E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përuron Panairin Ndërkombëtar të sipërmarrjes “Pranverë 2011”

8 prill 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi përuroi sot paradite Panairin Ndërkombëtar “Pranverë 2011”, të organizuar në “Pallatin e Kongreseve” në Tiranë, në të cilin janë ekspozuar prodhime të sipërmarrësve vendas dhe të huaj.

Presidenti Topi u prit dhe u shoqërua nga organizuesit e këtij Panairi, dhe pasi preu shiritin përurues, vizitoi stendat dhe pavionet ku ishin të ekspozuara prodhimet më të fundit të firmave të ndryshme shqiptare dhe të huaja duke u takuar përzemërsisht me sipërmarrës të shumtë shqiptarë, edhe nga Kosova e Maqedonia si dhe me investitorë të huaj nga Italia, Greqia dhe vende të tjera evropiane.

Kryetari i Shtetit, në përfundim të vizitës në Panairin Ndërkombëtar “Pranverë 2011”, i pyetur se si i duket hapja e një panairi me pjesëmarrjen e investitorëve të huaj në mes kësaj klime politike të nxehtë, u shpreh: “Është gjithmonë një gjë e bukur. Tashmë është kthyer në një traditë dhe ajo që është më e rëndësishme është se nga viti në vit, ne shohim një përmirësim të dukshëm cilësor, edhe të ekspozimit, edhe të pjesëmarrjes së biznesit. Kjo tregon që politika ka punën e vet dhe nuk besoj që politika merret gjithmonë me nota negative, sepse në saje të kësaj politike janë bërë shumë reforma, janë ngritur institucione, i është dhënë hapësirë biznesit. Kështu që mos ta kritikojmë gjithmonë politikën! Edhe ta inkurajojmë!

Ne jemi gjithmonë kërkues për të bërë diçka më shumë. Kam përshtypjen që biznesi, sidomos mënyra e ekspozimit, duke sjellë në kujtesë gjithë ato që kemi parë vit pas viti, them që çdo vit vjen duke u përmirësuar. Urimet më të mira!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›