Presidenti Topi merr pjesë në ceremoninë e dorëzimit të diplomave në përfundim të Projektit mbarëkombëtar të OSBE-së mbi rritjen e rolit të grave në qeverisje

8 prill 2011
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të diplomave në përfundim të Projektit mbarëkombëtar trevjeçar të OSBE-së për rritjen e rolit të grave në qeverisje: “Rritja e kapaciteteve të grave kandidate në funksion të zgjedhjeve vendore 2011”, e cila u zhvillua në ambientet e “Hotel Sheraton” në Tiranë. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfart, Zëvendësambasadorja e Suedisë, Brita Olofson, njëkohësisht Drejtore e Agjensisë Ndërkombëtare për Zhvillim e Bashkëpunim, Zëvendësdrejtues i Misionit dhe njëkohësisht Zëvendësambasadori i Mbretërisë së Hollandës, Hans Teunisen, si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.
Ceremonia nisi me fjalën e Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, i cili e vuri theksin tek rëndësia e pjesëmarrjes së grave në proceset zgjedhore dhe e rritjes së numrit të tyre në politikë, çka do të duhet të tregohet edhe tani në zgjedhjet e afërta lokale, pasi nismat për forcimin e rolit të grave në shoqëri janë tregues për proceset integruese të Shqipërisë në familjen evropiane dhe përcaktues në përmirësimin e cilësisë së qeverisjes dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Ndërsa vlerësoi lart rolin e rëndësishëm dhe mbështetjen e fuqishme e të vazhdueshme të Presidentit Topi në realizimin dhe përfundimin me sukses të këtij projekti, por dhe të mjaft nismave të tjera, Ambasadori Volfart nënvizoi se projekt trevjeçar mbarëkombëtar, me pjesëmarrjen e një numri të madh zonjash nga rrethe të ndryshme të vendit, ka si synim realizimin për përfshirjen e sa më shumë grave në politikë në zgjedhjet vendore e parlamentare, si për kryetare bashkie e komunash, për anëtare të këshillave bashkiake, ashtu dhe për deputete, ose për një pjesëmarrje të tyre në masën 30 përqind, siç e parashikon Kodi Zgjedhor.
Me këtë rast, në fjalën përshëndetëse Presidenti i Republikës u shpreh:
“I nderuar zoti Ambasador,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të nderuara Zonja deputete,
Të nderuara Zonja
Të nderuar Zotërinj!
Kam kënaqësinë e veçantë të rishpreh bashkë me ju vlerësimin e lartë personal dhe institucional për nismën tuaj në funksion të rritjes së përfaqësimit politik gjinor në Shqipëri. Ky aktivitet pason një sërë veprimtarish promovuese dhe mbështetëse në kuadër të OSBE-së, Institutit Demokratik Amerikan, Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të tjera aktive në vendin tonë.
Tema e përfaqësimit gjinor në vendimmarrje është aktuale dhe me shumë rëndësi veçanërisht për Shqipërinë. Ne vijmë nga një trashëgimi problematike e së kaluarës, nga regjime ku gratë përdoreshin si dekor propagandistik, ku në emër të barazisë ato kryenin punë nga më të rëndat dhe ku nuk mund të flitej për rol vendimmarrës. Në fillim të proceseve demokratike përfaqësimi gjinor ishte tabu, partitë krijuan një mjedis të ashpër konkurrimi, ku hapësira për gratë politikane ishte fare minimale.
Gjatë këtyre 20 viteve kemi kaluar nga ky përfaqësim simbolik, në një legjislacion më të plotë të barazisë gjinore, dhe mbi të gjitha, në një nivel të ri ndërgjegjësimi për rolin dhe rëndësinë e përfaqësimit real gjinor në të gjitha strukturat vendimmarrëse. Ne tashmë kemi një përvojë të pasur të përfaqësimit politik, kemi një bilanc me arritje, por edhe me probleme, kemi kaluar në fazën e konkurrimit dhe përzgjedhjes midis shumë emrave me merita dhe kontribute politike. Në çdo aspekt të veprimtarisë shoqërore, në biznes apo në jetën universitare, në media apo në shoqërinë civile ne kemi tashmë konkurrencë pozitive dhe bilanc pozitiv të drejtimit nga gra dhe vajza.
Personalisht, në ushtrimin e funksionit të Kryetarit të Shtetit, jam përpjekur të mbështes rritjen reale të përfaqësimit gjinor. Brenda kompetencave të mia kushtetuese dhe kritereve ligjore kam arritur të promovoj një numër të madh grash profesioniste në poste drejtuese, qoftë në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, nivelet e tjera të gjykatave, në shërbimin diplomatik, në institucionet kushtetuese me lidhje funksionale me Presidentin, si edhe në vetë stafin tim politik. Jo rastësisht ne jemi ndoshta vendi i vetëm në Evropë ku drejtuesit nominalë të Gjykatës së Lartë dhe të institucionit të Prokurorisë janë gra, të cilat janë njëherësh edhe të parat gra drejtuese në këto institucione në gati një shekull të shtetit shqiptar.
Ky realitet i ri dhe premtues lidhet direkt edhe me rritjen e nivelit të funksionimit dhe maturisë së demokracisë. Sot nuk ka më paragjykime gjinore, nuk ka vullnete politike mbi bazë gjinore, nuk ka diskriminim publik dhe as politika e praktika administrative e ligjore që pengojnë barazinë gjinore. Ajo që ende ekziston dhe që fatkeqësisht, ende përbën një pengesë publike është diferenca midis nivelit qytetar dhe gjinor të shoqërisë me sjelljen dhe interesat elektorale të partive politike. Shikoni listat e kandidatëve për kryetarë të njësive vendore apo për këshilltarë në rang bashkie dhe komune. Fatkeqësisht, kemi një kontrast të thellë midis premtimeve të partive politike për rritjen e pranisë së grave në vendimmarrjet politike dhe listave zyrtare të kandidatëve. Kontrasti është i dukshëm, sidomos në kandidimin nominal për kryetarë njësie. Numri i kandidatëve femra është fare minimal. Kjo do të thotë se partitë ende nuk e kanë shndërruar në kulturë sjelljeje barazinë dhe përfaqësimin gjinor; ende gratë shihen kandidate jo të sigurta në një mjedis politik agresiv, ku fatkeqësisht, jo gjithnjë votohet për programet dhe vlerat e kandidatëve.
Kjo sigurisht është një shenjë negative, e cila duhet të na nxisë edhe më shumë për të vijuar së bashku përpjekjet për ndërgjegjësimin e aktorëve politikë dhe opinionit publik mbi nevojën e barazisë reale gjinore. Ndofta për këtë do të duhet të ketë përmirësime të reja ligjore për të mos lejuar dy standarde, kandidim pa kritere për zgjedhjet mazhoritare dhe kandidim me kuota të detyrueshme për listat proporcionale. Dhe për më tepër, për të korrigjuar legjislacionin në ato nene ku sanksionohen kuota të detyrueshme kandidimi, jo kuota të detyrueshme përfaqësimi në listat fituese.
Rritja e pranisë së grave në vendimmarrje kërkon edhe një reflektim pozitiv të vetë grave dhe strukturave të tyre përfaqësuese në partitë politike, në parlament dhe në forumet e tyre. Kur në vitin 2009 ne patëm një rritje të numrit të grave deputete, të gjithë pritëm e besuam në një rol të tyre aktiv në uljen e konfliktualiteti politik, rritjen e shanseve për dialog dhe krijimin e një klime më bashkëpunuese politike. Fatkeqësisht bilanci i deritanishëm ka qenë gati zhgënjyes. Nga tonet e deklarimeve, sjellja politike, retorika parlamentare apo nga konceptet e përfaqësimit, nuk kemi parë ende një diferencë pozitive midis përfaqësimit mashkullor dhe femëror parlamentar. Kjo situatë është e nevojshme të ndryshojë. Gratë politikane duhet të jenë shembull për shoqërinë, të shërbejnë si katalizator për rritjen e natyrshme të përfaqësimit cilësor e sasior të grave, jo të jenë statike apo akoma më tej, të jenë imituese e sjelljeve tradicionale parlamentare apo pengesë për vetë promovimin e grave në karrierë politike. Ky është një drejtim, për të cilin ju keni ende një rol thelbësor, dhe në përmbushjen e të cilit keni e do të keni edhe më tej mbështetjen time dhe besoj, të shumicës qytetare në këtë vend.
Të nderuara zonja,
Në kujtesën tonë historike një grua si Musine Kokalari ka zënë vend si politikane dhe intelektuale e kalibrit të lartë, disidente dhe figurë frymëzuese politike, një zonjë që me veprimet, idetë dhe aktivitetin e saj ka fituar admirimin e të gjithë brezave. Unë kam pasur fatin e madh që në vitin e parë të mandatit tim ta vlerësoj atë me dekoratën më të lartë, “Nder i Kombit”. Shembuj të tillë, edhe në një shoqëri pa traditë gjinore, janë modele frymëzimi për kurajo dhe angazhim, për konkurrencë dhe përpjekje në mbrojtjen e ideve politike, por edhe një tregues se kjo shoqëri, edhe në ditët e saj më të vështira, ka arritur të nxjerrë prej saj kolose të mendimit politik e letrar. Le të frymëzohemi prej modelit të saj për të krijuar një mjedis ku njeriu vlerësohej dhe vlerësohet prej asaj çfarë ka dhe përfaqëson, nga aftësia e vlerat, pa vija të bardha kufizimi në gjini, besimi apo krahine. Për të arritur këtu duhet që nisma si kjo e juaja të mbështeten fort, sepse kuotat dhe legjislacioni nxitës gjinor janë një hap i domosdoshëm për të arritur aty ku duam.
Aktiviteti i sotëm vjen në ditën e parë zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore. Është rasti dhe momenti të ritheksoj rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për qytetarët dhe institucionet vendore, të apeloj aktorët politikë për sjellje qytetare dhe të përgjegjshme dhe së bashku të japim të gjitha kontributet e kërkuara për ta shndërruar këtë datë në një zhvillim pozitiv për vendin. Palët politike duhet të trajtojnë dhe të ofrojnë zgjidhje për problemet që lidhen me të gjithë qytetarët, të ndihmojnë që zgjedhjet të ofrojnë zgjidhje, pra që votuesit të ushtrojnë me cilësi sovranitetin e tyre për pushtetin vendor. Ftoj me këtë rast të gjitha gratë e vajzat dhe bashkë me to, të gjithë qytetarët të përfshihen në proces dhe të përmbushin detyrën kushtetuese e qytetare për pjesëmarrje sa më masive në votime.
E kam vlerësuar në mënyrë të veçantë të gjithë impenjimin tuaj real, jo për të qenë thjesht analizuese të situatës, por edhe për të dhënë propozime, për t’iu drejtuar institucioneve, sikurse i jeni drejtuar edhe Institucionit të Presidentit. Ju siguroj që jam shumë mirëkuptues dhe patjetër me cilësinë e funksionit që përmbush, do të jem në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë konstante në mbështetje të një të drejte bazale, legjitime, kundër çdo lloj hipokrizie, e cila vjen nëpërmjet premtimeve.
Unë sot kam rastin e veçantë që të përshëndes zgjedhjen e një zonje në krye të Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së saj, Zonjës Jahjaga, e cila u zgjodh në atë pozicion jo artificialisht, por mbi bazën e vlerave reale të personalitetit të saj, të integritetit të saj. Kam rastin sot këtu të vlerësoj dhe rolin e Presidentit Pacolli, i cili respektoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe tregoi që është në standardet e një politikani evropian, që, duke bashkëpunuar edhe me forcat e tjera politike në Kosovë, i dha shansin që të gjejnë një zgjidhje që Kosova e re, institucionet e saj të jenë të qëndrueshme e t’i japin asaj një vizion të sigurt euroatlantik. Unë do të doja, që edhe në emrin tuaj besoj, të inkurajoj Presidenten e re të Kosovës që të ushtrojë me vendosmëri detyrën e saj, për ta bërë Kosovën një vend të civilizuar në respekt të të drejtave të të gjitha pakicave, por në mënyrë bazale, esenciale, duke respektuar, inkurajuar dhe promovuar të drejtat e grave.
Unë, në përfundim të fjalës sime, do të dëshiroja të bëja një thirrje sërish për datën 8 maj. Data 8 maj është një datë jo vetëm e dekretuar formalisht, mbi bazën e detyrimeve kushtetuese që ka Presidenti, por është një datë që ka një simbolikë të veçantë. Data 8 maj, jo vetëm do të jetë, sipas Kushtetutës, data e rinovimit të pushtetit vendor, por besoj do të jetë një datë ku palët do të angazhohen për një pjesëmarrje dinjitoze. Sot nga data 8 prill deri më datë 8 maj, sigurisht që është një muaj. Klima e konfliktualitetit politik, në momente të caktuara gati-gati ‘in extremis’, ka krijuar probleme mjaft serioze për jetën e institucioneve, të politikës dhe të shoqërisë shqiptare. Unë besoj që mbas përpjekjeve madhore të të gjithë aktorëve, ku dëshiroj të falenderoj dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, por edhe vetë disponibilitetin e faktorëve politikë për t’iu rikthyer normalitetit, dhe normaliteti është një pjesëmarrje dinjitoze në një fushatë elektorale, e cila sikurse e kam thënë në mënyrë të dukshme ka një fizionomi të veçantë nga zgjedhjet e përgjithshme politike. Kështu që i ftoj të gjithë aktorët politikë, i ftoj të gjitha gratë e Shqipërisë, që të jenë aktive, që të mos jenë në një pozicion pritës, sepse vetëm duke qenë aktive, ato do të dëshmojnë që janë forcë reale. E kam thënë dhe herë tjetër, dhe e përsëris sot, edhe në atë proporcion statistikor që e ka dhënë natyra, dhe për besimtarët e kam thënë ‘I madhi Zot’, që i ka ndarë në proporcione të barabarta, ashtu duhet që edhe pjesëmarrja e tyre në shoqëri, në politikë, në institucione, të jetë e tillë. Çdo paragjykim tjetër, çdo demagogji propagandistike, nuk do të bënte gjë tjetër, por do të dëmtonte interesat madhore të Shqipërisë, që është projektuar në mënyrë shumë realiste për të qenë një vend evropian, jo thjesht nga prezenca fizike gjeografike në këtë kontinent, por me të gjitha vlerat historike, kulturore, politike që ka Shqipëria dhe institucionet e saj.
Unë edhe njëherë ju përgëzoj për punën tuaj! Përgëzoj OSBE-në për këtë organizim, për bashkëpunimin! Të gjitha institucionet e tjera që kanë bashkëpunuar në këtë projekt dhe ju uroj vetëm suksese dhe pjesëmarrje dinjitoze në të gjithë jetën aktive institucionale të Shqipërisë!
Ju faleminderit!”
Në fund u zhvillua ceremonia e veçantë e ndarjes së diplomave nga Presidenti Topi për zonjat pjesëmarrëse në projekt.