E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Arsimi profesional një zgjedhje e mençur për të ndërtuar të ardhmen

Kryeministri Berisha, i pranishëm sot në inaugurimin e rikonstruksionit të shkollës së Mesme Profesionale “Karl Gega”, në Tiranë, ftoi të rinjtë ta shohin arsimin profesional si një mundësi të madhe, ndërsa u shpreh se “kjo është një zgjedhje e mençur dhe një pikëmbështetje e fuqishme për të ndërtuar të ardhmen”.

“Në çdo sipërmarrje që kam vizituar, kërkesa më konstante e të gjithëve sëbashku ka qenë punonjës të kualifikuar, punonjës me profesione. Ndaj ne jemi përpjekur e përpiqemi shumë për zhvillimin e arsimit profesional,” - u shpreh Kryeministri, duke i garantuar të rinjtë se nga hapat e para që do të ndërmerret është krijimi i një fondi të veçantë për të financuar bizneset e tyre.

Shkolla “Karl Gega”, e rikonstruktuar me një fond 55 milionë lekë nga buxhetin i shtetit, ka një traditë të hershme (nga themelimi kanë dalë më shumë se 100 mijë specialistë) dhe është e organizuar në funksion të tregut të punës dhe një komponent themelor i kurrikulës së saj është praktika dhe bashkëpunimi i ngushtë me biznesin. Shkolla ofron arsim profesional për profilet specialist në ndërtim, topografi, termohidraulik, përpunim druri, konfeksione dhe automekanik dhe aktualisht përfitues në këtë shkollë janë 700 nxënës në sistemin  me kohë të plotë dhe rreth 40 nxënës me kohë të pjesshme.

Drejtori i shkollës tha se interesi për të ndjekur këtë shkollë është në rritje, kjo edhe për shkak të përshtatjes së saj me kushtet e tregut dhe rezultateve të saj, ku 15 përqind e nxënësve të saj ndjekin shkollat e larta dhe pothuaj të gjithë të rinjtë që kanë dalë prej saj janë të punësuar ose kanë krijuar biznese familjare.

Një nga të rinjtë që ka mbaruar këtë shkollë, duke sjellë përvojën e tij, tha se “ka një biznes të trashëguar familjar dhe kjo më bëri të nisja këtë shkollë profesionale. Ky ishte një avantazh shumë i madh, i dobishëm dhe një sukses në biznesin tim.”

“Si shkollë profesionale, “shkolla Karl Gega” ka nxjerrë profesionistë dhe biznesmenë të fuqishëm. Ne të rinjtë e sotëm kemi fatin të marrim informacion dhe horizont në të gjitha degët profesionale që ofron kjo shkollë,” – u shpreh një nxënëse e saj.

Ndërsa Kryeministri Berisha në përshëndetjet e tij u shpreh:

“Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht, shpreh kënaqësinë time të madhe që jam sot këtu, tek kjo shkollë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në Shqipëri në fushat e profesioneve të ndryshme, duke filluar nga ndërtimi e fusha të tjera. Shkolla “Karl Gega”, e cila u rindërtua me një fond prej 55 milionë lekë, ka marrë tani fizionominë e një shkolle më moderne, të standardeve të vendeve të zhvilluara. Një mirënjohje të madhe për mësuesit e nxënësit e kësaj shkolle, për këtë transformim të madh.

Një mirënjohje e veçantë i shkon qeverisë zvicerane dhe  qeverisë gjermane, të cilat me vendosmëri të madhe po na ndihmojnë të rindërtojmë sistemin e arsimit profesional, jashtëzakonisht i çmueshëm në sistemin arsimor të një vendi.

Tek ne, për rrethana të caktuara, arsimi profesional njohu pothuajse kolaps të plotë, pasi në masën 90 përqind ishte i orientuar drejt bujqësisë. Në këto vite, ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka, për ta vendosur arsimin profesional, në piedestalin që meriton. Gjatë vizitës në shkollë, u takova me një nxënës nga Marikaj, i cili po punonte në instalimin e mjeteve të ngrohjes. E përgëzova shumë për zgjedhjen e mençur që kishte bërë dhe garantoj të rinjtë se zgjedhja e arsimit profesional është një zgjedhje shumë e mençur, garantoj prindërit se zgjedhja e arsimit profesional për fëmijët e tyre është një zgjedhje shumë e mençur.

Të dashur nxënëse e nxënës,

ju keni fat të madh që në këtë moshë merrni profesionin që doni vetë, një profesion të shkëlqyer, i cili bëhet për ju një pikëmbështetje e fuqishme, për të ndërtuar jetën në mënyrën më të mirë. Ideja se arsimi profesional pengon ndjekjen e mëtejshëm të universitetit apo shkollave të tjera të larta është absolutisht e gënjeshtërt. Arsimi profesional ju ndihmon më shumë të ndiqni çdo shkollë që doni. Këtu folën dy biznesmenë të rinj, që ndërtojnë jetën me mundin e djersën e tyre, të cilët jo vetëm mund të ndjekin universitetin, por madje ta ndjekin atë ku të duan në Shqipëri,në Europë e në botë. Ftoj të rinjtë ta shohin arsimin profesional si një mundësi të madhe.

Të dashur nxënëse e nxënës,

dua t’ju them se për ju, tregu ka “uri” të madhe. Të falënderoj zoti drejtor për informacionin që dhatë. Nxënësit e shkollës punësohen 100 përqind. Në shkollë vizitova kabinetin e drurit. Dy ditë më parë, në Elbasan vizitova një nga fabrikat më moderne të teknologjisë më të lartë të përpunimit të drurit. Pronari i saj dhe ekonomistja e fabrikës më thanë se kishin nevojë për punonjës të kualifikuar. Në çdo sipërmarrje që kam shkuar, kërkesa më konstante e të gjithëve sëbashku ka qenë punonjës të kualifikuar, punonjës me profesione. Ndaj, ne jemi përpjekur e përpiqemi shumë për zhvillimin e arsimit profesional. 4-5 vjet më parë kemi pasur gjithsej 25 profile, sot kemi 60 profile, por nevojat mund të jenë për më shumë profile, 200-300. Tregu zhvillohet, tregu degëzohet dhe ne duhet të ecim një për një me kërkesat e tij. Katër vitet e fundit ka një kthesë, është rritur me 38 përqind numri i nxënësve në shkollat profesionale. 

Të dashur nxënëse e nxënës,

Kjo shkollë që mban një emër të madh, emrin e një gjeniu të vërtetë në fushën e  ndërtimeve, i cili 150 vjet më parë do të ndërtonte hekurudha aty ku nuk ia priste mendja akujt se mund të ndërtoheshin, në Alpet e Austrisë, Karl Gega. Kjo shkollë ka potenciale të jashtëzakonshme, sepse asistohet nga institucione të qeverisë zvicerane, vend i cili ka një nga traditat më të shkëlqyera në botë në këtë fushë, asistohet nga qeveria gjermane, vend i cili nëpërmjet arsimit profesional ka bërë që ekonomia e vet të qëndrojë në çdo kohë, lokomotive e zhvillimi të ekonomisë europiane. Ndaj, ne do të bëjmë çdo gjë për zgjerimin  tij. Unë ju bëj thirrje zoti drejtor e të nderuar mësues, natyrisht, kundrejt  shpërblimit tuaj, të bëjmë çdo gjë që shkolla të përdoret pasdite. Zoti ministër, të shtojmë personelin, t’i paguajmë për pasditen dhe ta bëjmë këtë, një qendër të fuqishme që kompani të ndryshme të sjellin të rinjtë, punëtorët e tyre për kualifikim.

Të dashur biznesmenë të rinj, dua t’ju garantoj se një nga hapat e para që do të ndërmarrim do të jetë krijimi i një fondi të veçantë për t’ju financuar juve, për të financuar bizneset tuaja, bizneset e vajzave e djemve që mbarojnë shkollat profesionale, në mënyrë që fillimisht të vetëpunësoheni e më pas të krijoni vende të tjera pune për të tjerët.

Të dashur mësuese e mësues,

Në këto vite, unë besoj se me qëndrimet tona kemi faktuar se për ne, arsimi është gjëja më serioze e këtij kombi dhe këtij vendi. Ne e kemi faktuar këtë, sepse këto vite ne kemi ndërtuar e rindërtuar infrastrukturë moderne shkollore, mbi 1300 shkolla. Natyrisht kemi disa qindra për të ndërtuar e rindërtuar, por ne do të bëjmë gjithçka që nxënësit tanë të ulen në banka e kushte njëlloj me bashkëmoshatarët e tyre në vendet e zhvilluara.

Në këtë reformë, ne kemi konsideruar e konsiderojmë qendror rolin, kontributin e performancën tuaj. Në një akt jo të paguximshëm, ne shpallëm përparësi madhore rritjen e rrogave tuaja. Sot, krahasuar me 2005, rrogat e mësuesve janë rritur me 120-140 përqind. Sot nuk largohet kush nga arsimi, për të gjetur diku tjetër një punë më të mirë, siç ndodhte më përpara. Sot, arsimi është një proces shumë serioz. Puna e arsimtarit, një detyrë e kërkuar. Por ne nuk do të ndalemi me kaq. Ne do të vazhdojmë dhe unë ju garantoj se gjatë mandatit të ri, rroga e arsimtari do të jetë 700 dollarë. Ne përparësojmë rrogën tuaj, sepse asgjë nuk ka më të rëndësishme për Shqipërinë e shqiptarët sesa gara e dijes, sesa vendosja e Shqipërisë në shinat e dijes.

Pak vite më parë, ne kishim një numër studentësh ndër më të ulëtit për një mijë banorë. Ne ishim katër herë nën mesataren europiane. Këtë jua them të gjithë atyre, të cilët pretendojnë se po teprohet, atyre që i shpallin universitetet tona piramida, atyre që deklarojnë se mësuesit tanë janë më të padijshëm se ata 100 vjet më parë apo që deklarojnë se nxënësit hyjnë si dele në klasë. Atyre u them se këto janë që të gjitha absurditete. Mësuesit tanë sot kanë dije, i përmirësojnë ato dhe po formësojnë një sistem modern arsimor. U them atyre se universitetet tona nuk janë pa dobësi, por se ato po zbatojmë gjithnjë e më shumë praktika të reja në rritjen e cilësisë së tyre. U them këtyre zotërinjve se Shqipëria kishte në vitin 2005, një ndër nivelet më të ulëta në botë për përqindjen e qytetarëve të diplomuar në universitete, vetëm 3.4 përqind. Ndërkohë që bota e qytetëruar, këtë përqindje e kishte nga 25 në 32 përqind. Raportet e institucioneve ndërkombëtare faktojnë se në vitin 2000, Shqipëria, një komb me tre milionë dhe me përqindjen më të lartë të të rinjve në Europë, diplomoi gjithsej 6 mijë të rinj e të reja në universitetet e saj. 25 mijë u diplomuan vitin që kaloi. Askush nuk duhet të ketë frikë nga diplomat, por dhe të bëjmë gjithçka pe të ecur drejt cilësive gjithnjë e më të mëdha.

Unë kam besim të madh se në këtë proces transformimi, ne do të hapim horizonte  e cilësi të reja. Gara e dijes është gara e të gjitha garave për këtë komb, që të kapë nivelet më të larta të zhvillimit. Në këtë proces, ne kemi një favor të jashtëzakonshëm. Favorin e projektit tonë të anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian. Shumë shpejt, Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat, status që u bllokua në mënyrën më absurde, më të padenjë, për tre ligje dhe pas saj, ju do të keni mundësi të punësoheni në Shqipëri, të ecim të sigurt të punësoheni në mbarë Europën. Ju do të keni mundësi të studioni në Shqipëri, por do të keni mundësi të studioni me fee-të më të ulëta në mbarë Europën. Asgjë më të rëndësishme se procesi i integrimit nuk ka dhe nuk mund të ketë për qytetarët shqiptarë.

Së fundi, ju përshëndes përzemërsisht. Kësaj radhe nuk u bë e mundur që 16- vjeçarët të marrin pjesë në votime. Atyre që e kundërshtuan votimin  e 16-vjeçarëve, ju propozoj të vijnë këtu e të shohin se çfarë prodhojnë e çfarë janë të bëjnë 16-vjeçarët në këtë shkollë e në mbarë Shqipërinë. Zotimi im është solemn: do të luftoj gjithë jetën, gjersa 16-vjeçarët të votojnë në Shqipëri.

Edhe një herë gëzuar shkollën!”


16/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›