E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Prokurimet elektronike, dëshmi e vullnetit të hekurt të qeverisë për të luftuar korrupsionin

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot në mesditë, në ceremoninë e hapjes së tenderit elektronik për Prokurimet Publike në vend. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadori amerikan në Tiranë zoti John. L. Withers, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të qeverisjes vendore, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të donatorëve kryesorë në Shqipëri.

Përmes këtij procesi, qeveria e Shqipërisë, me mbështetjen e projektit të Marrëveshjes Prag të Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë,  vuri në funksionim sistemin e prokurimit elektronik, i cili mundëson zhvillimin on line të të gjithë procedurave të prokurimit në Shqipëri.

Sistemi i Prokurimit Elektronik përmbush standardet më të mira ndërkombëtare e rajonale dhe është zhvilluar në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian. Ky sistem mund të përdoret nga të interesuarit për pjesëmarrje ne tendera përmes faqes së internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP).

Kryeministri Berisha vlerësoi në fjalën e tij se përmes realizimit të këtij sistemi “Qeveria  dëshmon vullnetin e hekurt për të luftuar korrupsionin dhe dëshmon interesin e madh për të kursyer sa më shumë paratë e taksapaguesve shqiptarë”.

Kryeministri u shpreh se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe administratën publike në vend. “Kjo ditë shënon fillimin e një moshe të re, e një kohe të re në prokurimet publike, fillimin e moshës digjitale, më transparentes dhe më të domosdoshmes për Shqipërinë”, tha Kryeministri.

Kryeministri i shprehu mirënjohjen më të thellë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Korporatës të Sfidës së Mijëvjeçarit Ambasadorit Daniloviç, qeverisë amerikane, për ndihmën shumë të çmuar që kanë dhënë në zbatimin e këtij projekti, krahas projekteve të tjera, në kuadrin e Pragut të Mijëvjeçarit.

“Prokurimet Publike, si një nga veprimtaritë më të rëndësishme financiare dhe ekonomike të vendit, kanë qenë një nga problemet më madhore për Shqipërinë. Pas zgjedhjeve të vitit 2005, një nga ankesat më të shpeshta dhe natyrisht të turpshme, ishte se Autoritetet Kontraktuese nuk ju jepnin të interesuarve dosjet e prokurimit, ndërkohë që i shpërndanin ato me seleksionim, atyre që ata donin, duke ua mohuar të tjerëve. Kjo ishte një mënyrë jashtëzakonisht e pa pranueshme”, theksoi Kryeministri.

Duke u ndalur në punën e mirë të bërë nga Agjencia e Prokurimeve Publike, Kryeministri u shpreh se kjo agjenci bëri përpjekje të mëdha gjatë këtyre dy viteve  për të transformuar këtë proces në mënyrë rrënjësore. Së pari, ajo hartoi një ligj të ri të standardeve më të mira për prokurimet.  Së dyti, ajo hartoi një projekt në kuadrin e Sfidës së Mijëvjeçarit për Prokurimin Publik, së bashku me  kompaninë e kontraktuar nga USAID, në kuadrin e këtij projekti.

“Prokurimi elektronik nisi me një agjenci të re, të sapokrijuar, në mënyrë që të zvogëlohen shpenzimet e Administratës Publike. Unë dua ta përgëzoj Agjencinë e re, që ka vetëm 2-3 muaj që është krijuar dhe që ka dëshmuar qartë se dëshiron të bëjë një punë transparente”, vijoi Kryeministri.

Më tej, Kryeministri ftoi të gjitha agjencitë e tjera të procedojnë me shpejtësi në këtë drejtim. “Nuk ka asnjë pretekst që mund të justifikojë vonesat në prokurimin elektronik në agjencitë e tjera. Është jetike që Drejtoria e Rrugëve, Ujësjellësit e kanalizimet, ministria e Shëndetësisë dhe ministria e Arsimit, ministra e Mbrojtjes dhe të gjitha ministritë e tjera, të gjitha bashkitë e mëdha të vendit, të gjitha autoritetet kontraktuese, të instalojnë me shpejtësi programin dhe të aplikojnë prokurimin elektronik”, theksoi Kryeministri.

Duke theksuar se kjo procedurë ka dhënë fryte konkrete në shumë vende, Kryeministri tha se Aleanca e Atlantikut te Veriut raporton se, duke aplikuar këtë sistem, ka realizuar një kursim prej 30-40 për qind në prokurimet e saj. “Shqipëria ka nevojë më shumë se kushdo tjetër që të kursejë në prokurimet e saj. Ndaj, duke i dhënë këtij aspekti një përparësi shumë të madhe, duhet të ecim me shpejtësi drejt finalizimit të këtij projekti në çdo agjenci. Me këtë, ne dëshmojmë vullnetin e hekurt për të luftuar korrupsionin, dëshmojmë interesin e madh për të kursyer sa më shumë paratë e taksapaguesve shqiptarë”, nënvizoi Kryeministri

Reformat në prokurimin publik mbështeten nga Marrëveshja Prag e Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë ndërmjet qeverisë së SHBA-së dhe qeverisë shqiptare, e cila administrohet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Projekti dyvjeçar ndihmon qeverinë shqiptare në reformimin dhe modernizimin e administratës tatimore, prokurimit publik dhe regjistrimit të biznesit nëpërmjet zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe përmirësimeve legjislative.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›