E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron sistemin e ri të kontrollit te Operatorit të Sistemit të Transmetimit

Kryeministri Berisha inauguron sistemin e ri të kontrollit te Operatorit të Sistemit të Transmetimit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e sistemit të ri të kontrollit OST, SCADA/EMS të  Qendrës Kombëtare Dispeçer. Ky është një nga projektet më të rëndësishme të Operatorit të Transmetimit, kap vlerën prej 17 milionë euro dhe është  realizua nga kompania Italiane ABB. Nëpërmjet këtij projektit modernizohen 14  nënstacionet e OST, në 6 HEC që janë në pronësi të KESH dhe 25 Nënstacionet e Shpërndarjes. Truri i Projektit të Sistemit të Ri SCADA/EMS  është përqendruar në sallën e kontrollit të Qendrës Dispeçer. Ky sistem mundëson, kontrollin dhe monitorimin në kohë reale nga Qendra Kombëtare Dispeçer  të sistemit elektroenergjetik. Mundëson operimin e tij në mënyrë optimale duke rritur besueshmërinë e funksionimit dhe cilësinë e shërbimit të energjisë elektrike si dhe optimizon shfrytëzimin e përbashkët të rezervës hidrike të Kaskadës së Drinit, me burimet e tjera të prodhimit të energjisë elektrike dhe shkëmbimet me fqinjët. Ky sistem është një mjet i domosdoshëm për operimin në tregun rajonal të energjisë elektrike, për të cilin qeveria Shqiptare ka marrë angazhimet përkatëse pranë institucioneve të Bashkimit Evropian.  Gjithashtu sistemi mundëson marrjen dhe dërgimin e të dhënave në kohë reale me sistemet fqinje me të cilat OST ka lidhje Interkoneksioni. Vënia në operim e këtij projekti është kusht i domosdoshëm për operimin e sistemit tonë elektroenergjetik në paralel sinkron me rrjetin Europian të transmetimit në përputhje më të gjitha kriteret teknike dhe është kusht për anëtarësimin e OST në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për energjinë elektrike (ENTSO-E). Investimet në OST dhe KESH janë 770 milion euro, për  OST  janë investuar  240 milion euro, nga të cilat 220 milion euro janë kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe 20 milion euro nga vetë OST. Ndërsa për  KESH  janë investuar  530 milion euro.

Kryeministri Berisha u njoh nga afër me punën që specialistët bënin gjatë gjithë kohës në sallën e komandës të qendrës  dispeçer të sistemit energjetik shqiptarë, nga ku bëhet i gjithë komandimi i centraleve, nënstacioneve me rrjetin mbi 110 kV.

Kryeministri Berisha vlerësoi këtë investim si një kryevepër dhe një transformim rrënjësor të komandës së sistemit dhe kontrollit të tij. Pa diskutim, - tha kryeministri Berisha,- kjo është një mundësi shumë e madhe drejt optimizimit të të gjitha potencialeve. Kryeministri ka vlerësuar palën shqiptare për punën e bërë, dhe shprehu mirënjohjen e veçantë për  qeverinë italiane për investimet që ajo ka bërë në Shqipëri, megjithëse në këtë kohë nuk ka kaluar një moment të mirë ekonomik, por kjo se ka penguar Italinë mike të mos i ndërpresë investimet për Shqipërinë.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh se:

“I nderuar zoti Ambasador i Republikës së Italisë, Massimo Gaiani.

Të nderuar drejtues të OST.

Të dashur punonjës

Së pari dëshiroj të shpreh një mirënjohje më të thellë, qeverisë italiane, taksapaguesve italiane, për  bujarinë e tyre të madhe, kontributin thelbësor, të jashtëzakonshëm që kanë dhënë gjatë këtyre dy dekadave, Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përpjekjen e tyre, për të ndërtuar një jetë më të mirë, për tu ndarë me një të shkuar tepër të hidhur, për të ecur në rrugën e integrimit, në rrugën e begatisë.

Zoti Ambasador

Projektet e kooperacioniot italian janë të shtrira në mbarë vendin. Ato  kanë patur një ndikim thelbësor, në ndryshimin për mirë të qytetarëve shqiptarë, ato janë projekte që shtrihen në të gjitha fushat, në infrastrukturën bazë, në arsim, në shëndetësi , në fushën e sigurisë të mbrojtjes, nuk ka fushë, në të cilat marrëdhëniet tona të mos jenë të shkëlqyera, të mos jenë frytdhënëse. Por unë dua gjithashtu të informoj shqiptarët se gjatë këtyre viteve dhe gjatë vizitës sime të fundit në Itali, pak muaj më parë, qeveria mike italiane më informoi se kooperacioni me Shqipërinë do të vazhdojë, madje më paraqiten listën e projekteve ku ne duhet të ishim më të shpejtë, më të vëmendshme dhe kjo e dyfishon mirënjohjen tonë ndaj jush dhe ndaj qeverisë suaj e taksapaguesve tuaj.

Një falënderim zoti Ambasador për gjithë përpjekjen tuaj që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë  të njohin zhvillime gjithnjë e më të reja, gjithnjë e më pozitive. Unë dua të falenderoj qeverinë që ka realizuar këtë investim prej 17 milion eurosh, investim jashtëzakonisht nevralgjik për nga rëndësia e tij, investim, që bën të mundur që punonjësit e OST, sipërmarrja e OST  të ketë tani qendrën më moderne të kontrollit, të komandës, të optimizimit  të rrjetit dhe përdorimit të burimeve në këtë vend. Sapo e vizitova më rikujtoi disa nga qendrat më modern të Europës që kam pasur fatin ti vizitoj, në vizitat e mia në vende të ndryshme. Arritje shumë e madhe. Dua t’ju përgëzoj juve punonjësit dhe drejtuesit e OST për këtë arritje madhore, t’ju falenderoj dhe t’ju përshëndes për përkushtimin tuaj të madh, përpjekjen tuaj të jashtëzakonshme për zhvillimin e mëtejshëm dhe mirëmbajtjen e rrjetit të energjisë elektrike. T’ju përshëndes me këtë rast të gjithë punonjësit e sistemit energjetik të vendit, për punën e tyre të madhe që bëjnë. Vetëm pak vite më parë sipërmarrjet energjetike të  Shqipërisë ishin vendosur dhe funksiononin  mbi bazën e një rrethi të keq, të një rrethi vicioz. Atyre iu diktohej të vazhdonin politikën e vjetër të ndërprerjes masive të energjisë elektrike. Qytetarëve iu paraqitej mashtrimi se kaq mban rrjeti dhe  se nuk mund të importojmë. Në të katër anët  e vendit gumëzhinin gjeneratorët, qytete të tëra dënoheshin, vendoseshin në agoni energjetike.

Të dashur miq

Nëqoftese analizon kohën, e cila është gjithnjë më e çmuara e të çmuarave, mbi kohën ndikojnë faktorë të tjerë, e shpejtojnë, e ngadalësojnë, ndjekin ritmin e saj, por ka një faktor që kohën pothuaj e ndalon, që kohën pothuaj e zeron, që kohën e kthen prapa dhe ky faktor është energjia. Ndaj dhe unë ju përgëzoj juve, përgëzoj punonjësit e  tërë sistemit energjetik, se ju e patët të qartë, se vullneti politik është tjetër, se vullneti politik është që qytetarëve shqiptarë të mos iu mungojë as edhe një minutë energjia elektrike. Ju dëshmuat se ishit të zotë, ishit të aftë ta realizonit këtë dhe ne vendosëm një standard bazik, që duhet të kenë qytetarët e një vendi, që aspiron zhvillimin. Në këtë mënyrë gjatë këtyre viteve, kjo politikë u konsolidua. Vetëm këto katër vite në sistemin e energjetikës shqiptare, sektori publik ka investuar 730 milion euro. Në katër vitet e fundit, qeveria nuk lejoi rritjen as edhe një qindarkë të çmimit të energjisë, por kompensoi Entin Energjetik. Kompensoi edhe shumë më tepër, për shkaqe  të njohur tani edhe nga problemet e mëdha të krijuara nga thatësira e zgjatur, por edhe problemeve të padiskutuara të krijuara me keq menaxhimin. Ne nuk lejuam që qytetari shqiptarë të paguajë e ti rritet çmimi. Nuk lejuam, sepse koha është e vështirë dhe përsëri ne qëndruam  në mbështetje të sipërmarrjeve tona energjetike, qëndrojmë në mbrojtje të konsumatorit shqiptarë, por në mënyrë të ndershme.

Të dashur miq

Para se të zbres këtu, unë pyeta Luan Aranitasin se cili është konsumi mesatar ditor? Mu përgjigj se është vjetor dhe ai është 21 milion. Unë kam në memorie kohën, që nuk dua të kthehet kurrë më, që është 5-6 milion. Sigurisht Shqipëria është rritur këto vite. Cilido që do të lexoje gjen se nga viti ’92 në vitin 2012 prodhimi i brendshëm i Shqipërisë është rritur me 11 herë dhe ndokush mund të më thotë, se edhe rritja e konsumit të energjisë me 5-6 herë është normale. Jo, nuk bie dakord. Se historitë e zhvillimit janë libra të shkruajtur, ka vende që në 30 vite kanë patur rritje progresive ekonomike dhe janë gjigand, por në 30 vite kanë pasur gjithsej  vetëm 30 përqind të rritjes të konsumit të energjisë elektrike. Pse? Sepse janë përqendruar  tek efiçenca e përdorimit  të saj dhe ky tru që ne instaluam  këtu, ky i jep një ndihmë të jashtëzakonshme në optimizimin e burimeve, në efiçencën e përdorimit. Unë ju bëj thirrje të gjithë punonjësve të sistemit të energjetikës, në axhendën  tuaj, të vini si çështjen më të parë, rritjen e efiçencës  së përdorimit të energjisë. Ju bëj thirrje juve të guxoni të ndërmerrni  çdo investim  në interes të rritjes së efiçencës të përdorimit të energjisë. Nuk ka materie më të çmuar pas kohës. Nuk ka gjë më të çmuar se energjia, ndaj dhe ne të përpiqemi të rritemi, por me konsumin më minimal të mundshëm. Energjia për ne përbën një përparësi  absolute dhe besoj se e kemi dëshmuar këtë. Sot rrjeti energjetik shqiptarë është krejt tjetër, me lidhje ndërkombëtare të fuqishme. Këtu drejtori i OST z. Ibro më tregoi bllokun, i cili i është dedikuar plotësisht linjës Tiranë-Prishtinë dhe së shpejti finalizohet tenderi për ndërtimin e saj. Janë projektet dhe gjithçka për tu lidhur me Maqedoninë.

Zoti Ambasador

Qeveria do të vendosë se shpejti për të ndërtuar një linjë të re nënujore në partneritet publik-privat, që lidh Shqipërinë me Italinë, një treg  gjigand energjetik. Pas 30 vitesh kohe të ndalur në ndërtimin e hidrocentraleve, nga viti 2007 e deri më sot, ne ia kemi dalë të ndezim në Shqipëri garën më të pa shembullt më të pa precedent në hidroenergjetikë. Janë firmosur  127 kontrata, për ndërtimin e 363 hidrocentraleve, janë ndërtuar 53 dhe janë 103 të tjera në ndërtim e sipër. Nisën punimet në historinë më të madhe të energjetikës shqiptare Kaskadës së Devollit. Janë përgatitur studimet dhe janë të gatshme për ndërtimin e Skavicës dhe Kaskadës së Vjosës. Ne të gjitha rrjedhjet e lumenjve shqiptarë  janë bërë studimet për shfrytëzimin e  tyre në Kaskadë.  Ne synojmë absolutisht çdo burim, që mund të prodhojë energjinë elektrike ta përdorim për prodhimin e energjisë elektrike. Së shpejti do të shpalosim kuadrin e ri, për hidrocentralet më të vogla, në mënyrë që çdo burim uji ta shndërrojmë edhe në burim energjie elektrike. Investimet janë të mëdha në këtë fushë. Vetëm Kaskada e Devollit shkon pothuaj një miliard euro. Kudo po ndërtohet, së shpejti do të jemi vend eksportues i energjisë elektrike. Ndaj kësaj politike ngrihet si re e zezë, krijohen zyra të posaçme për të shqyrtuar konçensionet, të cilat janë votuar të gjitha në parlament. Unë i konsideroj këto veprime qesharake dhe i garantoj konçensionarët, se Shqipëria dhe shqiptarë u janë mirënjohës thellësisht atyre për guximin , vendimin e tyre për të investuar. Vetëm 5 ditë më parë unë isha në grykën e Vanajt , atje shkova për të inauguruar një rrugë dhe një hidrocentral. Por atje inaugurova rrugën dhe dy hidrocentrale dhe mësova se brenda qershorin në lumin Luma përfundon ndërtimi i 11 hidrocentraleve, të cilat sëbashku prodhonin sa Ashta.  Me Italinë dhe Greqinë mike punojmë me intensitet të madh për projektin më madhor energjetik në Europë që është gazsjellësi  Trans-Adriatik , kjo ka rritur shumë vlerësimin e komunitetit energjetik ndërkombëtarë për Shqipërinë. Ka sjellë në fokus të komunitetit energjetik ndërkombëtar edhe vendin e vogël, Shqipërinë . Ky projekt përsëri është një projekt i një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse do të bëjë të mundur që qytetarët shqiptarë të gatuajnë, të ngrohen me çmime shumë më të leverdishme. Me energjinë ne po bëjmë gjithçka të ecim me një zhvillim të qëndrueshëm dhe sot për sot, nuk ka investim më kapital sesa investimi në hidrocentrale . Ato kanë jetën më të gjatë kalojnë nga gjenerata në gjeneratë dhe ne duhet të ndjehemi të lumtur,  se po i ndërtojmë ato për vete, për fëmijët tanë, por edhe për fëmijët e fëmijëve tanë.

Edhe njëherë ju uroj shumë suksese të gjithë punonjësve dhe i shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë italiane për këtë dhuratë të mrekullueshme.

Faleminderit. ”


16/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›