E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri përuron rikonstruksionin e dy rrugëve të rëndësishme për komunat Përparim e Pajovë, në rrethin e Peqinit

Gjatë vizitës në Peqin, Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e rikonstruksionin të dy rrugëve në komunën Përparaim dhe Pajovë, që lidhin qendrën e këtyre komunave me rrugën nacionale.

“Rruga, që lidhin autostradën me qendrën e komunës Përparim, - tha Kryeministri - është një tjetër vepër infrastrukturore në këtë rreth, me vlerë 20 milion lekë dhe që pasohet nga një rrugë tjetër e standardeve shumë të mira, Përparim-Lisnaj. Edhe në këtë komunë, vetëm në rrugë, qeveria po investon rreth 40 milion lekë në asfaltimin dhe sistemimin e tyre. Këto janë zotimet tona të mbajtura.”

Gjatë përurimit të rikonstruksionit të rrugës që lidh autostradën me qendrën e komunës Pajovë, me vlerë 16 milion lekë, Kryeministri Berisha theksoi se edhe kjo rrugë u realizua vetëm tani si një zotim i shndërruar në realitet.

“Kjo rrugë, e standardeve realisht europiane për një rrugë rurale, e lidh fshatin Pajovë me autostradën kombëtare dhe lehtëson e ndihmon shumë fermerët e kësaj zone të fuqishme bujqësore në arritjen me shpejtësi të tregut. Ky fshat e ka pritur për dekada të tëra një rrugë të asfaltuar dhe kjo u realizua vetëm tani mbi bazën e programit të qeverisë dhe premtimit të dhëna e fjalës së mbajtur,” u shpreh Kryeministri, duke ritheksuar se  asfaltimi i të gjitha rrugëve rurale është përparësi e qeverisë.

Kryeministri Berisha siguroi drejtuesit lokalë se pas kësaj rruge do të fillojë edhe një tjetër rrugë e rëndësishme për zonën, Pajovë-Belsh, me gjatësi 17 kilometra, që do të lidhë dy qendrat e fuqishme të këtij rajoni.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›