Kryeministri Berisha merr pjesë në 50 vjetorin e themelimit të gjimnazit “Ismail Qemali”, në Tiranë
Për gjimnazistët e “Ismail Qemalit” në Tiranë, sot ka qenë një ditë e veçantë. Të gjithë sëbashku, nxënës, mësues, ish-mësues e mësuese, prindër dhe të ftuar kanë festuar sëbashku 50 vjetorin e themelimit të kësaj shkollë. I pranishëm në këtë ceremoni të veçantë ishte edhe kryeministri Berisha, ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, kryebashkiaku Lulzim Basha etj.
Pasi vizitoi ambientet e brendshme të shkollës, klasat, laboratorët e ndryshme dhe u njoh nga afër me metodat dixitale të mësimdhënies, Kryeministri u ndal edhe në këndet muzeale ku pa nga afër punimet, kostumet etj, që nxënësit e këtij gjimnazi kishin përgatitur me rastin e 50 vjetorit të themelimit të tij, që përkon edhe me 100 vjetorin e pavarsisë së Shqipërisë. Kryeministri Berisha u shpreh se te ky gjimnaz gjeti një nga shkollat më moderne që ka vizituar ndonjëherë.
Duke uruar 50 vjetorin e themelimit të kësaj shkolle, Kryeministri Berisha përshëndeti me përzemërsi të veçantë, ish-mësueset dhe ish-mësuesit e këtij gjimnazi, gjithashtu edhe mësuesen e cila, ka prerë shiritin e themelimit të këtij gjimnazi 50 vjet më parë dhe ndodhej sot mes tyre duke festuar këtë ditë të veçantë.
50 vjetori i themelimit të gjimnazit, “Ismail Qemali”, përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ndaj Kryeministri Berisha u shpreh se,- “gjimnazi juaj mban emrin e njërit prej burrave më të shquar të kombit shqiptarë të të gjitha kohërave. Mban emrin e babait të pavarësisë së Shqipërisë, burrit që 100 vite më parë do të ngrihej me një guxim mbinjerëzor, me një vizion të shkëlqyer, do të rendte nëpër Europë dhe më pas nga Durrësi në Vlorë, në udhëheqje të idealit kombëtarë të Shqiptarëve, pavarësimit të tyre pas shekujsh sundimi otoman. Mban emrin e Ismail Qemalit, këtij vizionari që bën krenarë çdo shqiptarë. Si shqiptarë, i detyrohemi këtij burri më shumë se kujtdo tjetër në historinë e tyre, por unë jam i sigurtë se, sikur të ishte sot midis nesh, ai do të ndihej krenare me te gjithë ismailsat, të cilët me mendjen, me punën me përkushtimin e tyre po bëjnë dhe kanë bërë realitet ëndrrën më të bukur të rilindësve tanë”.
Më pas Kryeministri Berisha vlerësoi standardet e larta të mësimdhënies dhe premtoi se investimet në fushën e arsimit do të jenë edhe me të mëdha në mënyrë që ky progres, këto arritje të mos njohin kufij, por të shtrihen në të gjitha shkollat e vendit. Së bashku me të ftuarit e tjerë, kryeministri ndoqi dhe programin artistik që nxënësit kishin përgatitur me rastin e kësaj dite të shënuar për ta.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur nxënës dhe nxënëse të gjimnazit “Ismail Qemali”.
Të nderuar ish-mësues dhe ish-mësuese të këtij gjimnazi.
Të dashur mësues dhe mësuese, drejtues të gjimnazit “Ismail Qemali”.
Së pari, ju përcjell në emër të qeverisë, urimet më të përzemërta në këtë përvjetor, në këtë 50 vjetor të themelimit të këtij gjimnazi, për sukseset e shkëlqyera që keni arritur. Në një vizitë të shkurtër, unë kam gjetur këtu, shkollën më moderne që kam vizituar ndonjëherë në jetën time. Unë dua të përshëndes me përzemërsi të veçantë, ish-mësueset dhe ish-mësuesit e këtij gjimnazi, nga mësuesja që më njoftoi se ka prerë shiritin e tij 50 vjet më parë dhe ndodhet sot midis nesh, tek të gjithë të tjerët, për ndihmën, për kontributin e tyre, në zhvillimin e arsimit në Tiranë.
Të dashur gjimnazistë dhe gjimnaziste,
Mësuese dhe mësues të këtij gjimnazi,
Mbeta shumë i impresionuar nga vizita në shkollën tuaj, i entuziazmuar nga sukseset tuaja. Drejtoresha e shkollës dhe mësueset, më informuan mua se ju gjatë këtij viti, vitit të 100 vjetorit të pavarësisë, keni marrë disa kupa në olimpiadat e ndryshme, keni zënë vende të para në pikturë, në IT, dhe në shumë fusha të tjera, çka dëshmon për cilësinë e mësimdhënies, përkushtimin e nxënësve dhe të mësuesve të këtij gjimnazi. Ajo që më bëri përshtypjen më të madhe ishte shkalla e avancuar e mësimit dixhital. Unë gjeta këtu laboratorë ndër më modernet, metoda dixhitale të mësimdhënies, të cilat bënin të mundur nxënësve që çështjet më të komplikuara ti merrnin me qartësinë më të madhe. Gjeta metoda të gjuhës angleze, me të cilat nxënësit dhe nxënëset mund të vazhdojnë edhe në shtëpi . Mësuesit më thanë se; një nga gjimnazistët e këtij gjimnazi arriti të kishte një inovacion të shkëlqyer me një patentë. Ai natyrisht sot ndodhet në një vend tjetër, por si shqiptar dhe qytetar i botës, le ti urojmë shumë suksese.
Të dashur nxënëse dhe nxënës
Gjimnazi juaj mban emrin e njërit prej burrave më të shquar të kombit shqiptar të të gjitha kohërave. Mban emrin e babait të pavarësisë së Shqipërisë, burrit që 100 vite më parë do të ngrihej me një guxim mbinjerëzor, me një vizion të shkëlqyer, do të rendte nëpër Europë dhe më pas nga Durrësi në Vlorë, në udhëheqje të idealit kombëtar të shqiptarëve, pavarësimit të tyre pas shekujsh sundimi Otoman. Mban emrin e Ismail Qemalit, këtij vizionari që bën krenar çdo shqiptar. Si shqiptar, i detyrohemi këtij burri më shumë se kujtdo tjetër në historinë e tyre, por unë jam i sigurtë se, sikur të ishte sot midis nesh, ai do të ndihej krenar me te gjithë "ismailsat", të cilët me mendjen, me punën, me përkushtimin e tyre po bëjnë dhe kanë bërë realitet ëndrrën më të bukur të rilindësve tanë.
Të dashur nxënës dhe nxënëse
Gjimnazi juaj ka arritur standarde ndër më të larta në procesin e mësimdhënies. Unë jam këtu për t’ju garantuar ju, se investime të tjera do të bëhen në mënyrë që ky progres, këto arritje, të mos njohin kufi. Së dyti, në modelin e këtij gjimnazi do të bëjmë gjithçka që të gjitha gjimnazet e vendit, të gjitha shkollat 9-vjeçare të vendit, të shndërrohen në shkolla të mësimit dixhital, të shndërrohen në shkolla dhe laboratorët dhe pajisjet më moderne, në mënyrë që nxënësit shqiptar të rrisin gjithnjë e më shumë cilësinë e dijes dhe të mësimit të tyre.
Në tërë përpjekjen tonë, ne besojmë se investimi në mendjet tuaja, është investimi më i mirë është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen tuaj dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Për qeverinë, arsimi ka qenë dhe mbetet përparësi e të gjitha përparësive. Sot unë vizitova këtë gjimnaz në mes të Tiranës, me të cilin jam i lidhur edhe familjarisht, por dua t’ju rrëfej juve se, në Krumë dy muaj më parë inauguruam sëbashku me fëmijët dhe qytetarët e atij qyteti një gjimnaz ndër më të bukurit në Shqipëri dhe ne po bëjmë gjithçka dhe në mbarë vendin ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla dhe ato që kanë mbetur do ti ndërtojmë dhe rindërtojmë me vendosmërinë më të madhe. Do të bëjmë gjithçka, që çdo klasë mësimi, të jetë klasë që të funksionojë me metodat dixhitale të mësimdhënies në vendin tonë. Do të bëjmë gjithçka që pozicionin e mësuesve, këtyre misionarëve të mëdhenj të kombit tonë, ta mbështesim gjithnjë e më shumë. Do të bëjmë gjithçka, që shoqëria shqiptare të jetë gjithnjë e më shumë shoqëri e bazuar në shkollën, shoqëri e bazuar në dijen. Ne jemi një komb me fat të madh, pasi jemi një komb i ri. Imagjinata juaj të dashur të rinj dhe te reja është energjia më e madhe e zhvillimit të shpejtë të këtij kombi dhe këtij vendi.
Të dashur nxënëse dhe nxënës
Në muret e korridoreve të shkollës në muzeun tuaj, mbeta shumë i prekur nga hartat e bukura që ju kishit ndërtuar dhe paraqitur. Në këto harta ju kishit përfshirë duke mos harruar asnjë nga trojet etnike shqiptare. Ky 100 vjetor i pavarësisë së vendit është njëkohësisht një kujtesë për të gjithë shqiptarët që trojet e tyre etnike duhet të jenë territore në ndërgjegjen kombëtare të çdo shqiptari. Pavarësia e shqiptarëve, liria e tyre në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe kudo që ndodhen, është vepër e mbarë kombit shqiptar, e sakrificave të shqiptareve në të katër anët e trojeve të tyre. Sot kur ky burrë shpalli pavarësinë e Shqipërisë, nisi procesi i ndarjes, copëtimit të trojeve shqiptare, por sot shqiptarët janë të lirë kudo që jetojnë. Sot ne do të bëjmë gjithçka të bashkohemi njëri me tjetrin dhe të realizojmë në Europë ëndrrën tonë më të bukur ëndrrën e bashkimit kombëtar.
Edhe njëherë ju uroj suksese e ju garantoj se më ka frymëzuar dhe me frymëzon gjithmonë mosha juaj dixhitale, ndaj dhe ne duke marrë për bazë moshën tuaj shpallëm “Shqipërinë dixhitale”, si objektivin tonë më madhor. Tre ditë më parë ne inauguruam Autostradën e re Dixhitale, autostradë, e cila do të rrisë nga 40 në 140% Gida Bit internetin me bandën më të gjërë, me shpejtësinë më të madhe dhe ju të mund të lundroni në internet, do të mund të komunikoni në Facebook dhe komunikoni sa më shumë, sepse komunikimi është burim i madh mësimi, kënaqësie, horizonti ku ndani dijet me njeri- tjetrin, ndani vizionin me njëri- tjetri. Facebook është mjeti më i mrekullueshëm i komunikimit.
Në autostradën e re dixhitale, me Kurrizoren Kombëtare që kemi ndërtuar do të bëjmë çdo gjë që të pjesëtojmë disa herë çmimin e internetit për ju, në mënyrë që të lundroni në internet me çmimet më të ulta, pasja ju keni Skype, Viber, Whatsapp etj për të komunikuar. E drejta e informimit është e drejtë themelore dhe komunikimi është kushti kryesor i saj.
Edhe njëherë ju uroj gëzuar këtë festë. Festë e madhe për të gjithë ju, për të gjithë ne familjarët tuaj, por për të gjithë qytetin e Tiranës, për mbarë shkollat dhe sistemin arsimor të Shqipërisë.
Gëzuar .”
22/11/2012