Kryeministri Berisha: BERZH një nga partnerët financiarë kryesorë të Shqipërisë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Zv. Presidentin e Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim,(BERZH), z. Varel Freeman. Gjatë këtij takimi, u diskutua gjerësisht lidhur me bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe BERZH. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo bankë është një nga partnerët financiarë kryesorë të Shqipërisë.
“BERZH ka investuar në Shqipëri gjatë këtyre viteve 430 milionë euro dhe mund të theksoj se këtë vit dyfishon investimet krahasuar me vitin e kaluar”, deklaroi Kryeministri Berisha.
Gjithashtu, Kryeministri tha se gjatë takimit u ra dakord për shqyrtimin e projekteve të mëdha në infrastrukturë, energjetikë dhe në sektorin privat.
“Diskutuam për Unazën e Madhe të Tiranës, për lidhjet energjetike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për mbështetjen ndaj Shqipërisë për ndërtimin e një Termocentrali të përbashkët me qeverinë e Kosovës në zonat e liniteve në Kosovë. Mbi të gjitha, diskutuam për një mbështetje të madhe të BERZH-it për sektorin privat, në ndërtimin e porteve, të infrastrukturës rrugore, turizmit dhe minierave”, nënvizoi më tej Kryeministri Berisha, duke shtuar se BERZH, nëpërmjet granteve të saj, angazhohet të japë një ndihmë të madhe teknike për qeverinë shqiptare.
“Unë shpreha mirënjohjen më të thellë për ndihmën që BERZH na ka dhënë dhe shoh me optimizëm shumë të madh bashkëpunimin me këtë bankë në të gjitha drejtimet”, u shpreh Kryeministri Berisha, ndërsa shprehu falenderimet e tij për Zv. Presidentin e BERZH, Freeman, delegacionin që e shoqëronte dhe përfaqësuesin e BERZH në Tiranë, për përkushtimin dhe vëmendjen që tregojnë ndaj ndihmës për Shqipërinë.
Nga ana e tij, Zv. Presidenti i BERZH , z.Freeman, e cilësoi Shqipërinë si një vend me mundësi të mëdha zhvillimi. “Shqipëria është një vend me mundësi të mëdha,një nga vendet që shënon progres dhe zhvillim në zonën e Europës Juglindore dhe të Ballkanit . Ne si BERZH jemi shumë të kënaqur me rezultatet që kemi arritur me investimet këtu dhe kjo, duke parë një klimë shumë të mirë të investimeve që ka në vendin tuaj dhe shpirtin e fuqishëm të biznesit shqiptar për bashkëpunim”, u shpreh Freeman, duke shprehur besimin se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur, duke nënvizuar se BERZH është shumë e kënaqur që është partnere me qeverinë shqiptare.