E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në prezantimin e kandidatëve për deputetë të qarkut të Fierit

Kryeministri Berisha ishte sot pasdite në qytetin e Fierit, ku gjatë një tubimi elektoral u prezantuan kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për këtë qark.

Fjala e Kryeministrit në takimin elektoral, në qytetin e Fierit:

Qytetare dhe qytetarë të Fierit,

qytetarë të komuniteteve që përbëjnë këtë qytet të mrekullueshëm, që përbëjnë shpirtin, energjinë, entuziazmin dhe të ardhmen e këtij qyteti,

mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta!

Ndjehem shumë i nderuar dhe mirënjohës ndaj jush për këtë pritje shumë të përzemërt. Unë kam nder të madh t’ju paraqes juve sot këtu kandidatët për deputetë të qarkut të Fierit, vajza dhe gra, burra dhe djem të ndershëm, të përkushtuar, përfaqësues të vlerave tuaja më të mira.

Unë jam para jush për t’ju dhënë fjalën, për t’u zotuar se këta do të jenë përfaqësues, jo të Partisë Demokratike, por tuajt, të çdo qytetari, të interesave tuaja fisnike, të aspiratave tuaja, të halleve, derteve dhe problemeve tuaja. Me deputetët tuaj do të bëjmë gjithçka, me përkushtimin më të madh, t’u japim përgjigjen më të mirë interesave tuaja, t’u japim përgjigjen më të mirë aspiratave dhe problemeve tuaja. Unë e di se këto vite, së bashku, kemi arritur ndryshime të mëdha, të pamohueshme. Në këto vite, me përkushtimin tuaj dhe mbështetjen që i dhatë reformave, ne ia dolëm të marrim pasaportën më të shkëlqyer të historisë sonë, anëtarësinë në NATO. Ne e dimë se ëndrra juaj më e bukur për të ardhmen tuaj, për të ardhmen e fëmijëve tuaj është ta shihni veten qytetarë të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Unë dua t’ju garantoj se në vlerësimin tim nuk ka ëndërr më fisnike sesa kjo. Së bashku ne firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit; së bashku me përpjeke të mëdha ia dolëm të lëvizim të lirë, pa viza, në mbarë Evropën; së bashku ia dolëm që në tetor të vitit të kaluar Komisioni Evropian, duke shqyrtuar arritjet tuaja, progresin tuaj, duke parë sesa shumë ju e keni ndryshuar Shqipërinë dhe duke vlerësuar reformat tona, propozoi Shqipërinë për vend kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian la një detyrë shtëpie, la tre ligje për të votuar, për të cilët me ndërmjetësimin e tij ishte arritur ujdia absolute. Ato ligje nuk u votuan. Shqipëria nuk e mori statusin, sepse kreu i opozitës mori përsipër përgjegjësinë historike, të shkelmojë mbi një interes jetik të çdo shqiptari. Me atë lehtësi që shkelmon marrëveshjen me Petro Koçin, po me atë lehtësi shkelmoi edhe marrëveshjen me Komisionin Evropian. Ai shkelmoi çdo interes të qytetarëve të Fierit, të qytetarëve të Myzeqesë, të qytetarëve shqiptarë.

Por 23 qershori po vjen dhe, të gjithë së bashku, do të dimë të votojmë për të ardhmen tonë evropiane, do të votojmë për statusin e vendit kandidat, do të votojmë për hapjen e negociatave në Bashkimin Evropian.

Vëllezër e motra,

Në këto vite janë ndërtuar mijëra kilometra rrugë dhe dua t’ju them se kudo që kam shkuar kam parë se çdo kilometër rrugë është kilometër shpresë për njerëzit. Ne kemi ndërtuar shkolla të reja, kemi mbështetur mbi 40 mijë fermerë, kemi ndërtuar qindra ujësjellës, lamë pas kohë e ndërprerjes me orë të tëra të energjisë elektrike dhe ajo kohë nuk do të kthehet më kurrë. Ne kemi bërë gjithçka që pasuritë e Shqipërisë dora-dorës të shndërrohen në mirësi për qytetarët e saj. E vërteta është se këto kanë qenë kohët më të vështira për ekonominë evropiane dhe atë botërore, por lumenjtë e djersës që u derdhën, guximi juaj në iniciativën e lirë, hapësirat e lirisë që në kemi respektuar, reformat që kemi ndërmarrë, kanë bërë të mundur që në Shqipëri papunësia të ulej me 0.5 përqind. Ajo ishte 14.1 përqind, sot është 12.8 përqind. Këtë e tha edhe Komisioni Evropian dy javë më parë.

Vëllezër dhe motra,

Ne kërkojmë dhe do të bëjmë gjithçka që të sigurojmë punë për çdo shqiptar. Prandaj dhe ne, duke konstatuar se taksa e sheshtë dhe anëtarësimi në NATO bënë që katër vitet e fundit të marrim 4.2 miliardë dollarë investimeve të huaja, do të bëjmë gjithçka që nga taksa e sheshtë edhe heqja e taksës për çdo lloj kapitali ta bëjmë Shqipërinë një vend edhe më të tërheqës për investimet e huaja dhe vendase, ta bëjmë Shqipërinë të tërheqë gjithnjë më shumë investitorë të mëdhenj. Dy ditë më parë filloi punimet gjigandi i Devollit, rreth 1 miliardë euro investim. Ky investim nuk do të vinte kurrë në qoftë se norvegjezët nuk do të kishin besim të shqiptarët; nuk do të vinte kurrë në qoftë se ne të gjithë së bashku nuk do të kishim dëshmuar seriozitet ndaj të huajve dhe investimeve të tyre. Së shpejti priten investime të tjera shumë të mëdha, gazsjellësi TransAdriatik dhe shumë investime të tjera. Të gjitha këto do të bëjnë të mundur krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të reja pune. 

Së bashku këto vite ne hapëm një kapitull të ri në bujqësinë shqiptare. Unë kudo që shëtis, ndalem, vështroj e sodis kodrat e Mallakastrës. Ato më duken mua kodrat më të bukura të planetit, sepse janë qëndisur aq bukur me ullinj dhe po qëndisen gjithnjë e më shumë. Unë kam vizituar fermerë në Lushnje, në Divjakë, në Kosovë të Lushnjës, në Berat dhe më është bërë zemra mal kur kam parë sipërmarrje të fuqishme private në bujqësinë shqiptare; kur kam parë fermerë, burrë e grua, që drejtonin fermën me 500 krerë lopë race; kur kam parë një tjetër fermer që ka marrë djemtë nga Italia dhe ka ngritur fermën e eksportit total, të çdo gjëje që prodhonte nga serat e tij.

Ndryshimet janë, por edhe më të mëdha duhet t’i bëjmë ato. Në rast se ne financuam me grante 42 mijë fermerë, unë ju garantoj se në katër vitet që vijnë ne do të financojmë 3-fishin e tyre. Ne kudo po ndërtojmë rrugë, po ndërtojmë edhe në skajet më të largëta, edhe atje ku askush nuk i sheh, edhe atje ku askujt nuk i shkon mendja. Ne do të ndërtojmë aty ku ka shqiptarë dhe nuk tërhiqemi nga kjo.

Po afron dita që ne të nisim projektin tjetër po kaq madhështor, atë të vaditjes në të gjitha skajet e këtij vendi. Ne do të bëjmë gjithçka për punësimin e shqiptarëve, për mëkëmbjen e tyre. Të gjithë ju e dini se në vitet që shkuan, ne dyfishuam pensionet në fshat, rritëm me 70-80 përqind pensionet në qytet, mbi dyfishuam rrogat e arsimtarëve, mjekëve, infermierëve dhe punonjësve. Ne do të vazhdojmë të rrisim rrogat, do të vazhdojmë të rrisim pensionet, do të bëjmë gjithçka që ju të keni një jetë më të mirë, më dinjitoze, një jetë që e meritoni.

Vëllezër e motra ,

Alternativa jonë, po ta thjeshtosh, bazohet e tëra në lirinë tuaj, në mundin tuaj, në djersën tuaj, në kushtet që liria, djersa dhe mundi t’ju japë juve më shumë. 

Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është alternativa e atij që ka sy, por nuk shikon; e atij që ka veshë, por nuk dëgjon; e atij që mund të prekë, por nuk prek dot. Ajo është alternativa e atij që është ndryrë në autobus dhe krijon një botë të paqenë, një Shqipëri të gënjeshtërt, siç shprehet ai. Ata përpiqen me qëllim t’ju nxijnë juve çdo gjë dhe e justifikojnë këtë me sulmet ndaj qeverisë.

Zotërinj, në qoftë se në Shqipëri brenda një harku 3-4 vjeçar ka banesa të reja të ndërtuara më shumë se në të gjitha kohërat, kjo është vepër e grave dhe e burrave shqiptarë, të cilët punojnë nga mëngjesi deri në darkë për një jetë më të mirë, por edhe që lartësojnë gjithnjë e më shumë vendin e tyre. Atë ti nuk mund t’ua nxish me asgjë. Ne jemi krenarë me çdo arritje. Në qoftë se këta qytetarë shqiptarë me mundin dhe djersën e tyre ia dolën të anëtarësojnë Shqipërinë në NATO, ia dolën të lëvizin të lirë, kjo bën krenar çdo shqiptar dhe me asgjë nuk mund t’ia nxish atyre.

Cila është sot alternativa? Midis tre ligjeve me të cilat hapej dera e shqiptarëve për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian dhe katër partive komuniste që hyjnë për herë të parë në aleancë me Partinë Socialiste, u zgjodhën partitë komuniste. Zgjedhja dëshmon qartë se cila është mendësia dhe mentaliteti për orientimin tonë perëndimor, për integrimin tonë në botën perëndimore.

Zonja dhe zotërinj,

23 qershori është një zgjedhje e madhe midis modeleve, midis atij modeli dhe modelit që përpiqet të bëjë gjithçka për punësimin e qytetarëve shqiptarë; modelit që përpiqet të bëj gjithçka për rroga më të mira për shqiptarët; modelit që me gjithë dobësitë, të metat e vështirësitë, por që këto 20 vite është i vetmi që ka firmosur çdo akt madhor historik të integrimit të shqiptarëve në NATO, në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës; modelit që i besojnë dhe që do të çojë Shqipërinë drejt Evropës.

Përpara, për Shqipërinë e zhvilluar evropiane!

Përpara, për punësim më të madh, për rroga më të mëdha, për mirëqenie më të madhe!

Përpara, për integrimin e Shqipërisë në Evropë!

Rroftë Fieri!

Rroftë Shqipëria!”


15/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›