E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet studentët me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentëve

-          Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të bëjë çdo gjë që studentët shqiptarë të prekin çdo ditë e më shumë idealin e tyre evropian
 
-          Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Arsimit unifikimin e diplomave që lëshohen në universitetet shqipfolëse
Me rastin e 17 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Studentëve, Kryeministri Berisha mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar me këtë rast, nga Universiteti i Tiranës dhe Këshilli Kombëtar i Studentëve, në ambientet e Teatrit Kombëtar.
Duke e cilësuar këtë ditë si ditën e idealit studentor, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin që studentët shqiptar kanë dhënë për ndryshimet e mëdha dhe historike në Shqipëri.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, rektorë dhe dekanë të Universiteteve private dhe publike në vend, përfaqësues të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tetovës, etj.
Fjala e Kryeministrit Berisha mbajtur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentëve:
“ është nder dhe kënaqësi t’ju përcjell në këtë ditë urimet e mia më të përzemërta dhe më të zjarrta. Fjalën time dua ta nis më atë që tha në fjalën e saj moderatorja e  këtij aktiviteti, se: do të doja të isha studente e përjetshme. Do t’ju tregoj diçka nga jeta ime. Kam qenë për shumë vite pedagog, për 22 - 23 vjet, dhe për të bërë që të mbesja student kisha një rregull të hekurt që leksionin e përgatisja nga e para. Kjo ishte mënyra që kisha gjetur për të ndjekur rininë dhe për të ndjekur studentet. Ndërkohë, shumë shpesh me vinte në mendje një shprehje e Sokratit, i cili thotë se të lumtura janë veç malet që gjithmonë shohin pranverën, ndërsa unë thosha të lumtur janë vetëm studentet që gjithmonë janë pranverë. E rëndësishme është që njeriu të përpiqet t’u qëndrojë ideve të kohës për të mbetur student i përjetshëm.
Sot, kjo është një ditë e veçantë, një ditë e madhe, por ajo ç’ka unë kam nder dhe kënaqësi të theksoj është se në rast se kaloj në mendje historinë e Evropës në 50-të vitet e fundit, vërej se në asnjë kohë dhe në asnjë vend studentet nuk mund të vijnë më krenarë se ju ketë në këtë ditë. Kjo është dita e idealit studentor. Ky është realiteti. Ideali studentor është, para së gjithash dhe mbi të gjitha, ideali i lirisë. Ideali i lirisë  studentore e shpalli këtë ditë, por në qoftë se vështrojmë Evropën e pas luftës e deri më sot,  ju jeni 1-shi në përpjekjen tuaj për liri.
Përfaqësuesi i studentëve të Prishtinës theksoi këtu Murin e Berlinit. Po, kombi polak u ngrit si vigan nga kantieri i Gdañskit. Kjo është e vërteta! Kombi hungarez u ngrit nga qytetarët e Budapestit. Dhe ajo ç’ka është unike, kombi shqiptar në të gjitha betejat  për lirinë e tij ka pasur studentët.
Isha në Prishtinë dhe në sallën e Universitetit kam ndjerë emocionet më të mëdha të jetës time për faktin e vetëm se në një kohë kur kombi ishte i shtypur, i pushtuar, i poshtëruar, kishte vetëm një tempull dhe ky ishte tempulli i Prishtinës. Ishin vetëm studentët e Prishtinës ata të cilët ngriheshin kundër pushtuesit dhe frymëzonin shqiptarët, kudo që ishin, se duhet të ngriheshin. Këtë e bënë në mënyrë të përsëritur. Ishin studentët e Universitetit të Prishtinës që me gjakun e tyre shkruajtën në rrugët e qytetit  “Kosova Republikë “ dhe që më vonë, në një luftë ndër më heroiket në historinë e këtij kombi, çliruan Kosovën. Kjo, natyrisht, ndodhi duke tërhequr mendjen dhe zemrën e vendeve më të zhvilluara, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe angazhuan NATO-n në betejën çlirimtare.  Kjo është e vërteta!
Në Tiranë, në korrik të vitit ’90, qytetarët e Tiranës shembën Murin e Berlinit dhe  mbushën ambasadat, por në Tiranë regjimi barbar e ngriti sërish Murin. Mikhail Gorbachev nuk bëri asnjë përpjekje për të ndërtuar Murin e Berlinit, ndërsa klika sunduese në Tiranë e rivendosi atë. Murin e Berlinit do ta shembnin në mënyrën përfundimtare studentët e Universitetit të Tiranës me demonstratat e tyre të dhjetorit të vitit ’90-të për të mos i dhënë atij mundësi të ndërtohej më kurrë.
Universiteti i Tetovës u themelua si një nevojë jetike për qytetarët shqiptarë të Maqedonisë për shkollim, zhvillim dhe prosperitet, por në një moment të caktuar, kur babëzia u bë e padurueshme, djemtë e vajzat e tij u shndërruan në guerilasit më të trima dhe më të shkëlqyer që Ballkani ka njohur në tërë historinë e tij dhe vendosën Marrëveshjen e Ohrit, Maqedoninë e qytetarëve të barabartë para ligjit.
Studente dhe studentë shqiptarë,
Ju kremtoni sot këtë ditë më krenarë se kushdo tjetër për kontributin e madh që ju keni dhënë në historinë e lirisë së kombit tuaj. Unë kam shumë kënaqësi që kremtojmë së bashku. Ndërkohë, Zoti ministër, duhet që të unifikojmë sa më parë diplomat, kudo që ato lëshohen në universitetet shqipfolëse. Praktikat duhet të jenë unike. Ne po i unifikojmë ato me të gjithë Evropën, sepse nuk mund të mos ndihemi të kënaqur që, së paku, kremtojnë këtë ditë pasi kemi realizuar dhe kemi shënuar arritje të mëdha dhe historike, së pari në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Në thelbin e tij më të thellë dhe më të fshehtë ideali studentor është ideali evropian. Kjo është e vërteta! është kënaqësi e madhe që sot ne kremtojmë ditën tuaj pasi për Shqipërinë janë marrë vendime historike për integrimin e saj në Bashkimin Evropian. 
Të dashur studente dhe studentë,
Vendimi i djeshëm për të statusin e vendit kandidat për Shqipërinë është vendimi më i rëndësishëm që Evropa ka marrë për këtë komb në tërë historinë e tij. Ju keni dhënë një kontribut të madh edhe në vitin 2005-së edhe në vitin 2009-të, por unë ju garantoj se në çdo gjë do të mbaj parasysh idealet dhe interesat tuaja, sepse ato janë idealet dhe interesat më të mira të kombit. Fakti që ministrat e 27-të vendeve të Bashkimit Evropian në unanimitet aprovuan kërkesën e Shqipërisë dhe i’a kaluan Komisionit për të filluar konsultimet, përbën një zhvillim madhor në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian dhe integrimit të plotë.
Në një aspekt, Bashkimi Evropian për kombet e vogla, ne nuk jemi komb dhe aq  i vogël, përbën një lloj parajse, sepse përbën një siguri të institucioneve demokratike, përbën një siguri të atyre standardeve që janë më të mira për qytetarët evropiane, përbën një siguri për një prosperitet gjithnjë në rritje. Ndaj, edhe ideali juaj “Shqipëria si Evropa” është ideali më i shtrenjtë dhe më fisnik që shqiptarët kanë dhe do t’i përmbahen.  Ne kemi pasur dhe sërish kemi një trashëgimi jo të favorshme në shumë aspekte, por kemi potenciale shumë të mëdha dhe potenciali ynë më i madh dhe më absolut jeni ju, janë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë. Ndaj, dua t’ju garantoj ju se në të gjithë programin e kësaj qeverie ju keni qenë dhe do të mbeteni përparësi e të gjitha përparësive.
Jam shumë i lumtur që sot janë mbi 120 mijë studentë në universitetet tona dhe mbi 200 mijë studentë në mbarë universitetet shqiptare, por do të punoj më përkushtimin më të madh që numri i studentëve në Shqipëri të arrijë në 150 mijë dhe 300 mijë në universitete të tjera, duke bashkërenduar gjithë punët me qeverinë e Kosovës dhe me këto tjetër, me qëllim që të mos këtë më të rinj shqiptar që të mos kenë mundësi të ndjekin universitetin. 
Së dyti, po vendoset sistemi i Bolonjës, sistemi i Evropës drejt së cilës po shkojmë. Së treti, po liberalizohen vizat dhe kjo është arritje historike, sepse  ju do të keni mundësi të trokisni lirshëm në të gjitha universitetet e Evropës. Dua t’ju them se fee-t nuk i kanë aq të larta sa mendoni. A e keni vënë re që unë refuzoj çdo propozim për shtim të tarifave që vjen nga rektoratet dhe dekanatet? Nuk lejoj asnjë që t’i shtoj tarifat dhe këtë do t’a bëj sërish. Nuk do të lë të shtohet tarifat në universitetet publike. Por, ju mund të studioni me tarifa të ngjashme edhe në universitetet e vendeve më të zhvilluara. Ky është avantazhi i procesit të integrimit. Ky është avantazhi i konsolidimit të demokracisë në vend dhe ekonomisë së tregut.
Unë  nuk dua t’a politizoj këtë takim, por dua t’ju siguroj se në rast se Shqipërua nuk do të kishte zhvilluar zgjedhje të lira, zgjedhje të cilat përmbushën standardet kryesore të OBSE/ODHIR-it  dhe standardet kryesore të Evropës, vendimi i djeshëm nuk do të ishte marrë kurrë. Në rast se Shqipëria nuk do të kishte realizuar dhe përmbushur një zinxhir që shkon në mbi njëqind e ca kërkesa konkrete nuk do të konsiderohej për liberalizimin e vizave, por do t’i thuhej rri në vend numëro. Ndaj, ju garantoj se qeveria do të bëjë çdo gjë që ju të mund të prekni çdo ditë e më shumë idealin tuaj evropian.
Dua t’ju falënderoj me mirënjohje të madhe për të gjithë mbështetjen që i keni dhënë programit të qeverisë dhe t’ju garantoj se ai ka dhe do të ketë përparësi më madhore shkollimin tuaj, sistemimin më të mirë tuajin në universitetet dhe kampuse, si dhe një Shqipëri dixhitale, Shqipërinë e moshës tuaj.
Faleminderit!” 17/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›