Kryeministri Berisha: Bajrami, dita e nderimit të sakrificës

Ashtu si cdo vit politika shqiptare nuk i ka devijuar traditës edhe këtë Bajram. Kryeministri i vendit Sali Berisha, i shoqëruar dhe nga zonja e tij Liri Berisha zhvilloi një vizitë në selinë e Komunitetit Musliman, për të ndarë me drejtuesit e këtij komuniteti por dhe të gjithë besimtarët urimet për këtë ditë të begatë. Në një prononcim për mediat Kryeministri ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë, për ditën e nderimit të sakrificës, sic e vlerësoi ai.
“Sot kurorezojmë këtë ditë të bekuar. Vendimi i të gjithë agjëruesve për t`iu përkushtuar dhe nderuar Zotin, për të sakrifikuar në këtë verë të nxehtë është një frymëzim për të gjithë. Nuk ka përkushtim më epror se përkushtimi ndaj Zotit. Urojmë të gjithë besimtarët e Zotit gëzuar këtë ditë, ditën e nderimit të sakrificës. Nderimi për sakrificën është nderimi për arritjen, ndryshimin, për të mirën dhe mirësitë, të urojmë Gëzuar me shpresën se Bajramin tjetër ta festojmë më mirë, më të lirë, më të begatë më të sigurtë, sic e meritojmë . Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen” tha Kryeministri.
Ndërkaq edhe Kreu i selisë rozë Edi Rama përmes rrjetit social twitter ka uruar të gjithë besimtarët për Fiter Bajramin, ndërsa në emër të Partisë Socialiste, sekretari organizativ Blendi Klosi vizitoi më herët selinë e Komunitetit Muslimanë ku uroi të gjithë shqiptarët për një rilindje të re.