Kryeministri Berisha pret përfaqësuesin e OKB-së në Kosovë, Ambasadorin Lamberto Zannieri

Kryeministri Berisha priti sot në takim përfaqësuesin e OKB-së në Kosovë, Ambasadorin Lamberto Zannieri.
Pasi i uroi mirëseardhjen Ambasadorit Zannieri dhe delegacionit që e shoqëronte, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e rëndësishëm që misioni i OKB-së ka luajtur në Kosovë, si dhe shprehu kënaqësinë për zhvillimet jashtëzakonisht pozitive dhe arritjet e rëndësishme të Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, të cilat pati kënaqësinë t’i kosntatonte gjatë vizitës së fundit në Kosovë.
Ambasadori Zannieri, pasi falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe vlerësimet e Kryeministrit Berisha për punën e misionit që ai drejton, e uroi Kryeministrin Berisha për arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë së tij si anëtarësimin në NATO, pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian, si dhe shprehu konsideratat për ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur dhe po ndodhin çdo ditë në Shqipëri, gjatë këtyre viteve të fundit.
Ambasadori Zannieri e falënderoi gjithashtu, Kryeministrin Berisha për kontributin që qeveria shqiptare ka dhënë për Kosovën dhe për rolin e rëndësishëm që Shqipëria po luan në shërbim të konsolidimit të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit në rajon. Në takim, u vlerësua organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të mira lokale në Kosovë, në klimë tërësisht të qetë dhe demokratike, si dhe pjesëmarrja cilësore e pjesëtarëve të minoritetit serb në shumë zona, ku ata banojnë.
Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e organizimit të një Konference të dytë donatorësh për mbledhjen e ndihmave financiare për Kosovën, në vijim të suksesit që Konferenca e parë e donatorëve pati në këtë drejtim.
Në takim u shpreh shqetësimi për qëndrimin jo-konstruktiv të Beogradit dhe për vështirësitë që ai krijon për rolin që duhet të luajë Kosova në bashkëpunimin rajonal, si edhe për rolin ndikues që Beogradi vijon të luajë në lidhje me disa zona në veri të Kosovës, ku banojnë kryesisht anëtarë të minoritetit serb.
Në takim u vlerësua më tej roli i misioneve të tjera ndërkombëtare në Kosovë dhe në veçanti EULEX dhe u theksua rëndësia thelbësore e perspektivës euroatlantike të Kosovës dhe ecjes përpara sa më shpejt me hapa konkrete në këtë drejtim.
17/11/2009