E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon aktorin e Hollivudit me origjinë shqiptare, Xhim Belushi

Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të aktorit të mirënjohur të Hollivudit me origjinë shqiptare, Xhim Belushi, i cili po zhvillon një vizitë në Shqipëri.

Z. Belushi e vlerësoi si kënaqësi të veçantë dhe emocion të madh këtë vizitë të dytë të tij  pas 13 vitesh në vendin e origjinës, vendin që i ka dhënë identitetin.


Aktori i mirënjohur u shpreh i impresionuar nga ndryshimet që ka bërë Shqipëria, ndërsa i kujtoi Kryeministrit Berisha se ëndrrat që kishte për Shqipërinë gjatë kohës që ishte President, po i shndërron në realitet si Kryeministër.

Z. Belushi tha se Shqipëria po ecën në rrugën e drejtë dhe po zhvillohet me shpejtësi. Ai theksoi se jehona që kishte ndjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimin e vrullshëm të vendit tonë, pati rastin ta  shohë dhe ta prekë në realitet.

Aktori i Hollivudit shprehu kënaqësinë që nëpërmjet kompanisë kanadeze në fushën e minierave “Balkan Resources” po kontribuon me imazhin e tij për promovimin e investimeve të huaja në Shqipëri.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të dytë kaq të motivuar  të aktorit hollivudian dhe e siguroi ate se qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë investimet e huaja dhe vendase duke bërë ekonominë shqiptare konkurruese në botë.                  


13/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›