Kryeministri Berisha përshëndet fitoren e Silvio Berluskonit në zgjedhjet e përgjithshme në Itali
Kryeministri Berisha përshëndeti sot, në një deklarim për mediat, fitoren e Silvio Berluskonit në zgjedhjet e përgjithshme në Itali.
“Mbrëmë, në Itali, korri një fitore të shkëlqyer një mik i madh i Shqipërisë, i Partisë Demokratike, miku im, Silvio Berluskoni. Marrëdhëniet midis Shqipërisë e Italisë kanë qenë marrëdhënie të shkëlqyera që nuk kanë ndryshuar dhe nuk janë ndikuar nga spektri politik që ka qeverisur. Por natyrisht fitorja në Itali e partisë së Silvio Berluskonit, aleatit më të ngushtë të partisë në pushtet në Shqipërisë, është eveniment i madh jo vetëm për qendrën e djathtë italiane apo qendrën e djathtë shqiptare, por për mbarë qendrën e djathtë evropiane. Unë pata një bisedë shumë të përzemërt me mikun tim që në orët e para të fitores së tij dhe i shpreha një urim shumë miqësor. Të dy ramë në të njëjtën linjë që të intensifikojmë marrëdhëniet midis dy vendeve, midis dy miqve, marrëdhëniet midis dy forcave politike, marrëdhëniet e gjithanshme. Edhe një herë dua t’i përcjell urimet më të përzemërta Kryeministrit të ditëve afërta të Italisë Silvio Berluskoni, si dhe të shpreh, gjithashtu, falënderimet e mia ndaj Kryeministrit Romano Prodi për ndjenjat e tij thellësisht miqësore, të dëshmuara ndaj Shqipërisë e shqiptareve dhe mbështetjen dhe ndihmën që ai ka dhënë. Kjo ishte një çështje për të cilën unë nuk mund të mos dilja sot para jush.”
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve në lidhje me reformën e sistemit zgjedhor, Kryeministri tha se kjo reformë është zhvillim madhor për interesin e vendit dhe po diskutohet me të gjithë faktorët. Ajo nuk synon cenimin e interesit të asnjë force politike, por, përkundrazi, synon një hap tjetër të madh përpara drejt projekteve madhore të vendit e kombit, integrimin.