E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Bashkimi Mesdhetar, një realitet i rëndësishëm historik që duhet respektuar dhe nxitur

Kryeministri Sali Berisha ndodhet në Monako për të marrë pjesë si i ftuar nderi në Forumin e Crans Montana-s, që zhvillohet nga data 26-29 qershor. Sot, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm si referues kryesor në panelin plenar me temë " Drejt një Unioni Mesdhetar", për të diskutuar rreth rëndësisë së projektit mbi krijimin e një bashkimi mesdhetar, një ide fillimisht franceze, por që ka marre tashmë një dimension europian.          
 
Në fjalën e tij, Zoti Berisha nënvizoi rëndësinë e një iniciative të tillë, të drejtuar nga Presidenti francez Nikola Sarkozy dhe e mbështetur plotësisht nga vendet europiane, veçanërisht Gjermania, për ridemisionimin e procesit të Barcelonës. Kryeministri e konsideroi këtë iniciative si një projekt i rëndësishëm  historik. “Unioni Mesdhetar, - theksoi Kryeministri Berisha - paraqet në fakt një realitet historik që duhet respektuar dhe nxitur për të zgjeruar marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve mesdhetare, si dhe bashkëpunimin e vendeve mesdhetare me vendet europiane”. Zoti Berisha theksoi se kjo iniciativë vjen në një kohe kur Europa ka shënuar një progres të rëndësishëm në zgjerimin e saj.  

Zoti Berisha përshëndeti rëndësinë e krijimit të këtij Bashkimi Mesdhetar për të mundësuar realizimin e projekteve të propozuara në fushën e shfrytëzimit të potencialeve të energjisë diellore, të zhvillimit të infrastrukturës detare, të bashkëpunimit në mbrojtjen kundër ndotjes së  brigjeve detare të vendeve mesdhetare, të sigurisë së vendeve mesdhetare, si dhe të rëndësisë së bashkëpunimit universitar ndërmjet vendeve të Bashkimit Mesdhetar.

Bashkimi Mesdhetar, një projekt i iniciuar si një iniciative europiane nga Presidenti Sarkozy do të kontribuojë jo vetëm në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, por synon të japë kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve në rajon dhe në veçanti të konfliktit izraelito-palestinez. Ky projekt synon gjithashtu të jetë një mbështetje e fuqishme në luftën kundër terrorizmit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›