Kryeministri Berisha: Do të vazhdoj të përmbush të gjitha zotimet e marra
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe drejtues të pushtetit vendor, përuroi ndërtimin e kanalit vaditës Bishqim-Lazarem, një investim me vlerë 31 milion lekë. Kjo është një vepër infrastrukturore tepër e rëndësishme për zonën, pasi nëpërmjet këtij kanali do të vaditen rreth 400 hektarë tokë të një prej fushave më të mira të rajonit, fushës së Pajovës.
Fermerët e Pajovës, - tha Kryeministri - e prisnin këtë kanal prej 18 vitesh. Më vjen mire që atë që nuk e realizova dot, edhe pse kisha ndërmend ta realizojë në qeverisjen time të parë, e shndërrova në realitet në qeverisjen time të dytë. Edhe ky është një premtim i mbajtur.
Duke bërë përmendur veprat publike që vizitoi gjatë kësaj vizite, Kryeministri tha se do të vazhdoj të përmbushë të gjitha zotimet e marra.
“Në një hark kohor prej 30 minutash, ne vizituam në një komunë të vetme një rrugë të mrekullueshme që lidh fshatin e saj të thellë Pajovë me autostradën, përuruam kanalin prej 5 kilometra në trungun kryesor të tij dhe me më shumë se 6 kilometra degëzime, gjithashtu në fshatin Haspiraj investimi për ndërtimin e shkollën 9-vjeçare moderne, në fshatin Gryksh do të ndërtohet një urë e madhe mbi lumin Shkumbin për ta lidhur atë me autostradën, në fshatin Paulesh janë investuar 25 milion lekë për ndërtimin e ujësjellësit të ri. Kudo që shkojmë bashkë, nuk jemi në gjendje të themi se këtu kemi investuar më shumë apo këtu më pak. Më vjen mirë e ndihem jashtëzakonisht i lehtësuar për një shpërndarje të ndershme e të drejtë të fondeve. Ndihem shumë i lehtësuar kur shoh bashkë me ju projekte të përfunduara. Mos harroni se në qeverisjen e mëparshme e një rrugë e tenderonin dy dhe tre herë, ndërsa sot janë të përfunduara.”
Drejtuesi vendorë e informuan Kryeministrin se me iniciativën dhe fondet e komunës është realizuar ndërtimi i 6 kilometrave të para të rrugës Baldushk-Petrelë, që e lidh këtë zonë direkt me Tiranën dhe kërkuan mbështetjen e Kryeministrit për vazhdimin e pjesës tjetër të saj. Kryeministri Berisha u premtoi se do të kenë mbështetjen e qeverisë për përfundimin e plotë të rrugës.