Kryeministri Berisha takon në Bruksel Kryetarin e Bordit të Këshillit të Transparency International Peter Eigen
- Zoti Eigen shprehu vlerësimet pozitive për rezultatet më të fundit në Shqipëri në luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut në vend.
Kryeministri Berisha u takua sot, në Bruksel, me Kryetarin e Bordit të Këshillit të Transparency International (Koalicioni Global kundër Korrupsionit) Peter Eigen.
Gjatë takimit me Zotin Eigen, Kryeministri Berisha u ndal në reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit, si dhe eliminimin e konfliktit të interesit në administratën publike, përfshirë zyrtarë të lartë të saj. Në drejtim të efikasitetit të kësaj lufte, Kryeministri Berisha theksoi të rëndësishëm faktin se në Shqipëri nuk ka më prokurime të drejtpërdrejta, por të gjitha procedurat zhvillohen në mënyrë elektronike dhe se me ndihmën e USAID qeveria shqiptare ka ndërmarrë tre projekte që konsistojnë në vendosjen e procedurave elektronike për biznesin si ‘one stop shop’ për regjistrimin e bizneseve, prokurimet dhe taksat elektronike.
Kryeministri Berisha bëri të njohur se qeveria shqiptare po asistohet nga Banka Botërore dhe po ndërmerr veprimet për t’u bërë pjese e EITI, një iniciative që analizon nivelin e transparencës në zhvillimin e industrisë në vende të ndryshme.
Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu, rëndësinë që ka heqja e privilegjeve për parlamentarët e vendit.
Zoti Eigen u shpreh entuziast për potencialet e mëdha që ofron Shqipëria në sektorin e investimeve. Zoti Eigen i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet pozitive për rezultatet më të fundit në Shqipëri në luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut në vend.
14/11/2008