E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm belg De Gucht: Së shpejti, Belgjika do të ketë Misionin e saj të Përhershëm diplomatik në Shqipëri

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim miqësor ministrin e Jashtëm të Belgjikës, zotin Karel De Gucht dhe delegacionin që e shoqëronte atë. Ministri belg ndodhet në Shqipëri për të marrë pjesë në punimet e Forumit të Crans Montanës, që zhvillohet nesër në Tiranë.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen ministrit belg, si dhe shprehu edhe njëherë kënaqësinë për mikpritjen e rezervuar nga Kryeministri belg Letermme, gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Belgjikë. Gjithashtu, Kryeministri u shpreh i kënaqur që ministri belg vizitonte Shqipërinë i shoqëruar nga një delegacion i gjerë biznesmenësh që kanë treguar interes për të investuar në Shqipëri. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha tha se qeveria shqiptare po ndërmerr reformat e duhura për të krijuar një klimë sa më të favorshme për biznesin.

Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen belge për Shqipërinë, në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, si dhe mbështetjen e vazhdueshme në proceset për integrimin në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm belg De Gucht, pasi falënderoi Kryeministrin për mikpritjen në vizitën e tij të dytë në Shqipëri, që pas vitit 2006, vlerësoi progresin e madh që Shqipëria ka bërë në fusha të ndryshme. Ai nënvizoi se vizita e tij në Shqipëri është shumë e rëndësishme, ndërsa u shpreh se të gjithë ministrat e Jashtëm të BE-së duhet të vizitojnë Shqipërinë dhe mbarë rajonin, për të krijuar ura lidhëse të rëndësishme me këto vende dhe për t’i paraprirë zgjerimit të BE-së.

Kryeministri Berisha vuri në dukje se marrëdhëniet dypalëshe janë të nivelit shumë të mirë, gjë që e tregon dhe lajmi i mirë që Kryeministri mori gjatë vizitës së tij në Belgjikë për hapjen e një zyre konsullore të këtij vendi në Shqipëri.

Në këtë drejtim, Ministri i Jashtëm belg u shpreh se, pas fjalës së dhënë gjatë takimit të tij me Kryeministrin Berisha në Belgjikë, për të hapur zyrën konsullore belge në Shqipëri së shpejti, ky lajm i mirë do të shkojë edhe më tej, pasi ministria e Jashtme belge po punon që këtë zyrë ta kthejë në një Mision të Përhershëm diplomatik. Gjithashtu, zoti De Gucht theksoi se Belgjika do të ulë tarifat e përgjithshme për marrjen e  vizave, si dhe do të çojë në zero tarifat për disa kategori të vizave. Në këtë kuadër, edhe Kryeministri Berisha u shpreh se Republika e Shqipërisë do të dërgojë së shpejti një  ambasadore të veçantë në ambasadën e saj në Belgjikë.

Më tej, Ministri i Jashtëm i Belgjikës De Gucht theksoi se kohët e fundit është shtuar interesimi i kompanive të mëdha belge për të investuar në Shqipëri, në fushën e turizmit, energjisë, etj dhe për këtë ka pasur edhe takime në nivele të larta.  Kryeministri Berisha u shpreh i kënaqur që kompani të mëdha belge po tregojnë interes në zhvillimin e potencialeve hidrike të vendit, si dhe të prodhimeve të bitumeve, ndërsa i ftoi ata të tregojnë interes edhe për  sektorin imobiliar në Shqipëri. Shqipëria, nënvizoi Kryeministri, po zbaton standarde liberale në ekonomi,  duke vendosur taksën e sheshtë 10 përqind, thjeshtimin e sistemit të taksave, krijimin e “One Stop Shop”, në regjistrimin e biznesit, etj.   

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh, ministri i jashtëm De Gucht tha gjithashtu se qeveria belge ofron edhe eksperiencën e qendrave të saj mjekësore prestigjioze në trajtimin e djegieve, për kurimin e pacientëve me këto probleme.

Ministri i Jashtëm belg theksoi më tej se Belgjika do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë në BE.  Në këtë funksion, Kryeministri Berisha siguroi se Shqipëria do të ndërmarrë çdo reformë thelbësore për përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit.  Në Shqipëri, shtoi Kryeministri, ka një klimë shumë të mirë politike për të ndërmarrë reformat e duhura, për të ndryshuar imazhin vendit, klimë kjo që po vazhdon duke u faktuar së fundi edhe nga ndryshimet konstitucionale konsensuale, që ishin një moment thelbësor për të forcuar sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  

Kryeministri Berisha dhe Ministri i Jashtëm i Belgjikës De Gucht u ndalën edhe në zhvillimet në rajon. Të dy palët vlerësuan si pozitive zhvillimet në Serbi, të cilat treguan se mesazhet e qarta të dhëna nga Evropa, janë dëgjuar nga qytetarët dhe politika serbe dhe se forcat pro evropiane në rajon, pas këtyre zhvillimeve,  bëhen më të forta.

Në takim, Kryeministri Berisha theksoi nevojën dhe rëndësinë e projekteve rajonale të Bashkimit Evropian në infrastrukturë, për të zhvilluar ekonomitë e vendeve të rajonit, duke u ndalur në Korridorin 8 dhe rolin që ai ka për zhvillimin e vendeve të rajonit.

Ministri i Jashtëm belg e mbështeti me bindje mendimin e Kryeministrit Berisha për një nevojë të projekteve të mëdha evropiane në infrastrukturë dhe u shpreh se qeveria belge do të bëjë çdo gjë që ka mundësi për të inkurajuar projekte të tilla.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›