Kryeministri Berisha:Nxitja dhe fuqizimi i biznesit detyrim madhor per administraten publike
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të skanerit në Portin e Durrësit, dhuratë e qeverisë së Republikës Popullore të Kinës.
Pasi shprehu mirënjohjen e thellë ndaj qeverisë kineze për këtë dhuratë të çmuar dhe bujare për sistemin doganor në Shqipëri, dhe firmën NUTECH për angazhimin e saj në montimin dhe vënien në funksion të kësaj pajisje, Kryeministri Berisha tha se instalimi i skanerit të parë në doganat shqiptare shënon një ngjarje të rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë e tyre dhe përpjekjet e këtij sistemi për modernizim.
“Ligji i parë i doganës duhet të jetë transparenca. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se një veprimtari transparente në dogana. Ato janë pikat e para të kontaktit qoftë për biznesin qoftë për imazhin e vendit”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri nënvizoi se skaneri është mjeti i mrekullueshëm që rrit këtë transparencë dhe që lehtëson shumë funksionimin e doganës, por lehtëson shumë dhe shërbimet ndaj biznesit, të cilat janë dhe mbeten një qëllim madhor i të gjithë sistemit tonë publik.
“Instalimi i skanerit u jep doganave shqiptare një dimension të ri, i cili duhet të përparësohet çdo ditë e më shumë . Doganat janë në të gjitha vendet e lira, vende të cilat kujdesen për garantimin e lirive të tyre, një institucion i sigurisë kombëtare i dorës së parë. Në këtë kontekst instalimi i skanerit përbën një ngjarje shumë të rëndësishme, por do ta quaja një fillijm të ri ndaj z. Drejtor dhe z. zv/ministër, duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që këtë shërbim ta shtrijmë me shpejtësi në të gjitha pikat doganore të vendit”, u shpreh më tej Kryeministri Berisha.
Kryeministri tha se duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për trajnimin, instruktimin dhe aftësimin e doganave shqiptare që të përmbushin me përgjegjësi të madhe detyrat e tyre të sigurisë kombëtare të një vendi të lirë.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu garancinë dhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për çdo projekt të doganave dhe tatimeve.
“Ju folët për detektorët e radiokativitetit, të cilët janë jashtëzakonisht të rëndësishëm, por çdo lloj mjeti që do t`ju duhet ju për të përmbushur këtë detyrim madhor ndaj qytetarëve dhe vendit, qeveria është e gatshme t`ju mbështesë”, tha Kryeministri.
Më tej Kryeministri Berisha përgëzoi doganat që po kalojnë në sistemin Asikuda World, duke nënvizuar se ky projekt është jashtëzakonisht i domosdoshëm për t`u vënë në përdorim një minutë e më parë.
“Çdo përpjekje për të lehtësuar barrën e biznesit shqiptar është një përpjekje e madhe për zhvillimin e vendit për rritjen ekonomike dhe për punësimin e qytetarëve. Ndaj dhe ne duhet të mendojmë në raportet e reja që krijojmë me biznesin t`i ofrojmë atij të gjitha lehtësitë e mundshme”, u shpreh Kryeministri Berisha duke theksuar se deklarata online dhe zhdukja e hallkave tw ndwrmjetme është një lehtësi e madhe për biznesin. “Unë e siguroj komunitetin e biznesit se qeveria është jashtëzakonisht e vëmendshme ndaj problematikës së tyre dhe është jashtëzakonisht e gatshme të ndërmarrë hapa shumë të thella të mëtejshme”, theksoi më tej Kryeministri.
Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se së shpejti qeveria do të shpallë një thjeshtim të madh të sistemit fiskal. “Kjo do të pasohet dhe nga hapa të tjerë. Nxitja dhe fuqizimi i biznesit në një kohë kur në Shqipëri janë ndezur motorët e rritjes së shpejtë ekonomike, në Shqipëri janë ndezur motorët e investimeve të mëdha përbën një detyrim madhor për administratën tonë publike në përgjithësi, administratën tonë doganore dhe tatimore në veçanti”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri përgëzoi autoritetet doganore dhe ato tatimore për punën e madhe që kanë bërë. “Ju ia keni dalë të bëni të mundur një buxhet të dytë suplementar çdo vit që ka luajtur një rol shumë të madh në zbatimin e projekteve në vend, së bashku me tatimet ju ia dilni edhe sivjet në vitin kur Shqipëria hyn si vendi me taksa më të ulëta në Europë të shënoni realizime të plotë dhe tejkalime të lakmueshme”, nënvizoi Kryeministri Berisha duke shtuar se kjo u bë e mundur falë profesionalizmit dhe përkushtimit të administratës doganore dhe tatimore.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, z. Wang Jungling.