Kryeministri Berisha: Bota financiare ka nevojë për një Martin Luther të ri në sektorin financiar
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Bruksel, mori pjesë sot, si i ftuar nderi, në Simpoziumin e Lidershipit dhe Biznesit Ndërkombëtar.
Ne fjalën e mbajtur në panel, Kryeministri Berisha vlerësoi përpjekjet e vendeve të zhvilluara dhe angazhimet e tyre për zgjidhjen e krizës financiare, duke vlerësuar përpjekjet e G-20 dhe G-8.
Kryeministri Berisha vuri në dukje se sistemi financiar botëror ka nevojë për një Martin Luther të ri, si domosdoshmëri për të përkufizuar rregulla të reja të kontrollit dhe të transparencës në sektorin privat, veçanërisht në atë financiar. Duke theksuar se lufta dhe veprat për parandalimin e korrupsionit duhet të zhvillohen jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat, Kryeministri Berisha u shpreh se influenca dhe roli i këtij sektori është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi.
Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij, prezantoi disa nga zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si dhe progresin e saj në procesin e integrimit euro-atlantik. Në këtë kontekst, Kryeministri bëri një ekspoze të ecurisë së reformave në sektorë të rëndësishëm, si rezultat i të cilave Shqipëria shënon një rritje të ndjeshme ekonomike. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha theksoi angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare për të luftuar pa kompromis korrupsionin në të gjitha fushat, si dhe për të nxitur pjesëmarrjen sa më aktive të investitorëve të huaj në vendin tonë.
Në panelin e këtij simpoziumi, Kryeministri Berisha ishte së bashku me zotin Nirj Devo, anëtar i Parlamentit Europian, Zëvendëspresidentin e Bankës Boterore për zhvillimin e sektorit financiar privat, zotin Michael Klein, drejtuesin e Këshillit të Organizatës Tranparency International Prof.Doc. Peter Eigen, ish Drejtorin e Financimit të Korporatave, në Komisionin Europian Prof. Rudy Aernoudt, si dhe Presidentin e Organizatës Ndërkombëtare të Vlerave Njerëzore, zotin Hans Martin Schempp.
14/11/2008