E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Opozita të shohë Shqipërinë, aty ku punohet dhe ndërtohet

- Kryeministri Berisha inspektoi punimet për ndërtimin e segmentit rrugor që lidh komunën Gjocaj rrugën nacionale

Kryeministri Berisha inspektoi punimet për ndërtimin e segmentit rrugor që lidh komunën Gjocaj rrugën nacionale. Ky segment, një tjetër premtim i mbajtur i Kryeministrit, me gjatësi 3.5 kilometra, është bashkëfinancim i buxhetit të shtetit me të ardhurat e komunës, me vlerë 50 milion lekë.

Kryeministri e konsideroi këtë rrugë të rëndësishme për banorët e zonës, veçanërisht pasi i ndihmon ata të jenë edhe më afër tregut. Kryeministri siguroi se modernizimi i infrastrukturës më të gjitha zonat e fshatrat e vendit mbetet prioritet i qeverisë.

“Kjo rrugë i jep komunës Gjocaj një infrastrukturë europiane. Në këtë komunë ne inauguruam edhe ujësjellësin që u jep banorëve 24 orë ujë. Tani po inspektojmë rrugën që ka edhe një segment tjetër për të përfunduar dhe për të dalë më pas në Rrogozhinë. Siç e shikoni përqendrimi ynë është në të gjitha zonat, komunat e bashkitë e vendit. Ju jeni dëshmitarë se sot në shumë e shumë fshatra, sigurisht jo kudo, po udhëtohet në rrugë të asfaltuara. Dua të garantoj fermerët e komunës Gjocaj e të gjithë Peqinit se infrastruktura moderne, rrugët e standardeve europiane, shkollat e reja, ujësjellësit e kanalizimet, qendrat e reja shëndetësore janë përqendrimi dhe premtimet tona kryesore,” tha Kryeministri.  

Duke theksuar se qeveria po shndërron në realitet të gjitha zotimet e saj, Kryeministri ftoi opozitën të shohë Shqipërinë aty ku punohet dhe ndërtohet për të ardhmen.

“Ne, - tha Kryeministri - kalojmë nga një premtim i mbajtur në një tjetër premtim të mbajtur. Unë e ftoj opozitën të lërë bulevardet e Tiranës, sepse krahas Shqipërisë së bulevardeve ka edhe një Shqipëri që zhvillohet, ndërtohet dhe që realisht ecën gjithnjë e më shumë drejt standardeve europiane më të avancuara. Nëse do të qëndrosh në bulevardin e Tiranës, atje shikon vetëm reklama dhe mendon se ekzistojnë vetëm këto, por ka edhe shumë gjëra të tjera. Ne kemi shtruar me dhjetëra kilometra rrugë e do të shkojmë drejt asfaltimit të plotë të tyre. Ne kemi një projekt shumë të madh të asfaltimit të rrugëve rurale dhe dua t’i paralajmëroj kundërshtarët e mi të mos nguten në matematikën e tyre, sepse kanë mbetur gjithmonë në klasë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›