E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet konferencën “Rrëfim stafetë mbi zhvillimin e TIK në Shqipëri”

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në aktivitetin e iniciuar dhe organizuar nga Shoqata shqiptare e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (AITA), me tematikë “Rrëfim stafetë mbi zhvillimin e TIK në Shqipëri. Nderim “Mirënjohja për merita të dalluara” për z. Kristian Bukuroshi.

Eventi i organizuar në kuadrin e aktiviteteve të 100 vjetorit të pavarësisë paraqiti para të pranishmëve në mënyrë kronologjike etapat e zhvillimit të sektorit të TIK në Shqipëri dhe shpalosjen e perspektivave për të tashmen dhe të ardhmen e zhvillimit të këtij sektori. Merrnin pjesë në këtë aktivitet, Presidenti i Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, zoti Gregor Joti, Kryetari i Akademisë së Shkencave, zoti Gudar Beqiraj, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të sipërmarrjeve të ICT në Shqipëri, etj.

Kryeministri Berisha shprehu nderimin më të madh për komunitetin e fushës së teknologjisë së informacionit dhe personalitetet e saj në vite, të cilët me përkushtimin dhe aftësitë  e tyre realizuan në Shqipëri transformime nga më të rëndësishmet, duke vendosur në Shqipëri standarde të reja të zhvillimit të ICT.

Kryeministri vlerësoi matematicienin Kristian Bukuroshi si një akademik të përkushtuar dhe vizionar, i cili së bashku me figura të fushës hodhën baza solide të kësaj dege  e cila po bëhet gjithnjë e më shumë degë kryesore në Shqipëri.

Më pas, kryeministri Berisha i dorëzoi zotit Kristian Bukuroshi titullin “Mirënjohje për vlera të dalluara” me motivacionin “Mirënjohje për merita historike në zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit nëpërmjet vizionit të qartë, si dhe për themelimin dhe drejtimin e institucioneve shkencore dhe akademike, për edukimin dhe formimin profesional të brezave të parë të informatikanëve shqiptarë”

Në përshëndetjen e mbajtur, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, unë dua të shpreh nderin më të madh për ju, për komunitetin tuaj, të cilët në një kohë të shkurtër, keni ecur me një shpejtësi numerike dhe keni realizuar në bindjen time më të thellë, transformimin më të rëndësishëm të këtij vendi.

Po të kthehemi së bashku 6 vite më parë, treguesi i përdorimit të internetit në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në botë, 4,8 % , telefonia celulare ishte 38 %. Sot, këta tregues nuk janë dy apo trefishuar, por janë rritur shumë e shumë herë. Sot penetrimi i internetit në Shqipëri, është mbi 60 %. Sot, telefonia celulare arrin në 186 %. Sot shqiptarët në “Facebook” komunikojnë më shumë se 17 kombe të tjera të BE. E gjitha kjo është vepër e juaja. Pa diskutim qeveria ka patur dhe ka qëllim madhor Shqipërinë dixhitale, por pa përkushtimin tuaj, pa aftësitë tuaja, këto objektiva do të kishin qenë dhe mbeteshin të pamundur për tu realizuar.

Një studiues i madh francez shkruan në librin e tij se, ai që vdes sot dhe ngjallet pas 10 vitesh, nuk njeh më realitetin përreth. Kjo në ICT është ndryshe, brenda 5 viteve, nuk e njeh më realitetin e 5 viteve më parë. Në rast se ne marrim zhvillimet e këtyre tre viteve të fundit, revolucionin e tabletave, ose “smart phone-ve”, po krijojnë horizonte tërësisht shumë më të mëdha të kësaj fushe. Sot gjithnjë e më shumë treguesi më i rëndësishëm është web-i dhe qytetari, sa i shërben web-i qytetarit, sa është ai në funksion të tij. Kam qenë mjek dhe në vitet ‘86 kisha rastin të vizitoja Danimarkën për çështje pune dhe atje konstatoja se më të kërkuarit ishin specialistët e IT, por edhe sot pas 27 viteve më të kërkuarit specialistë, janë specialistët e IT, pasi nuk ka një sektor në të cilën horizonti të ecë me më shpejtësi se sa kjo fushë. Ndaj dhe unë konstatoj me kënaqësi se ju bëni përpjekje të mëdha për të qëndruar në lartësinë e këtij horizonti.

Sot isha në shkollën e mesme "Ismail Qemali", në kryeqytet. Atje mësuesit më treguan për një djalë të vitit të dytë gjimnaz i cili kishte arritur në një patentë të shitur në SHBA. Fatkeqësisht apo fatmirësisht ai kishte shkuar atje bashkë me patentën. Le ti urojmë suksese si qytetar i botës.

Dua të them sot dy fjalë për zotin Kristian Bukuroshi. Unë e kam njohur atë që në vitet e jetës sime universitare. Unë kam njohur tek ai një akademik të përkushtuar, një akademik vizionar, një akademik, i cili së bashku me profesor Frashërin, me Gudarin, pra një grup i vogël, por që  hodhi baza solide të kësaj dege e cila po bëhet gjithnjë e më shumë degë kryesore në Shqipëri, se në vendet e zhvilluara është padyshim kryesore. Këta profesionistë kanë kapërcyer vështirësi të jashtëzakonshme. Këta kishin një institut në një periudhë që unë kisha vetëm një kompjuter dhe imagjinoni vështirësitë e jashtëzakonshme të tyre. E tha pak më parë Grigori, teknologjia e re shihej me dyshim. Kompjuteri im, në atë kohë, solli në zyrë ministrin, i cili erdhi i nxirë tek unë. Ishte një burrë shumë i mirë, profesor, kirurg, i cili më tha  – “Sali ç’e deshe këtë? “. Kjo, sepse në darkë byroja politike kishte diskutuar se si e mora unë këtë kompjuter. Dhe tani tu tregoj se si e kapërceva këtë problem. E pyes ministrin po kush e tha këtë? Ai mu përgjigj se ishte zëvendëskryeministri, për të cilin unë i kërkova të më krijonte një takim, gjë të cilën ai e pranoi menjëherë. Kur shkoj të takoj zv/kryeministrin ai më pyeti si e gjete ti këtë (kompjuterin)? Unë i përgjigjem - në katalog. Ai më thotë, por ai është mall amerikan dhe është i ndaluar. Atëherë unë i them se nuk ishte i ndaluar me ligjin shqiptar. Po nga re në gjurmët  e tij ?- më pyet ai. Atëherë unë i them se e gjeta në zyrën e Sokol Hoxhës, i cili ishte Drejtor i Albtelekomit dhe ai atëherë e mbylli gojën. Unë i kisha treguar të vërtetën, unë e kisha parë në zyrën e Sokol Hoxhës, një kompjuter Apple 2, që ishin atëherë të vetmit kompjuter personal. Kështu që nuk ishte një kohë e thjeshte për këta profesionistë. Ishte  një kohë mjaft  e vështirë, por jam dëshmitar se ata kanë nxitur, kanë ndihmuar në çdo post, në çdo institucion që mund të sigurohej një kompjuter.

Ndaj jam shumë i gëzuar që Kristiani ka ardhur këtu dhe gjen një Shqipëri me parametra, krejtësisht të tjera nga ato që la, para largimit të tij në Kanada.

Urimet më të përzemërta!


22/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›