E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Mbrojtjes Oketa inspekton Brigadën e Reagimit të Shpejtë

15 prill 2008. Në kuadrin e takimeve dhe inspektimit që po bën në  Forcat e Armatosura, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa ishte sot në  Brigadën e Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr. Pas pritjes me truproje nderi, Ministri i Mbrojtjes Oketa dhe autoritetet ushtarake që e shoqëronin u takuan me oficerët e shtabit dhe komandantët e reparteve të kësaj njësie. Më tej u dha një brifing për misionin, strukturat, detyrat dhe arritjet e shënuara nga kjo njësi.

Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë takim, theksoi se vizita në njësinë tuaj është vizita e parë që bëj në Forcat e Armatosura dhe kjo sepse ju jeni një nga njësitë më elitare të tyre. Kjo vizitë vjen pas ngjarjes së Gërdecit, ku ajo që ndodhi atje ishte një plagë për të gjithë ne, por që jam i sigurt që nga kjo të gjithë duhet të nxjerrim mësime, jo vetëm në Ministrinë e Mbrojtjes, por në të gjitha hallkat e tjera në Forcat tona të Armatosura.

Vij në Brigadën tuaj, vijoi më tej Ministri Oketa, edhe pas një lajmi shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Ministrine e Mbrojtjes, jo vetëm për Qeverinë Shqiptare, por për të gjithë popullin shqiptarë, marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.

Më poshtë, Ministi Oketa falenderoi Forcat e Armatosura dhe në këtë kontekst forcat e Brigadës së Reagimit të Shpejtë për arritjet e shënuara dhe  kontributin e dhënë në procesin e reformimit të tyre drejt integrimit në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Por, theksoi Ministri Oketa, sfida dhe standarde të tjera na presin në të ardhmen e afërt. Ne na ndanë edhe një vit nga samiti tjetër i NATO-s. Ne duhet të vazhdojmë me ritme më të përshpejtuara dhe me të njëjtin përkushtim për të merituar anëtarësimin e plotë vitin e ardhshëm në NATO.

Ministri Oketa falenderoi gjithashtu ushtarakët e kasaj njësie që kanë shërbyer dhe shërbejnë në misionet në Afganistan, si dhe në misionet e tjera, duke i bërë nder jo vetëm vetes së tyre, por edhe Ministrisë së Mbrojtjes, atdheut dhe flamurit.

Gjatë vizitës që bëri në Brigadën e Reagimit të Shpejtë, ministri i Mbrojtjes Oketa shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral lejtnant Luan Hoxha.

Brigada e Reagimit të Shpejtë, si njësia kryesore e Forcave tona të  Armatosura, vepron në përbërje të Forcës së Bashkuar. Struktura e saj përbëhet kryesisht nga batalione të këmbësorisë së motorizuar dhe reparte e nënreparte të mbështetjes logjistike të dislokuara në disa rajone të Shqipërisë. Misioni kryesor i saj është përmbushja e operacioneve luftarake në interes të ruajtjes së pavarësisë së vendit për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe rendit kushtetues. Pjesë e tij janë edhe operacionet jo luftarake në raste fatkeqësish brenda vendit, si dhe përgatitja dhe trajnimi i trupave ushtarake që nisen me mision paqeruajtës jashtë vendit.

Operacionet për mbështetjen e paqes përbëjnë nja nga detyrat kryesore të saj. Në kuadrin e misioneve paqeruajtëse, nga kjo njësi kanë kontribuar 21 misione në Bosnje-Hercegovinë; 12 misione në Kabul dhe dy misione në Herat të Afganistanit dhe 6 misione mjekësore në kuadër të ISAF në Afganistan. Kjo brigadë ka angazhuar në misionet jashtë vendit deri tani rreth 1850 ushtarakë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i misionit të saj është pjesëmarrja dhe kontributi në të gjitha operacionet humanitare në ndihmë të popullsisë të zhvilluara në Shqipëri si për shuarjen e zjarreve, përballimin e pasojave të shkaktuara nga kushtet e rënduara atmosferike dhe deri tek angazhimi për përballimin dhe evitimin e pasojave të rënda që shkaktoi tragjedia e Gërdecit, në të cilën kjo njësi mbajti peshën kryesore. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›