Kryeministri Berisha: Arsimi, një nga përparësitë më absolute të qeverisë
Kryeministri Berisha përshëndeti sot nga Universiteti Politeknik i Tiranës fillimin e vitit të ri akademik 2008-2009. Duke uruar 110 mijë të reja dhe të rinj që ulen sot në bangat e universiteteve, Kryeministri theksoi se ky vit shkollor nis në një stad të ri, që me liberalizimin e universiteteve brenda një kohe të shkurtër u kalua nga 14 studentë në 30 studentë për 1000 banorë. Kryeministri tha se nga katër herë më larg standardit europian tashmë Shqipëria është baraz me disa vende të Bashkimit Europian dhe po ecën e sigurtë drejt mesatares së BE-së.
Për qeverinë time dhe për mua, vijoi Kryeministri, përparësia më absolute është dhe do të jetë arsimi. “Në këtë periudhë kohe krahas liberalizimit ne kemi dyfishuar financimet për universitetet, kemi katërfishuar financimin për kërkimin shkencor, kemi ndërmarrë një reformë jetike për kërkimin shkencor duke e sjellë atë pranë universiteteve”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë kontekst Kryeministri Berisha tha se këtë vit janë shtuar 950 pedagogë të rinj dhe shprehu gatishmërinë për shtimin e pedagogëve të tjerë me qëllim që në universitete të dominojë cilësia. “Gara e cilësisë për arsimin është më jetike se çdo garë tjetër për të ardhmen e këtij kombi”, tha më tej Kryeministri.
Kryeministri u bëri thirrje pedagogëve që të bashkohen në luftën kundër korrupsionit, për të nxjerrë edhe provimet jashtë çdo lloj ndikimi siç u bë me procesin e pranimeve në universitet. “Kam shumë besim tek pedagogët tuaj. Kam vetëm një kërkesë; të luftojmë së bashku korrupsionin. E them këtë me kërkesën më miqësore dhe më të vendosur të luftojmë me vendosmëri korrupsionin. Unë jam pedagog kam dhënë mësim 23 vjet në universitet, nuk harroj kurrë ditët e pranimeve në universitete 3-4 vjet më parë. E nxorëm tërësisht jashtë çdo lloj ndikimi procesin e pranimeve në universitet. Tani bashkërisht me këta miq do të nxjerrim provimet jashtë çdo lloj ndikimi”, tha Kryeministri.
Nga ana e tij rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës Jorgo Kaçani falenderoi Kryeministrin Berisha për vëmendjen e vazhdueshme që i ka kushtuar dhe vazhdon t`i kushtojë sektorit të arsimit.
Duke iu referuar projektit për zgjerimin e hapësirave të universitetit, Kaçani tha se stafi drejtues i dalë nga zgjedhjet më demokratike që janë zhvilluar në universitete, ka përgatitur strategjinë e zhvillimit të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ai theksoi se kampusi parashikon ngritjen e një sipërfaqeje ndërtuese prej 60 mijë metra katrorë, me një kosto ndërtimi 37 milionë euro. Të gjitha këto do të çojnë në një dyfishim të numrit të studentëve të UPT-së, rreth 16 mijë studentë, të 1000 pedagogëve full time dhe përmbushjen e treguesve të standarteve europiane të shkollimit.
Kryeministri Berisha duke përgëzuar stafin drejtues të Universitetit Politeknik të Tiranës për hartimin e projektit i garantoi ata se qeveria do të investojë realizimin e tij.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
Shfrytëzoj rastin t`ju përcjell urimet e mia më të përzmerta mbi 110 mijë të rejave dhe të rinjve shqiptarë që ulen sot në bangat e universiteteve tona, të përshënders familjet e tyre, të shpreh bindjen se do të përmbushim me dinjitet projektin ëndërr të studimeve universitare. Të përshëndes pedagoget dhe pedagogët, asistentet dhe asistentët të gjithë punonjësit e universiteteve, të cilët nisin këtë vit shkollor në një stad të ri, nisin këtë vit shkollor në një kohë me liberalizimin e universiteteve ne ia dolëm në një kohë të shkurtër të kalojmë nga 14 studentë për 1000 banorë në 30 studentë për 1000 banorë. Nga katër herë më larg standardit europian, ne jemi tani baraz me disa vende të Bashkimit Europian dhe ecim të sigurtë drejt mesatares të Bashkimit Europian. Për qeverinë time, për mua përparësia më absolute është dhe do të jetë arsimi. Në këtë periudhë kohe krahas liberalizimit ne jemi përpjekur dhe kemi dyfishuar financimet për universitetet, kemi katërfishuar financimin për kërkimin shkencor, kemi ndërmarrë një reformë jetike për kërkimin shkencor, e sollëm atë pranë universiteteve.
Universitetet janë shtretërit e ngrohtë të mendimit intelektual të kombit. Asgjë nuk ka më qëndrore në dijet e një kombi se sa universiteti. Ndaj dhe ne jemi të angazhuar të bëjmë çdo përpjekje për modernizimin e universiteteve tona. Ambicja ime është shumë e madhe për universitetet, për arsimin në tërësi. Ka fusha që ne kombet e vogla jemi të dënuar përjetësisht për të mos u matur me kombet e mëdha dhe kombet e vogla mund të matemi me forcën më të madhe me të gjitha kombet tjera dhe një këto është arsimi, ndaj dhe unë ju garantoj ju se do të bëjmë çdo përpjekje gjersa të shoh arsimin shqiptar të kutouar aty ku e meriton kombi shqiptar. Jemi ende larg, duhet ta pranojmë, por është një fushë ku mund të ecim. Larg ishim dhe me klimën e biznesit dhe nuk them se jemi aty ku duhet, por të mos harrojmë se kemi kapur një nga pozicionet më të larta në botë për mbrojtjen e investimeve për regjistrimin e biznesit për krreditimin e ekonomisë. Do t`i marrim një nga një të gjitha praktikat dhe procedurat që na ndihmojnë ne për të dalë aty ku duhet.
Këtu kemi dhe Fakultetin e Ndërtimit, por lejet e ndërtimit në Shqipëri janë infernale. Duhen 350 ditë , asgjë s`na pengon ne të realizojmë standardin më të mirë. Leja e ndërtimit është shumë e rëndësishme sepse cili do të ishte ai biznesmen që do të donte të mbante paratë e tij 350 ditë në pritje të një leje? Ndaj dhe do t`i marrim të gjithë treguesit një nga një. Edhe në arsim të njëjtën gjë do të bëjmë. Këtë vit i kemi shtruar 950 pedagogë. Absolutisht edhe 950 të tjerë jemi të gatshëm të shtojmë . Mjafton këtu të dominojë cilësia. Gara e cilësisë për arsimin është më jetike se çdo garë tjetër për të ardhmen e këtij kombi. Këto janë vetëm fillimi. Projekti im për arsimin është shumë herë më i madh. Nuk do të lë përpjekje pa bërë që të shumëfishohen nga sektori publik dhe privat fondet për arsimin. Së pari ka një parim; e mira më e madhe e numrit më të madh . Numri më i madh jeni ju. Në Shqipëri ju jeni 700 mijë. Së dyti gara e dijes është promotori i zhvillimit dhe në këtë kontekst do të bëjmë të gjitha përpjekjet. Arsimi në Shqipëri do të njohë një transformim të thellë në vitet që vijnë, transformim që do të synojë mobilizim të gjitha resurset më të mëdha të mundshme të kombit drejt arsimit. Imagjinoi një qeveri, e cila sot është e detyruar të bëjë investime publike 32 % të buxhetit, të investojë në vit 1.2 miliardë dolllarë në rrugë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë, por e domosdoshme sepse rrugët janë shpejtësi, sepse ajo që na ka munguar gjithnjë është shpejtësia. Ne duhet të ecim shpejt për të kapur kohën e humbur. Sapo të çlirohemi nga kjo barrë e infrastrukturës e botës së tretë që trashëguam absolutisht arsimi do të njohë mbështetje, të cilën nuk e imagjinon dot njeri.
Kam shumë besim tek pedagogët tuaj, kam vetëm një kërkesë; të luftojmë së bashku korrupsionin e them këtë me kërkesën më miqësore dhe më të vendosur të luftojmë me vendosmëri korrupsionin. Unë jam pedagog kam dhënë mësim 23 vjet në universitet, nuk harroj kurrë ditët e pranimeve në universitete 3-4 vjet më parë. E nxorëm tërësisht jashtë çdo lloj ndikimi procesin e pranimeve në universitet. Tani bashkërisht me këta miq do të nxjerrim provimet jashtë çdo lloj ndikimi. Ne jemi të gatshëm të investojmë z. rektor do të investojmë plotësisht në projektin që keni bërë sepse duhet të jemi të hapur sepse në vitin 2006 nuk u realizuan investimet në universitete. Universitetet duhet të zhvillojnë kapacitetet investuese dhe ne do t`u sigurojmë fondet. Ne kemi krijuar Fondin e Ekselencës. Ne do të mbështesim çdo pedagoge ose pedagog që do të fitojë të drejtën për master në universitetetet perëndimore. Do të mbështesim secilin prej studentëve sado që të kushtojë bursa e tij në rast se fiton në garë të vazhdojë njërin prej 10 universiteteve në të mira të botës.
Aplikoni me kurajo, dhe qeveria do t`ju japë ju bursën kundrejt një kontrate. Arsimi do pasion, ju pasionin e keni, arsimi do kurajo, ju kurajon e keni, arsimi do vizion, vizioni është i qartë, arsimi do financime ne do t`i rrisim ato në mënyrë progresive më shumë se në çdo sektor tjetër.
Edhe njëherë ju uroj gëzuar dhe suksese !
13/10/2008