Kryeministri Berisha: Do të ndjekim me seriozitet e përgjegjësi të madhe procesin e anëtarësimit të plotë në NATO
Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se qeveria do ta ndjekë me seriozitet dhe përgjegjësi të madhe përmbushjen e shpejtë të detyrimeve që dalin nga marrja e ftesës për anëtarësimin e plotë të vendit në NATO.
“Ky proces i shumëpritur nga shqiptarët, i cili njohu kulmin e tij në Bukuresht me marrjen e ftesës, duhet të eci me shpejtësi për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga kjo ftesë, në mënyrë që ne të jemi të gatshëm për aktin e anëtarësisë të plotë në një kohë sa më të shkurtër. Nuk duhet të ketë asnjë lloj çështjeje nga pala shqiptare që ta vonojë qoftë edhe një ditë këtë proces madhor të historisë sonë. Ky është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ne duhet t’i përgjigjemi atij me seriozitetin më të madh,” u shpreh Kryeministri.
Duke folur për rëndësinë e këtij procesi, Kryeministri tha se reformat e gjithanshme do të jenë përparësia e qeverisë në këtë drejtim.
“Reformat në luftën kundër krimit të organizuar, reforma në fushën fiskale, ekonomike, në fushën e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit, në fushën sociale, të arsimit etj. duhet të jenë kryefjala dhe përparësia jonë absolute. Unë jam i bindur se më shpjet nga çmendohet Shqipëria do të marrë anëtarësimin e plotë.”
Kryeministri theksoi se zbatimi i reformave të mëdha të ndërmarra nga qeveria, parlamenti dhe të gjitha institucionet e vendit ishin faktor përcaktues për marrjen e ftesës.
“Këto reforma e bënë Shqipërinë një shembull frymëzues për vendet e rajonit, e bënë atë të përshtatshme dhe të përzgjedhëshme për të marrë ftesën, duke plotësuar kështu dëshirën më të madhe politike të 95 për qind të qytetarëve shqiptarë,” tha Kryeministri.
Shqiptarët, theksoi Kryeministri, e kanë pritur me këtë çast me kënaqësinë, mirëkuptimin dhe vlerësimin më të lartë.