Ministria e Brendshme përgënjeshtron lajmet për eskortën e Kryeministrit

“Grupet e shoqërimit, numerikisht disa herë më pak se ato para vitit 2005”. “Informacione të pavërteta kanë dezinformuar opinionin publik”
Ministria e Brendshme përgënjeshtron lajmet e dhëna në disa media lidhur me eskortën e kryeministrit Berisha, duke saktësuar se këto të përditshme me këto informacione të pavërteta kanë dezinformuar opinionin publik.
Përmes një njoftimi për shtyp Ministria e Brendshme sqaron se, “të gjitha personalitet e larta të vendit, por edhe të huaj që vizitojnë Shqipërinë, kanë gjithë mbrojtjen dhe sigurinë e plotë në veprimtarinë e tyre, nga Garda e Republikës”.
Ministria e Brendshme sqaron se pas ardhjes në pushtet të PD-së, në vitin 2005, bazuar në premtimin e saj për Qeveri të vogël dhe pa badiguardë, si në të gjithë sektorët ashtu edhe në Gardën e Republikës, “u kryen reforma të thella”.
“Këto reforma - vijon saktësimi i Ministrisë së Brendshme bënë të mundur që efektivi i saj të zvogëlohej me një të tretën e efektivit të saj të mëparshëm. Konkretisht, efektivi i Gardës së Republikës ka sot 1377 punonjës ushtarakë dhe civilë, kundrejt 1969 punonjës që kishte në vitin 2005”.
Në vijim të përgënjeshtrimit të ngritur nga një e përditshme, Ministria e Brendshme thekson se “grupet e shoqërimit të Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Kryetares së Parlamentit janë numerikisht disa herë më pak se sa ishin ato para vitit 2005”. “Saktësisht: nga 40-50 efektiva që kishin para vitit 2005, ato kanë sot një efektiv prej 13-17 efektivë secili, duke zvogëluar me tre herë shpenzimet-përfundon njoftimi i Ministrisë së Brendshme”, thuhet më tej në reagimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.