Festohet 17 vjetori i themelimit të Partisë Demokratike
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë festive të organizuar me rastin e 17 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. Së bashku me Kryeministrin ishin të pranishëm në këtë festë anëtarë, simpatizantë, drejtues qendrorë të Partisë demokratike, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, si dhe shumë të ftuar nga fusha e artit dhe kulturës në vend.
Duke përshëndetur këtë ngjarje, Kryeministri u shpreh se në përvjetorin e 17 të krijimit të Partisë Demokratike, shqiptarët përkujtojnë ditën e themelimit të pluralizmit politik në Shqipëri, si ditën e rilindjes së lirive dhe të drejtave njerëzore, pas viteve të egra të diktaturës.
Kryeministri vlerësoi këtë datë si një ndër më të mëdhatë e historisë sonë kombëtare, e cila shënoi themelimin e partisë së parë opozitare pas një monizmi ekstrem gjysëm shekullor. “Partia Demokratike do të shndërrohej në promotorin kryesor të lëvizjes më të fuqishme popullore që kombi ka njohur, me një platformë të qartë me të cilën garantonte qytetarët shqiptarë për lirinë dhe të drejtat e mohuara, lirinë e fjalës, lirinë e besimit, lirinë e lëvizjes, iniciativën e lirë.”
Kryeministri Berisha kujtoi me nderim dhe mirënjohje studentët dhe intelektualët e Tiranës që 17 vjet më parë me kuraje, trimëri dhe vendosmëri i sollën vendit pluralizmin politik.
Duke përkujtuar me nderim të thellë liderin e lëvizjes së dhjetorit Azem Hajdari, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për të gjitha ata të cilët gjatë 17 viteve kontribuan në zhvillimin dhe konsolidimin e vlerave, të cilat janë themeli i programit të Partisë Demokratike . “Le të garantojmë shqiptaret se këto arritje , për ne janë thjesht një stacion në mënyrë që proceset e integrimit, e zhvillimit të vendit të marrin shpejtësi të reja.” tha Kryeministri.