Qeveria miraton masa të reja lehtësuese për biznesin
Këshilli i Ministrave miratoi sot, një sërë masash fiskale dhe administrative, lehtësuese për biznesin. Kryeministri Berisha, duke prezantuar këto masa, tha se qëllimi i tyre ishte përmirësimi më tej i klimës së bërjes biznes, lehtësimi i barrës fiskale dhe burokratike dhe rritja e transparencës. Konkretisht, u miratua:
- Heqja e akcizës për kafen e papjekur. Nga 30 lekë për kilogram bëhet zero.
- Akciza e kafesë së pjekur nga 140 lekë zbret në 60 lekë për kilogram.
- Tarifa doganore për kafenë nga 10 përqind bëhet zero.
- Rritet pesëfish masa e gjobës, në rastet e konstatimit të punonjësve të pasiguruar, apo në rastet e mosdeklarimit nga tatimpaguesit e regjistruar si subjekte, të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin.
- Nga 1 janari, procedura për blerjet e vogla bëhet tërësisht dixhitale.
- Përjashtohen nga detyrimi i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ardhurat e përfitimit nga dëmshpërblimet e marra me vendim të formës së prerë të gjykatave, si dhe të kompensimit të kostove gjyqësore, të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritje në shkencë, sport, kulturë.
- Qartësohet nocioni i të ardhurës bruto për të vetëpunësuarit, sipas të cilit, e ardhur bruto për këtë kategori do të konsiderohet vlera 20 përqind e të ardhurave vjetore bruto, nga zhvillim i aktivitetit ekonomik, tregtar apo shërbimi.
- Regjistrimi dhe çregjistrimi i përfaqësuesit tatimor do të kryhet pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve dhe jo pranë Agjencisë Kombëtare të Regjistrimit, si aktualisht.
Gjithashtu u miratua vendimi që rregullon në interesin më të mirë të institucioneve arsimore publike e private, dhënien e bursave për nxënësit e shkëlqyer dhe atyre më në nevojë. Sipas këtij rregullimi, institucionet arsimore publike e private do të japin bursa dhe ato do t’u njihen si shpenzimeve të zbritshme, nga organet tatimore, por ato do të dorëzohen në fillim të vitit shkollor, në Ministrinë e Arsimit, për të shmangur abuzimin me këtë të drejtë.
Këshilli i Ministrave miratoi edhe tre vendime për përcaktimin e autoritetit konkurrues për dhënien me koncesion të hidrocentraleve Vërmik 1, 2 dhe 3 dhe miratimin e obusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese.
Fjala e Kryeministrit në prezantimin e rendit të ditës të mbledhjes së qeverisë.
“Rendi i ditës është i ngjeshur dhe ka disa vendime të rëndësishme. Sot miratojmë disa përmirësime në përputhje me direktivën europiane në ligjin “Për prokurimet publike”. Kjo direktivë përcakton rregulla në disa pika, më të ndryshme se këto që ka aktualisht ligji. Këto ndryshime bëjnë të mundur përafrimin në tërësi të ligjit “Për Prokurimet publike” me ndryshimet e reja të direktivës europiane për prokurimet publike.
Ka disa risi pozitive, ndër të cilat Agjencia e Prokurimeve Publike merr edhe funksionet monitoruese të procesit të prokurimit, natyrisht, bëhet fjalë pas firmosje së kontratës e jo përpara saj. Së dyti, këto ndryshime bëjnë të mundur që të hapen tenderat, sapo të miratohet buxheti nga parlamenti e të firmoset nga Presidenti i Republikës. Ndërsa kontrata firmoset pasi Zyra e Thesarit disponon fondin. Kjo do të shkurtojë kohën. Menjëherë pas miratimit të buxhetit, entet kontraktuese janë të lejuara të hapin procesin e tenderimit. Ka edhe një numër rregullimesh, të cilat e përshtatin këtë ligj me acqui communautaire, të cilat ndihmojnë edhe biznesin.
Duke qëndruar tek prokurimet, kam kënaqësi të informoj se ka përfunduar platforma dixhitale e blerjeve të vogla. Zotërinj ministra, duhet të trajnohen punonjësit me programin e ri, pasi nga 1 janari, edhe blerjet e vogla do të jenë dixhitale. Vendosja e sistemit dixhital në blerjet e vogla përbën një hap të rëndësishëm për të shmangur çdo marrëveshje të shkurtër për këto blerje, që në fund bëhen të mëdha.
Agjencia e Prokurimeve Publike ka përfunduar me kompaninë përkatëse, soft-in e këtij programi dhe është e domosdoshme që të gjitha agjencitë që kanë autoritet kontraktues të trajnojnë personelin, në mënyrë që të kalohet tërësisht në blerje elektronike. Kjo përbën një hap shumë të rëndësishëm edhe në rritjen e transparencës së procesit të shpenzimeve publike.
Sot, prokurimet janë 100 përqind dixhitale, blerjet e vogla do të bëhen 100 përqind dixhitale, shpenzimet, të gjitha afishohen të nesërmen dhe çdo faturë publikohet të nesërmen e ekzekutimit, në faqen e Thesarit të Ministrisë së Financave. Kjo është forma më transparente që ekziston në ndonjë vend, në përdorin e fondeve publike. Ndaj unë ftoj shtypin të ndjekë, të kontrollojë dhe do të gjejë të nesërmen të gjitha shpenzimet që janë bërë një ditë parë, në këtë vend, sipas agjencive, zërave e në çdo detaj. Kjo ka muaj që funksionon, por duke filluar nga 1 janari, ky qark mbyllet me blerjet e vogla dhe çdo shpenzim buxhetor del në dritën e diellit e bëhet më transparent. Kjo është një arritje shumë e madhe.
Gjithashtu, sot miratojmë edhe disa ndryshime në akcizat dhe tarifat. Në një dialog me grupet e interesit, akciza e kafesë së papjekur hiqet. Nga 30 lekë për kilogram, ajo bëhet zero. Akciza e kafesë së pjekur nga 140 lekë zbret në 60 lekë për kilogram.
Këto ndryshime në ligjin “Për akcizat” janë propozuar pas diskutimeve që janë bërë me importuesit e kafesë dhe problemeve të krijuara nga mbajtja e këtyre akcizave në një nivel relativisht të lartë. Këto akciza do të ndikojnë fuqishëm në uljen kostos së përpunimit të kafesë, nxitjen e prodhimit vendas për përpunimin e kafesë, nxitjen e uljes së informalitetit në këtë industri, ku suksesi është shumë i madh, pasi është trefishuar sasia e kafesë së zhdoganuar. Kush pi kafe, i kujtohet se në kohën e Anastas Angjelit konsumoheshin 3000 tonë kafe, por zhdoganoheshin vetëm 1500 tonë. Ndonëse nuk ia faturoj të gjitha atij, pasi kishte edhe ‘ujqër’ të tjerë rreth tij. Kjo mjafton që të mos ta ekspozojë për dy muaj si këshilltar ekonomie, pasi del dikush i nxjerr faturën dhe ai e largon për dy muaj.
Me këtë vendim bëhet një përafrim i nivelit të akcizës së kafesë në Shqipëri me vendet e rajonit. Biznesi i kafesë fiton nga kjo ulje rreth 300 milionë lekë. Uroj që ta pasqyrojnë edhe në çmimin e saj, ndonëse dyshoj shumë se do ta pasqyrojnë. Sidoqoftë, qeveria i ka konsideruar të arsyeshme kërkesat e këtyre biznesmenëve dhe nxit pjekjen e përpunimit të kafesë më së shumti në vend, pasi në këtë mënyrë punëson më shumë, edhe kostoja ulet.
Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm është projektligji për disa ndryshime në ligjin për taksat kombëtare. Sipas këtij projektligji, vendosen eksporte për lëndën drusore dhe kjo masë propozohet të jetë 30 përqind. Kjo taksë do të mblidhet nga administrata doganore, në momentin e eksportimit dhe komisioni i agjentit tatimor propozohet të jetë zero. Duhet të jemi realistë se kjo masë nuk përputhet me filozofinë tonë liberale. Por mjedisorët e kanë ngritur me të madhe këtë, duke kërkuar ta ndalojmë për pesë vjet. Fatkeqësia e mjedisorëve është se u bashkohen edhe antiglobalistët, pasi p.sh Shalsi i bashkisë [Tiranë] është antiglobalist, nuk është mjedisor, pasi vetëm nga mjedisi nuk merr vesh. Një ditë po e shihja tek mblidhte firma si Çiçikovi. Edhe pse kjo është një masë, e theksoj jo pa probleme lidhur me konventat që ne aderojmë dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Ministria e Integrimit bashkë me Ministrinë e Ekonomisë do të shohë edhe një herë se cilat janë hapësirat e nevojshme, në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe OBT-së, për kalimin e kësaj mase.
Një tjetër vendim është ai për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9920 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar. Projektligji bën disa thjeshtime dhe parashikon se regjistrimi dhe çregjistrimi i përfaqësuesit tatimor të kryhet pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve dhe jo pranë Agjencisë Kombëtare të Regjistrimit, sikurse është aktualisht. Ky vendim vjen në përmbushje të zotimit tonë, për të lehtësuar sa më shuam barrierat burokratike.
Projektigji parashikon edhe një rritje pesëfish të masës së gjobave, në rast të konstatimit të punonjësve të pasiguruar, në rastet e mos deklarimit nga tatimpaguesit e regjistruar si subjekte, të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin. E theksoj se kjo masë nuk ka në mënyrë absolute as edhe një qëllim për të shtuar të ardhurat në arkën e shtetit, por ka vetëm një qëllim madhor, të thellojmë e zgjerojmë lirinë e tregut. Ajo që rastësisht do të mësoja ishte se një biznesmen nga Pogradeci, i cili ka një biznes në Strugë dhe një në Pogradec, deklaronte çdo punonjës në Strugë, sepse, në rast se tatimet do t’i gjenin punonjës të padeklaruar, atëherë ai do të paguante pesë mijë euro gjobë, ndaj nuk bëhej fjalë që ai të mbante punonjës pa pagesë. Ndërkohë në Pogradec iu gjetën disa punonjës të pasiguruar, sepse këtu gjoba është e parëndësishme. Në rast se një biznesmen paguan sigurimet shoqërore, paguan të ardhurat personale për punonjësit dhe një tjetër nuk i paguan, natyrisht, konkurrenca është shumë e pandershme. Në këtë rast, ai që nuk paguan shpenzon në pak, për të njëjtin produkt e për të njëjtën vlerë të punës.
Së dyti, në rrafshin njerëzor mbajtja në të zezë e punonjësit është mbajtje në skllavëri e tij. Ju garantoj se kjo është formë skllavërie reale. Po të lexoni romane që përshkruajnë atë sistem, edhe skllevërve u garantohet ndonjë pagë, u garantohej një ëeekend brenda fshatit nga skllavopronari, madje kishin edhe një pistë ku vallëzonin të shtunë e të diel, por sërish ishin skllevër. Edhe punonjësit pa sigurime shoqërore, pa sigurime shëndetësore janë skllevër. Ndaj duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga ky koncept. Unë e quaj këtë një masë të vonuar. Por, nga ana tjetër, kjo masë nuk mund të jetë dhe nuk mund të përdoret në asnjë rast me arbitraritet. Për të shmangur çdo arbitraritet, biznesi duhet të ketë kushtet e deklarimit online të forcës së punës që ka. Kjo është domosdoshmëri. Ne kemi bërë gjëra shumë të mëdha, duke vendosur kasën fiskale, pavarësisht se ka biznese që nuk e respektojnë dhe bëjnë gabim shumë, pasi biznesi nuk ndërtohet duke fshehur, përkundrazi, transparenca është kusht. Unë di që me libra ata i dorëzojnë. Tani do të fillohet nga industria fason, pasi ata kanë numrin më të madh të punonjësve. Por nuk duhet t’u shkojmë me arbitraritet, por u shkohet me shifrën e punëtorëve që kanë deklaruar online. Natyrisht, për proceset e punës që kanë, ata kanë lëvizshmëri normale të numri të punonjësve. Ata e kanë ngritur këtë shqetësim dhe unë i mbështes plotësisht ata. Ndërkohë, derisa ligji të miratohet në parlament e të hyjë në fuqi, do të merren të gjitha masat të konsolidohet procedura e deklarimit të punonjësve dhe të jetë korente. Në qoftë se dikush mban një punëtor në të zezë detyrimisht duhet të paguajë, por, nëse e ka deklaruar, atëherë do të ishte shumë e rëndë të akuzohej.
Një tjetër ndryshim për tarifat doganore vjen për kafenë, për të cilën tarifa doganore nga 10 përqind bëhet zero. Në të gjitha këto masa ka një synim që të ndikohet edhe në formalizimin e plotë të këtij tregu. Ne e kemi gjetur me 1500 tonë të zhdoganuar dhe tani është tre-katërfishuar. Kjo është një industri me përdorim shumë të gjerë në Shqipëri. Kafeja është hobi e mund të them se jemi ndër vendet që e përdorim më shumë dhe kjo është shumë interesante, sepse ne nuk e rrisim as vetë.
Po në mbështetje të biznesit, sot miratojmë një ndryshim të rëndësishëm në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”. Sipas këtij ndryshimi, përjashtohen nga detyrimi i këtij ligji, të ardhurat e përfitimit nga dëmshpërblimet e marra me vendim të formës së prerë të gjykatave, si dhe të kompensimit të kostove gjyqësore, të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritje në shkencë, sport, kulturë.
Gjithashtu i bëjmë një përmirësim të ndjeshëm nocionit të të ardhurës bruto, i cili ka krijuar probleme serioze tek të vetëpunësuarit që plotësojnë deklaratën e të ardhurave. Si do të bëhet deklarimi, për të vetëpunësuarit, me qarkullim nën 2 milionë lekë? Ky ndryshim qartëson që si e ardhur bruto për këtë kategori do të konsiderohet vlera 20 përqind e të ardhurave vjetore bruto, nga zhvillim i aktivitetit ekonomik, tregtar apo shërbimi. Pra, ata do të deklarojnë si të ardhur bruto, mbi të cilën do të bëhen edhe shpenzimet mbi këtë të ardhur, gjithsej 20 përqind të të ardhurave vjetore bruto.
Sot i përgjigjemi edhe një shqetësimi të ardhur nga arsimin privat dhe universitetet, lidhur me bursat që u jepen nxënësve dhe studentëve nga institucionet publike e jo publike. Ligji parashikon që bursat që u jepen nxënësve e studentëve, nga institucionet arsimore publike e jopublike, të njihen si shpenzim i zbritshëm. Pra, është një lehtësim i ndjeshëm, deri në masën e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, me kusht që në fillim të vitit shkollor, institucionet arsimore publike dhe jopublike të paraqesin pranë Ministrisë së Arsimit, numrin e shumën e bursave. Këtë periudhë, për disa shkaqe ligjore, ka pasur disa kundërshti midis universiteteve, kryesisht jopublike të vendit dhe organeve tatimore, por ky ndrysim ligjor i jep përgjigje përfundimtare. Këto institucione do të mund të respektojnë frymën e tyre sociale, do të mund të japin bursa dhe natyrisht, do t’u njihen shpenzimeve të zbritshme, nga organet tatimore, por këto duhet të rakordohen e miratohen, sepse nuk mund të përdoret kjo e drejtë ligjore për abuzivitet. Ndaj, çdo fillim viti, Ministria e Arsimit do të marrë prej tyre numrin e bursave që ato kanë akorduar dhe Këshilli i Ministrave do të përcaktojë kuotat, në mënyrë që edhe funksioni social të përmbushet – për të cilën unë i përgëzoj dhe e vërteta është që të gjitha këto universitete publike dhe private i përmbahen këtij funksioni, të ndihmojnë ata që nuk kanë mundësi – por, nga ana tjetër nuk mund të ketë abuzivitet me këtë të drejtë.
Gjithashtu vendosim të shtyjmë deri më 31 dhjetor, deklaratën e pasurive individuale.
Siç e shihni në epiqendër të kësaj mbledhjeje janë masat lehtësuese ndaj biznesit. Një mbledhjen e parë, ne hoqëm TVSH-në për makineritë, çimenton dhe çelikun për hidrocentralet. Në këtë mbledhje heqim tarifën e akcizën për kafen e papjekur, ulim më shuam se 60 përqind tarifën për kafen e pjekur, gjë që uroj të pasqyrohet në çmim, por një gjë është e sigurt se rritje çmimi nuk do të ketë, pasi kjo masë është një lehtësim i madh për këto biznese. Po kështu u rregullua në interesin më të mirë të institucioneve arsimore publike e private, ushtrimi i misionit social të tyre, trajtimi me bursë i nxënësve më të shkëlqyer dhe atyre më në nevojë, mision të cilën unë edhe një herë përshëndes.
Në rendin e ditës janë edhe vendimet për tre hidrocentrale të reja, Vërmik 1,2 dhe3, si dhe miratohet bonusi për ndërtimin e tyre. Çdo dy javë, Ministria e Ekonomisë sjell vendime, me të cilat nisma e Shqipërisë si superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon bëhet gjithnjë e më e madhe. Për kureshtjen tuaj, sot merret edhe një vendim për heqjen nga sipërfaqet pyjore të ngastrave që përmbyten nga liqenet e hidrocentraleve të Banjës, Koklit, Moglicës, të cilët do të ndërtohen në kaskadën e lumit Devoll. Kjo kaskadë, që përbën projektin më të madh për hidrocentralet në Europë, fillon vitin që vjen. Është ulur kuota e saj nga 810 metra, në 720 metra, çka lejon ndërtime edhe mbi këtë kuotë të një hidrocentrali tjetër. Në këtë mënyrë bëhet një shfrytëzim edhe më racional i këtij lumi të bekuar, i jashtëzakonshëm për pasuritë ujore që mbart, me ujërat e të cilit vaditet edhe fusha e Myzeqesë, si dhe ka dobi shumë të mëdha.”
21/11/2012