E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon shefin e Misionit të Asistencës policore të Bashkimit Evropian në Shqipëri (PAMECA), Zotin Klaus Schmidt

Kryeministri Berisha priti sot në një takim lamtumire shefin e Misionit të Asistencës policore të Bashkimit Evropian në Shqipëri (PAMECA), Zotin Klaus Schmidt.

Kryeministri falënderoi dhe vlerësoi asistencën e dhënë nga PAMECA dhe stafi i saj i kualifikuar në reformën e thellë në të cilën ka kaluar Policia e Shtetit, si në hartimin e ligjit të ri për policinë e shtetit, reformën institucionale të këtij dikasteri si dhe trajnimet e shumta organizuar nga ky mision.

Në mënyrë të vecantë Kryeministri shprehu vlerësimin e tij për kontributin dhe profesionalizmin e zotit Schmidt  në krye të këtij misioni.

Nga ana e tij, zoti Schmidt vlerësoi frymën e lartë të bashkëpunimit midis institucioneve shqiptare dhe misionit të tij dhe vlerësoi arritjet e mëdha të policisë shqiptare  në luftën ndaj krimit si dhe rezultatet në reformën e ndërmarrë gjatë këtij viti nga ana e Policisë së shtetit.

Gjate takimit, Kryeministri Berisha dhe Zoti Schmidt diskutuan ndër të tjera, për disa programe të BE-se në kuadrin e asistencës policore, pas përfundimit të misionit të PAMECA në fund të këtij viti.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›