo jo Deklarata e Pavarësisë, në një farë mënyre citohet legjitimimi ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës. Ndaj këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj cenimi, në krahasim me atë që u kërkua. Për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët  që duan që rruga europiane të ecë dhe ta shohin të ardhmen europiane të Kosovës, si të ardhmen më të mirë, kjo marrëveshje është një marrëveshje qartësisht pozitive dhe e rëndësishme. Ka  edhe më shumë se kaq. Edhe Serbia ka bërë kompromis dhe kompromisin e ka bërë jo për hir të Kosovës, por e ka bërë vetëm për hir të perspektivës europiane të saj. Serbia, për të larë duart me qëndrimet e veta kërkonte të vihet në fusnotë, rezoluta 1244, e cila nga vetë thelbi i marrëveshjes është rrëzuar katërcipërisht. Lexoni rezolutën. Ajo është tejkaluar në të gjitha nenet. Ka pasur vetëm një nen që i funksiononte rezolutës dhe ky ishte neni i përfaqësimit të Kosovës nga UMNIK-u, i caktuari i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Faktikisht, duke  e futur në fusnotë rezolutën, Serbia e rrëzoi atë, sepse Kosova nuk do të përfaqësohet më  nga përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm, por do të përfaqësohet nga përfaqësuesit e popullit të saj, kryeministri, presidenti dhe ministri i Jashtëm. Kjo është marrëveshja dhe po dal te një koment shumë i drejtë që bëri Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton, e cila tha: Kjo do të ndihmojë njohjet e mëtejshme të Kosovës. Për çdo njeri që analizon, Serbia  po ulet me Kosovën si e  barabartë mes të barabartëve. Ajo ka vendosur një  fusnotë pa kokë, pasi ia hoqi kokën që kur pranoi që të mos jetë përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm, por përfaqësuesi i Kosovës. Kështu, faktikisht, edhe të vetmin nen të asaj rezolute që kishte mbetur gjallë, e varrosën. Këtë, qeveria Serbe e ka shumë të qartë, por e bëri për  hir të integrimit europian. Marrëveshja, nga ana tjetër, i jep mundësi vendeve anëtare të BE-së  që nuk e kanë njohur Kosovën që, atë  që  pranon Serbia, ta pranojnë edhe ata, të mos kenë asnjë lloj vështirësie për të pranuar Kosovën si shtet. Në këtë rast, ndodhi që Serbia thotë nuk njoh Kosovën e pavarur, por e pranoi Kosovën e pavarur. Ndaj, unë shpresoj dhe besoj që qytetarët e Kosovës të kuptojnë se kjo marrëveshje, në kushte reale, është absolutisht interesi më i mirë i tyre. Kjo marrëveshje nuk vendos vetëm bashkëpunimin rajonal, por hap rrugën reale të integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian. Premtimi që u bë nga zonja Ashton dhe komisioneri Fule është real, do të bëjnë fizibilitetin. Unë them se ajo ka qenë një marrëveshje e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin. Në këtë rast, i gjithë rajoni ka një perspektivë më të madhe europiane.

Merita Haklaj [ABC NEWS]: Lidhur me gazsjellësin Transadriatik. Ju keni thënë se do të loboni fuqishëm që ky gazsjellës të miratohet, cili do të jetë aktiviteti juaj në vijim?

Kryeministri Berisha: Prej 20 vitesh, në Europë nuk është diskutuar më shumë në gjeopolitikë dhe gjeostrategji, sesa për gazsjellësit. Dihet që gazsjellësit kryesorë janë në veri, nga Rusia dhe Norvegjia. Jugu i Europës ka probleme serioze me gazin. Ka disa projekte, më kryesori është NABUKO, i cili duhet të ketë një kapacitet prej 34 metër kub në sekondë. Projekte të tjera janë Rryma e Jugut, IGTI-ja, TAP-i, tani ka dalë edhe një tjetër  NABUKO-leight. Nga këta, dy projekte i interesonin Shqipërisë më shumë: TAP-i, i cili kalon në territorin e Shqipërisë dhe përfundon në Itali, që sigurisht është më me interes se gjithë të tjerët, por duhet të pranojmë që edhe IGTI-ja jo që në fillim, por më vonë parashikoi degë për Shqipërinë, mbas shumë përpjekjeve dhe qëndrimeve tona që ishim by pass-uar në mënyrë të paarsyeshme, për aq sa jemi ne treg, se edhe ndonjë treg i madh nuk jemi. Burimi më i sigurt i gazit është fusha e Shah Deniz 2 e Kaspikut. Më tej ka fusha të tjera si e Turkmenistanit e vende të tjera, por Shah Deniz 2 është burimi më i sigurt, i eksploruar nga konsorciumi i përbërë nga SOKAR, kompania e Azerbajxhanit, STATOIL e Norvegjisë, BRITISH OIL e Britanisë së Madhe. Ky konsorcium ka shpallur para disa muajsh tenderin dhe ka ftuar konsorciumet që kanë marrë përsipër të ndërtojnë gazsjellës të ofrojnë projektet e tyre. Në vendimin e parë, ky konsorcium ka përjashtuar IGTI-në dhe në garë kanë mbetur edhe tre të tjerë: NABUKO, NABUKO-leight dhe TAP-i. Të tria këto projekte janë në garë dhe të presim se cili do jetë projekti përfundimtar, por e vërteta është që TAP ka shanse më reale, për shumë arsye. TAP është më pak i kushtueshëm, për momentin TAP ka kalibrin më të përshtatshëm për sasinë e gazit, TAP ka gjithashtu trajektoren ku gazi është më i nevojshëm, Italinë, Greqinë dhe pastaj mund të shkojë me një degë drejt veriut, pra, nga Shqipëria drejt Ballkanit sipër në veri. Nga viti 2006 deri më sot, qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje, në rolin e saj modest. Këtu kryqëzohen interesa shumë herë më madhore e me peshë specifike më të madhe se të Shqipërisë, e cila në këtë mes ka një avantazh absolut, pozicionin gjeografik, qoftë për të kaluar në drejtim të Italisë, qoftë për t’u bërë një epiqendër shpërndarjeje nga Ballkani drejt veriut. Natyrisht, ajo çfarë kemi pasur mundësi për të bërë për këtë projekt, ne nuk e kemi kursyer gjashtë vite me radhë. Vendimi nuk është përfundimtar, është përjashtuar një nga projektet, IGTI-ja, por të tjerët janë në përzgjedhje. Në rast se përzgjidhet TAP, ne jemi shumë të vendosur të plotësojmë çdo kusht të kësaj marrëveshjeje shumëpalëshe, pasi është shumëpalëshe, ne jemi një segment i vogël i këtij tregu të madh. Por e lidhur ose jo me TAP, projekti ynë më madhor për mandatin që vjen është gazifikimi i Shqipërisë. Ky është një vendim i prerë, përfundimtar. Katër vitet që vijnë, ne u premtojmë shqiptarëve, gazifikimin, çka do të thotë një ndryshim cilësor në jetën e çdo familjeje shqiptare, për aq sa ka peshë në financat e tyre ngrohja dhe gatimi, pasi gazi është shumë më i lirë sesa energjia. Ne po përgatitemi për të bërë masterplanin e gazifikimit. Gazifikimi është fizibël në çdo forme, qoftë edhe gaz i lëngshëm, d.m.th ta marrësh e ta kthesh në gaz, ta gazifikosh edhe një herë. Ia vlen! Forma më jo ekonomike është kjo që kemi sot, pa gaz. Ne do të bëjmë me çdo kusht, gazifikimin e vendit.

Anduela Gega [ORA NEWS]: Duke ju rikthyer zhvillimeve politike në Shqipëri, të paktën që nga dita e sotme është rikthyer ngërçi politik që lidhet në fakt, me proceset integruese të Shqipërisë. Ju e keni thënë shumë herë që këtë çështje do ta zgjidhin shqiptarët, por kjo nuk është në fakt një çështje që u përket shqiptarëve, pasi vullneti i shqiptarëve dihet në këtë rrugë, por është një çështje e vullnetit politik. Marr shkas këtu edhe nga Serbia, ku ka ecur tashmë përpara në proceset integruese, duke bashkëpunuar. Nuk e di si mund të zgjidhet kjo çështje, duke mos ua lënë në dorë shqiptarëve?

Kryeministri Berisha: Do të ishte me shumë interes që si media të bënit një studim, të shkoni në Beograd, në Sarajevë, në Podgoricë dhe kudo. Në qoftë se gjeni tjetërkund një opozitë që nuk voton reformat për integrimin europian, përveçse në Shqipëri, atëherë tezat e mia bien, se ideja se këtë e bëjnë për psikologjinë e bllokut dhe për bllokun është e gabuar. Por nëse nuk është, atëherë kjo është unike dhe ka vetëm këtë shpjegim. Kur them 2013-ta, këtë e them me seriozitetin më të madh. Çfarë ndodhi këtë javë me një proces që po ecte, jo në mënyrë të shkëlqyer, por po ecte normalisht dhe papritur u bllokua në të gjithë drejtimet? Kjo, sepse këtë javë, në Bruksel bëhen mbledhje për të vlerësuar reformat në vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Europian. Dhe jo vetëm kaq. Edi Rama, i cili dy vjet rresht provoi se duke bllokuar votimin, bllokon statusin, po vazhdon të mbetet po ai. Edhe kur ishte kryetar bashkie, edhe kur humbi si kryetar bashkie. Edhe një herë e theksoj se edhe unë, po të isha në Bruksel, absolutisht nuk do votoja për një vend, në të cilin opozita nuk i voton reformat. Nuk po  them disa biseda private, por po i referohem Konicës: “Zoti e ruajt Shqipërinë, nga shqiptarët”. Disa herë, interlekutorët e mi kryesorë kanë thënë si ka mundësi që ky njeri i bën vendit këtë gjë. Nëse ju thoni si mund të pranojnë këta zotërinj që vendi të ndëshkohet për shkak të një njeriu, ju them se është shumë e thjeshtë. Këta presin verdiktin e shqiptarëve, sepse çfarë do t’u thonë ata qytetarëve të tyre nesër, në rast se shqiptarët do të votonin Edi Ramën. Nuk mund të rrezikojë kush, për hirin tonë. Prandaj, shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë këtë problem. Ka një bllokim dhe ka një njeri, i cili në çdo moment e në çdo rast bëri gjithçka për të bllokuar vizat. Atëherë, ata nuk e dëgjuan, sepse ajo ishte një gjë që rëndonte në lëkurën e çdo qytetari dhe u faktua se nuk gabuan që nuk e dëgjuan. Po ashtu, refuzoi dy vjet rresht, atë që pranoi në fund dhe atë që e pranoi, e bllokoi javën që në Bruksel do të bëhet vlerësimi për procesin e ecurisë së reformave, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rezulton që në Shqipëri, raportohet se reformat janë bllokuar. Absolutisht, zgjidhje tjetër, përveç zgjedhjeve të qershorit  2013, unë personalisht nuk shoh. Do të bëj gjithçka që të bashkëpunoj me opozitën, por zoti Rama është ky që është. Sot, për të hedhur poshtë kompromisin dy mujor që u bë, nxori nga mënga nenin që nuk e ka as Kim Il Jungu, nuk e kishte as ati i tij shpirtëror, nenin e dënimit kolektiv. Klikoni në Kodet Penale të botës dhe gjeni një Kod që ka dënimin kolektiv. Ata e sollën sot, në mbledhje, madje duke ofenduar njëri-tjetrin, por urdhri është urdhër dhe ata e zbatuan, edhe pse e dinë, e kanë shumë të qartë marrëzinë që bëjnë. Shqiptarët e meritonin statusin në vitin 2010, por nuk jua dhanë për shkak të tij dhe u bë e qartë, e meritonin në vitin 2011, nuk jua dhanë po për shkak të mos votimit të reformave, e meritojnë në vitin 2012, por nuk jua japin, sepse ai nuk voton reformat. Atëherë, u përket shqiptarëve ta zgjidhin në mënyrën më të vendosur.   

Anduela Gega [ORA NEWS]: Do t’i referohem drejtuesit të aleancës Kuq e Zi, i cili të paktën dy ditët e fundit ju ka akuzuar ose ka folur ashpër për ju, duke ju cilësuar si antishqiptar dhe ka kërkuar të zbardhet edhe biseda me Samaras dhe ka deklaruar që do t’ju çojë në minorancë, pas zgjedhjeve të 2013-s?

Kryeministri Berisha: Aleancë portokalli apo Faqe Zi.

Ilirjan Agolli [VOA]: Kam një pyetje për gjëra që kanë ndodhur apo po ndodhin. Mesnata do jetë sërish me temperatura të ulëta, më shumë se 1/3 e Shqipërisë është goditur nga bora. Më tepër se 1/3 e rretheve janë goditur nga kjo katastrofë natyrore. Ju thatë në komunikimin e fundit se zonat e emergjencës po reduktohen dhe sipas kësaj, duhet të kemi edhe një faturë përfundimtare, sa ishin shpenzimet e përballimit të kësaj emergjence, sa fonde i dedikuat ju nga rezerva shtetërore kësaj emergjence të popullatës?

Kryeministri Berisha: Fatura përfundimtare nuk është e qartë ende. Janë angazhuar fondet e parashikuar për të gjithë vitin, për mirëmbajtjen e rrugëve që kanë qenë rreth 12 milionë dollarë, janë mobilizuar fonde, të cilat janë përdorur për hapjen e rrugëve kombëtare dhe rurale. Ndërsa për hapjen e rrugëve komunale që lidhin fshatrat me qendrat e komunave janë mobilizuar fonde të tjera rreth 40 milionë lekë, në dorën e parë, mund të jenë lëvruar të tjera nga Ministria e Brendshme, janë lëvruar me dhjetëra e dhjetëra tonelata ndihma dhe vazhdojnë të lëvrohen, se përsëri janë një numër fshatrash të rrethuar realisht nga 3 metra dëborë. Sipas kërkesave që bëjnë kryetarët e komunave, ne përpiqemi të shpërndajmë ndihma në ushqime dhe medikamente. Fatura përfundimtare nuk është e qartë akoma, por ajo që është e sigurt është se ne do mobilizojmë gjithçka, për t’u dhënë ndihmën e duhur. Megjithëse do jetë ftohtë edhe këto dy tre ditë dhe më pas, pritet njëlloj përmirësimi i lehtë i kohës.

Elona Meço [TCH]: Zoti Kryeministër, t’i kthehemi edhe njëherë situatës politike A keni informacion që nga grupi juaj parlamentar mund të iki edhe ndonjë deputet tjetër me partinë që pritet të drejtohet nga Presidenti Topi, pas korrikut dhe që do të shpallet në fund të muajit mars? Si i keni bërë llogaritë që votat e elektoratit tuaj të mos ndahen me partinë e zotit Topi, e cila ka deklaruar që do jetë e qendrës së djathtë?

Kryeministri Berisha: Partia që votoi për Edi Ramën?! Edhe i vëllai i Presidentit, Flamuri, ka votuar për mua dhe do të votojë për mua. Çfarë problemi mund të kem unë! Merreni në telefon, po nuk ju tha që kam votuar dhe do të votoj për Sali Berishën. Është vëllai i madh i tij. Kjo që thashë i përmbledh të gjitha. Kjo e tejkalon grupin dhe të gjitha.

Anila Basha [Shqiptarja.com]: Ju thatë që zoti Rama ka probleme të mëdha me realitetin e sotëm, ndërkohë po citoj zotin Besnik Mustafaj, një ish bashkëpunëtorin tuaj më të afërt, i cili deklaroi se zoti Berisha është shkëputur me tepri nga realiteti. Cila është e vërteta, në fakt, pas kësaj?

Kryeministri Berisha: Nuk ke bërë zgjedhjen e duhur, ke bërë zgjedhjen e gabuar, sepse Besnik Mustafaj po ta kesh ndjekur nuk ka mohuar kurrë që është shkrimtar. Shkrimtarët kanë realitetin e tyre dhe prandaj janë shkrimtarë, përndryshe do ishin si ne të tjerët. Ndaj nuk more argumentin më të mirë. [Ndërhyrja e gazetares] Këtë nuk e mohova, por ju nuk po thoni se ai foli për orientimin tim politik. Ti kape vetëm temën e realitetit dhe shkrimtari, për të qenë shkrimtar, ka perceptimin e tij. Aty e ka frymëzimin, po ia hoqe, ai bëhet si të tjerët.

Anila Basha [Shqiptarja.com]: Pyetja tjetër ka të bëjë me një prej viktimave të 21 janarit, me Hekuran Dedën. Janë pikërisht vëllezërit e tij që kanë denoncuar edhe publikisht, për një lloj trataktive tuajën për të hyrë në shtëpinë e tyre, madje ka pasur dhe kërcënime. Ka dhe një kërcënim, i cili është bërë publike dhe në gjykatë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›