E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Privatizimi, shtyllë kryesore e reformave ekonomike që synon eficencë menaxhuese më të mirë

Kryeministri Berisha u ndal sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave tek disa vendime të rëndësishme që lidhen me privatizimin e HEC-ve të Matit dhe Bistricës.

Duke e cilësuar privatizimin, si shtyllë kryesore të ekonomisë, që synon një eficencë menaxhuese më të mirë, kryeministri theksoi se rritja e eficencës dhe konkurrueshmërisë  është sot, kusht i të gjitha kushteve për të mbajtur rritjen ekonomike, për të përballuar krizën e zgjatur që ka pushtuar Evropën dhe një pjesë të madhe të vendeve të botës.

Duke theksuar se privatizimi ka dhe një qëllim tjetër po kaq madhor, luftën kundër korrupsionit dhe se ky duhet të mbetet një qëllim dhe një qëndrim konstant i kësaj qeverie, kryeministri u shpreh se ky proces është dëshmi e ecurisë së pandalshme të reformave, në të gjitha fushat, të cilat afrojnë Shqipërinë më shumë me BE.

Kryeministri theksoi se qeveria do të vazhdojë pa u ndalur në rrugën e saj drejt reformave integruese për vendin, ndonëse kryetari i Opozitës, zoti Edi Rama ka zgjedhur si moto të tijën, politikën e bllokimit. “Kryetari i PS, zgjodhi kohën dhe momentin për tu vërsulur egërsisht edhe njëherë, në traditën e një trashëgimie, të papajtueshme me integrimin, javën që shqyrtohej ecuria e reformave, shpalli bllokimin për reformën zgjedhore, në një kohë që nuk kishte vendosur në tavolinë qoftë edhe një amendament të vetëm, që ishte hedhur poshtë; shpalli bllokimin e reformës të rregullores së parlamentit në një kohë që kishte paraqitur të gjithë kërkesat që i kishte rrëzuar vetë në marrëveshjen e firmosur në parlament për rregulloren.” Por - vijoi kryeministri-  ne do të vazhdojmë reformat, do të vazhdojmë përpjekjet për të arritur standardet në të gjithë fushat."

Në fjalën e tij për këtë çështje, kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot, kemi një seri vendimesh dhe ligjesh. Do të thosha se ndër më të rëndësishmet janë vendimi për privatizimin, për nxjerrjen në treg të HEC-ve të Matit dhe Bistricës. Në reformën tonë ekonomike, privatizimi ka qenë dhe mbetet shtyllë kryesore, i cili synon para së gjithash një eficencë menaxhuese më të mirë. Rritja e eficencës ekonomike dhe konkurrueshmërisë është sot, kusht i të gjitha kushteve për të mbajtur rritjen ekonomike, për të përballuar krizën e zgjatur që ka pllakosur Evropën dhe një pjesë të madhe të vendeve të botës.

Ky privatizim është përgatitur me shumë kompetencë dhe angazhim të korporatës financiare ndërkombëtare që është degë e BB, dhe që është IFC. Por privatizimi ka dhe një qëllim tjetër po kaq madhor, luftën kundër korrupsionit dhe ky duhet të mbetet një qëllim dhe një qëndrim konstant, permanent i kësaj qeverie. Dy ditë më parë, para mediave u hapën oferta teknike të kompanive, ndër më seriozet në Evropë dhe në botë të koncesionit për mirëmbajtjen e autostradës, rrugës së Kombit dhe kjo përbën një arritje të rëndësishme. Mirëmbajtja e saj është tërësisht jashtë kapaciteteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, por të jemi realist mirëmbajtja e saj është gjithashtu aftësi e kompanive të mëdha me traditë në mirëmbajtje, ndaj edhe ky proces është dëshmi e ecurisë së pandalshme të reformave në të gjitha fushat. Të gjitha këto afrojnë Shqipërinë më shumë me BE.

Vërtetë kryetari i PS, i cili zgjodhi kohën dhe momentin për tu vërsulur egërsisht edhe njëherë, në traditën e një trashëgimie, të papajtueshme me integrimin, javën që shqyrtohej ecuria e reformave, shpalli bllokimin për reformën zgjedhore, në një kohë që nuk kishte vendosur në tavolinë qoftë edhe një amendament të vetëm, që ishte hedhur poshtë; shpalli bllokimin e reformës të rregullores së parlamentit, në një kohë që kishte paraqitur të gjithë kërkesat që i kishte rrëzuar vetë në marrëveshjen e firmosur në parlament për rregulloren. Shpalli bllokimin e Kodit dje, pasi kërkoi vendosjen e një neni të dënimit kolektiv, i cili nuk ekziston në asnjë Kod në planet sot. Përdor si mercenarë deputetë të tij, të cilët shihen me përçmim nga kolegët socialistë për nismat  e tyre absurde të neneve të dënimit kolektiv. Natyrisht këto nuk janë ato që partnerët tanë presin nga Shqipëria, por qëndrimi ynë është që ne do të vazhdojmë pandërprerë reformat në të gjithë fushat, ku Edi Rama nuk mund të bllokojë. Nuk e bllokon dot procesin e transparencës. Mund të bllokojë heqjen e imunitetit, ndonëse dua të informoj shqiptarët se marrëveshja për heqjen e imuniteteve në Shqipëri është firmosur nga qeveria socialiste në vitin 2004. Por mëkatarët kanë frikë të heqin imunitetet. Ka frikë të heqë imunitetin, vetëm ai që ka frikë nga vetja e tij. Ai kërkon mburojë. Këtë betejë ne do ta vazhdojmë, pra ne do të vazhdojmë reformat, do të vazhdojmë përpjekjet për të arritur standardet në të gjithë fushat. Natyrisht, aty ku zoti Rama i thur himne Serbisë se e mori dhe se mori Shqipëria sepse zoti Rama bllokon vetë, ne, këtë çështje do jua lëmë shqiptarëve ta zgjidhin. Siç i dhanë një përgjigje ne 8 maj, do ti japin edhe në qershor të vitit të ardhshëm dhe do të ndahen njëherë  e përgjithmonë nga kultura e bllokimit të bllokmenëve të rinj, ose antikultura. Ai mendon se shqiptarëve mund tu thotë ç’të dojë, njësoj si etërit e tij. Ai mund tu thotë shqiptarëve se “dita është natë” dhe “nata është ditë”. Edhe pse dalin dy, tre  elemente që sjellin në parlament amendamentet e turpit, të dënimit kolektiv, kujton se ai është realiteti shqiptar. Në të vërtetë, realiteti shqiptar është krejt tjetër.

Ka gjetur një moment për të përdorur ligjet dhe vendimet  me tre të pestat për të bllokuar, në parlament. Por absolutisht, në çdo ditë që kalon, kohërat  e tij në politikë shkurtohen dhe ai po përgatit disfatën më të thellë, që ka njohur njeri, gjatë 22 viteve të fundit. Është e paimagjinueshme që të ngrihet njeriu, në prag të javës së vendimeve dhe të shpallë se u bllokuan të gjitha ato, që në një farë mënyre po ecnin. Por ai doli ashtu siç është, jo në atë foto, por në shpirt. E panë shqiptarët edhe njëherë, siç e panë në prag të liberalizimit të vizave, siç e panë dy herë për statusin, e panë dhe këtë javë, kur nuk ishte se Shqipëria do të  vendosej për të marrë statusin, por Shqipëria do të vlerësohej për hapat seriozë që bëri, por për zotin Rama, Shqipëria nuk duhej të vlerësohej sepse vlerësimi i Shqipërisë është rrënimi sipas tij, i karrierës së tij politike. Sepse ai, në konceptet e tij, si pinjoll i bllokut, karrierën mund ta ndërtojë ose mbi fatkeqësitë natyrore, ose mbi bllokimin, karrierë tjetër  ai nuk mund te ketë. Pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë reformat me përkushtim të madh, ndaj dhe çdo detyrim që rrjedh nga obligimet  e kërkesave të KE dhe që janë në tagrin e ministrive dhe agjencive do të kenë përparësi absolute dhe jo vetëm ato të 12-ta.

Gjithçka tjetër që është përcaktuar dhe përshkruar si kërkesë në raport, ne nuk do të lëmë përpjekje pa bërë për ta realizuar, edhe pse një njeri del dhe këndon se bllokova vendin tim, duke sjellë në parlament amendamente që nuk i kanë sjellë as edhe elementët me fondamentaliste, më ekstremistë në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër në botë.


29/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›