E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria do te mbështesë fuqimisht pushtetin lokal për realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve

Kryeministri Berisha në vijim të vizitës në qytetin e Beratit, zhvilloi një takim me këshilltarët  e komunës së Otllakut.

Në fjalën e tij, kryeministri i përshëndeti dhe i përgëzoi  autoritetet lokale për punën e mirë dhe përkushtimin e tyre për të përmirësuar kushtet e banorëve të këtij qarku. “Arritjet e kësaj komune në një hark kohor të shkurtër janë para së gjithash dëshmi e eficencës dhe mirëqeverisjes në këtë komunë.”

Kryeministri garantoi se qeveria do të mbështesë, ashtu sic ka bërë deri tani, të gjitha përpjekjet e pushtetit vendor në këtë zonë, për modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturës, si dhe institucioneve të ndryshme, në dobi të qytetarëve. “Zoti Maliqi unë jam i vetëdijshëm që ju keni gjetur mbështetje e tek qeveria , por dua ti them banorëve të Otllakut se kjo mbështetje ka qenë e merituar, sepse një kryetar komune ne nje vit me përpjekje të jashtëzakonshme shtron dhe përmirëson 60 km rrugë, transformon infrastrukturën e institucioneve sociale, shkollave, qendrave sociale, trajton me përgjegjësi të gjitha aspektet e jetës së qytetarëve të këtij komuniteti, përfshi këtu aspektin kulturor, sportiv dhe edukativ dhe i raporton kryeministrit se ka të gatshme dhe 12 projekte të tjera. Ky sigurisht  përbën një shembull të përkushtimit ndaj qytetarëve.”

Kryeministri i përgëzoi gjithashtu autoritet vendore për bursat e ofruara për 90 të rinj të komunës me qëllim shkollimin  e tyre në Tiranë, si dhe ftoi të gjitha bashkitë e tjera të vendit të ndjekin shembullin e kësaj komune. “Jam vërtet shumë i impresionuar, po aq nga këto 60  km rrugë që ju raportoni, ashtu dhe per  90 djemte  dhe vajzat e Otllakut të mbështetur me fonde nga ju, për te kryer studimet universitare në Tiranë. I ftoj të gjithë qeveritarët vendorë të marrin shembull nga zoti Maliqi, në këtë aspekt.” tha Kryeministri.

Duke theksuar, se investimi për shkollimin e të rinjve, është investimi më i rëndësishëm që mund të bëhet  për të ardhmen e vendit, Kryeministri u shpreh se në se do të ishte bërë një punë e tillë në komuna të tjera, përqindja e të rinjve që do të përfitonin mbështetje ekonomike për shkollimin e tyre, do të ishte më e lartë. “Keni bërë një gjë shumë të madhe, sepse në se të gjitha komunat e vendit, bashkitë e vendit po të bënin gjysmën e kësaj pune, të paktën 60 deri në 70 % e te rinjve do të kishin një mbështetje ekonomike, në shkollimin e tyre dhe nuk ka investim më të shkëlqyer që mund të bëjmë ne se sa investimi për shkollimin e fëmijëve tanë.”

Ndër të tjera në këtë takim, kryeministri, u shpreh se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për urbanizmin e plotë të Komunës “Jam sot këtu për tu premtuar ju dhe të gjithë qytetarëve të komunës, urbanizmin e plotë të komunës.”

Kryeministri vuri në dukje se në një vit janë bërë ndryshime të mëdha , në dallim nga periudha 2000-2005, në të cilën nuk u shënua asnjë investim për zonën. Të gjitha këto fonde, theksoi kryeministri, vijnë nga lufta e pandërprerë që i bëhet korrupsionit. “Nga dalin këto fonde, do të pyesni ju. Si ka mundësi që nga viti 2000 deri në 2005 ka patur zero investime. Si ka mundësi që në 1 vit të realizohen të gjitha këto ndryshime. Absolutisht lufta kundër korrupsioni është shkaku më madhor.”

Duke përgëzuar për punën e bërë nga kryetari i komunës dhe stafi i tij për realizmin  e 40 projekteve të rëndësishme, kryeministri theksoi se qeveria do të financojë edhe 12 projekte të tjera, për këtë zonë, të cilat presin të realizohen. “Kryetari më thotë se ka gati  12 projekte, si dhe janë  realizuar 40 projekte. Qeveria nuk mund të rri duar kryq. Qeveria do ti financojë këto 12 projekte, duke bërë  çdo përpjekje për të përmirësuar në maksimum jetën e qytetarëve.”

Duke u ndalur në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kryeministri theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin, i cili do të funksionojë më tepër nga mund të imagjinohet. “Shqipëria po ecën me ritme krejt të tjera, me një pasaportë të re, me një vlerësim që nuk e ka patur kurrë më parë në tërë historinë e saj dhe të gjitha këto në mënyrë absolute shndërrohen në një mënyrë apo në tjeter në vlera pozitive për çdo qytetar shqiptar.”

Kryeministri vuri në dukje se në sajë të një disipline fiskale dhe përdorimit më të mirë të fondeve do të dërgohet në parlament ne muajin qershor, per miratim, një buxhet i dytë, i cili do të mundësojë edhe realizmin e shumë veprave të rëndësishme për vendin. “Kur arritëm në 14.2 miliard dollarë buxhetin, unë kam deklaruar me sinqeritet dhe gëzim të madh se ky vend me këtë buxhet tani, mund të ndërmarrë çdo vepër që i duhet dhe parashikimi, të dashur miq po tejkalohet. Realisht do të dërgojmë prapë në parlament një buxhet të dytë.”

Kryeministri theksoi se do të kenë përparësi realizmi i projekteve për rrugët dytësore, sic është rruga e Sinjës, Drobonikut, etj.

Nga ana e tij, Kryetari i Komunës, zoti Lefter Maliqi i shprehu Kryeministrit Berisha  falënderimet për këto projekte dhe shprehu angazhimin për të punuar në vazhdimësi për realizimin e këtyre projekteve dhe përmirësimin e jetës së banorëve të komunës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›