Kryeministri Berisha takohet me banorë të komunitetit rom në Shkozet

- Kryeministri Berisha prezantoi fazën e parë të projektit për ndërtimin e 100 apartamenteve të banimit për familjet rome dhe së bashku me to të qendrës shëndetësore e të gjitha shërbimeve të tjera sociale
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me banorë të komunitetit rom në Shkozet, në qarkun e Durrësit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Pasi i uroi këtë ditë, Kryeministri Berisha prezantoi edhe fazën e parë të projektit për ndërtimin e banesave sociale për komunitetin rom në zonën e Shkozetit. Projekti, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej 4 mijë metrash, krahas banesave përfshin edhe ambiente të tjera në funksion të tyre, si qendër shëndetësore, kopsht për fëmijët dhe ambiente të tjera sociale.
“Qeveria shqiptare, - u shpreh Kryeministri, - do të bëjë përpjekje të pandërprera për të mbështetur komunitetin rom dhe për të zhdukur gjithnjë e më shumë pasojat e rënda të diskriminimit shekullor të pamerituar ndaj këtij komuniteti”.
Më gjerësisht në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Durrësit,
Të nderuar udhëheqës të komunitetit rom të qarkut të Durrësit dhe mbarë vendit,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar zotërinj deputetë, qeveritarë vendorë,
I nderuar z. Ferdinand Xhaferi, kandidati për kryetar të bashkisë së Durrësit dhe së shpejti kryetar i kësaj bashkie,
Së pari dëshiroj t’ju përcjell ju, anëtareve dhe anëtarëve të komunitetit rom, djemve dhe vajzave, fëmijëve, burrave e grave, fëmijëve e të moshuarve të këtij komuniteti, urimet e mia më të përzemërta në Ditën tuaj Ndërkombëtare, e cila është një ditë jo vetëm e juaja, por është një ditë e mbarë njerëzimit. Ju shpreh ju mirënjohjen më të thellë për ndihmën dhe kontributin shumë të rëndësishëm që keni dhënë dhe jepni në të katër anët e vendit, për zhvillimin e prosperitetin e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.
Në këtë ditë edhe një herë zotohem se qeveria shqiptare do të bëjë përpjekje të pandërprera për të mbështetur komunitetin tuaj dhe për të zhdukur gjithnjë e më shumë pasojat e rënda të diskriminimit shekullor të pamerituar ndaj komunitetit tuaj. Gjithashtu, kam kënaqësi, se ju konstatoni që këtë strategji ne po e shndërrojmë dhe po e bëjmë gjithnjë e më shumë të prekshme dhe reale. Ne po përpiqemi të përballemi me të gjitha aspektet e pasojave të këtij diskriminimi, me strehimin, me shkollimin, me punësimin dhe çdo lloj pasoje tjetër.
Ju garantoj se qeveria do të mobilizojë të gjitha potencialet e saj që ju çdo vit të ndjeheni më mirë në këtë vend, të jetoni si qytetarë të barabartë para ligjit. Dua t’ju garantoj se në të gjitha problemet që kanë të bëjnë me ju, Kryeministri dhe qeveria do të qëndrojnë në anën tuaj.
Zonja dhe zotërinj,
Unë sot kam një përgëzim të veçantë për zotin Eduar Halimi, deputetët e tjerë të qarkut të Durrësit, për Prefektin e këtij qarku, për angazhimin e tyre në mbështetje të komunitetit tuaj.
Për mua dhe për ju është një kënaqësi e veçantë që ne të festojmë sot ditën tuaj me një projekt jetik për ju, me një projekt në të cilin deputeti juaj Eduart Halimi dhe një ekip specialistësh ndër më të mirët, ndër ta edhe këshilltarë të mi, kanë punuar me përkushtim të madh e kanë krijuar një nga zonat më moderne të banimit, ndërtimin e 100 apartamente të banimit për familjet rome dhe së bashku me to të qendrës shëndetësore, të shkollës dhe të të gjitha shërbimeve që ju meritoni. Jam këtu për t’u zotuar para jush se do të bëj gjithçka që ky model i mrekullueshëm të merret e të aplikohet në çdo qytet të madh të Shqipërisë. Ju garantoj se kam mbështetur e do të mbështes fuqishëm projekte të tilla dhe dua gjithashtu t’ju njoh se në ndërtimet e financuara nga qeveria në disa rrethe të vendit destinacioni kryesor kanë qenë romët dhe familjet rome për strehim.
Kam kënaqësi të konstatoj se zhvillime të qarta pozitive ka në drejtim të shkollimit tuaj, por ju ftoj që bashkërisht të bëjmë përpjekjet më të mëdha që fëmijët tuaj të mrekullueshëm të shkollohen njëlloj si fëmijët e familjeve tjera jo rome. Sikundër ju garantoj se vitin e ardhshëm, në shkollat ku ju jeni në numër të konsiderueshëm, qeveria do të vendosë një vakt ushqimi për fëmijët.
Ne kemi një projekt të regjistrimit dhe pajisjes suaj me dokumente. Të nderuar drejtues të shoqatave dhe udhëheqës të komunitetit rom, do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që të na e mbështesnit këtë projekt, sepse pajisja juaj me dokumente si të gjithë qytetaret e tjerë është hapi i parë i madh drejt sigurisë suaj, është jashtëzakonisht i rëndësishëm që qeveria të mund t’ju ndihmojë më shumë, që qeveria të marrë të gjitha masat për një mbështetje tuaj më eficente.
Duke përfunduar ju uroj nga zemra gëzuar 8 prillin. Ju garantoj se me zotin Ferdinand Xhaferri me deputetin Eduart Halimi e deputetë të tjerë të Durrësit, këtë shembull të shkëlqyer, këtë model do ta transferojmë edhe në qytet të tjera, në mënyrë që familjet rome kudo që ndodhen të ndjejnë mbështetjen e fuqishme, të ndjejnë respektin, dashurinë dhe njerëzinë e komunitetit shqiptar, të qeverisë shqiptare ndaj tyre.
Edhe një herë gëzuar!”
08/04/2011