E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Kryepeshkopin e qytetit Këln të Gjermanisë, Eminencën e Tij, kardinalin Joakim Maisner

Kryeministri Berisha priti sot paradite, Kryepeshkopin e qytetit Këln të Gjermanisë, Eminencën e Tij, kardinalin Joakim Maisner, të shoqëruar nga Kryepeshkopi i Tiranës dhe Durrësit, imzot Rrok Mirdita.

Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e Dioqezës së Këlnit në ringjalljen e kishës katolike në Shqipëri, të cilën e cilësoi si martire e shekullit XX.  Kryeministri theksoi se kisha katolike shqiptare është sot një nga faktorët kryesorë të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, duke qenë një aktor i drejtpërdrejtë në zbutjen e problemeve sociale dhe krijimin e një klime tolerance midis komuniteteve të ndryshme fetare.

Duke folur për marrëdhëniet midis shtetit dhe kishës, Kryeministri evidentoi faktin se qeveria shqiptare ka zbatuar për herë të parë financimin e komuniteteve fetare nga buxheti I shtetit dhe premtoi se kjo ndihme do të rritet në të ardhmen.

Nga ana e tij, prelati i lartë gjerman rikujtoi vizitën e tij të parë në Shqipëri, kur ai erdhi në shoqërim të Papës Gjon Pali II dhe Nënë Terezës.

Pas kësaj vizite Dioqeza e Këlnit ndihmoi në rindërtimin e katedrales  dhe të Fshatit të Paqes në Shkodër. Kardinali Joakim Maisner e vlerësoi figurën e Nënë Terezës si eksportin më të çmuar shqiptar në botë dhe premtoi se do të punonte për organizimin e vizitës së Papës Benedikti XVI në Shqipëri.


07/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›