Fjala e Kryeministrit Berisha në firmosjen e marrëveshjes së koalicionit zgjedhor PD - PR
“Në 17 vjetorin të fitores së përbashkët me Partinë Republikane mbi diktaturën komuniste, në 17 vite aleance të plotë, të përshkuar fund e krye nga luajaliteti dhe përkushtimi ndaj vlerave progresive, në 4 vitet e qeverisjes së përbashkët dhe transformimeve më të mëdha të këtij vendi, të kontributit thelbësor të forcave tona politike në realizimin e projektit më të madh në historinë e këtij kombi, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Partia Demokratike firmos sot me Partinë Republikane marrëveshjen e koalicionit të fushatës elektorale dhe qeverisjes së përbashkët, për mandatin e dytë të kësaj dekade dhe të dekadës që vjen.
Unë kam besim të plotë se ky koalicion me PR-në dhe forcat e tjera të spektrit politik të qendrës së djathtë, i jep ritmeve të zhvillimit dhe integrimit të këtij vendi, shpejtësi që nuk janë njohur më parë.
Në katër vite, ky koalicion shndërroi Shqipërinë që vërtitej në labirintet e krimit të organizuar dhe sistemit të kleptokracisë, Shqipërinë për të cilën një fjalë të mirë kurrkush nuk e thoshte, Shqipërinë e kronikave më të zeza të mediave të Europës dhe botës, e shndërroi në vendin serioz, në vendin që e votuan në parlamentet e tyre për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit dhe për Protokollin e Anëtarësimit në NATO, 27 vende anëtare të BE-së dhe 26 vende anëtare të NATO-s, Shqipërinë që më datën 4 prill ulet në Strasburg si anëtare e Atlantikut të Veriut dhe ngre flamurin e saj në Bruksel, si flamur i një vendi anëtar.
Katër vitet e kësaj qeverie ishin vitet në të cilat u shemb një sistem kleptokracie, u shemb muri i tmerrshëm i krimit të organizuar, katër vitet janë vitet e ndryshimit thelbësor të klimës së biznesit. Investitorë të mëdhenj, të vegjël e të mesëm nga e mbarë bota, kanë vendosur t'i besojnë Shqipërisë projektet, kursimet dhe paratë e tyre.
Ky ishte mandati që ne i nxorëm qytetarët shqiptarë nga ndëshkimi i padenjë, periodik me ndërprerje energjie. Ne u zotuam katër vjet më parë se, fundi i vitit 2007 shënon fundin e ndërprerjeve të energjisë dhe ne këtë e shndërruam në realitet. Ata që gjykojnë nga shirat e sotme gabojnë. Jo! Ne e shndërruam në realitet premtimin tonë, duke përcaktuar si parim themelor se çmimi më i shtrenjtë i energjisë është mungesa e saj, se qytetarëve shqiptarë nuk mund t'u ndërpritej energjia me orë të tëra, të ndëshkoheshin me errësirën. Ndaj dhe, për t'i dhënë fund kësaj situate, importuam vitin që kaloi katër herë më shumë se importet e qeverive të mëparshme të bëra në dy vitet e marra së bashku. Por s'është vetëm kjo. Energjia është një çështje jetike për çdo qytetar, për çdo vend. Kemi hedhur themelet e një Shqipërie realisht një superfuqi e vogël në rajon. Janë firmosur mbi 2.5 miliardë euro kontrata për projekte energjetike, nga më të voglat deri tek më të mëdhatë në Europë dhe janë në trajtim dhe shqyrtim e sipër të paktën edhe 2.5 miliardë euro, vetëm në fushën e energjisë, të cilat ne i trajtojmë gjatë vitit të parë të mandatit të dytë dhe i vendosim në rrugë të mbarë.
Pra, ne u dhamë zgjidhje bashkërisht problemeve madhore të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, i vumë ato në rrugën e zgjidhjes, qoftë procesin e integrimit, qoftë reformat e gjithanshme.
Të nderuar miq,
Unë dje isha në Bruksel dhe gjeta aty një klimë vlerësuese, pozitive, për përpjekjet dhe arritjet serioze të kësaj qeverie, por më duket se në mënyrën më të qartë dhe më të kthjellët e shprehën këtë dy liderët e Europës së sotme; Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Nikolas Sarkozy, që bashkërisht theksuan respektimin e qartë të shqiptarëve dhe inkurajimin në rrugën nisur.
Pra, kemi shumë të drejtë të krenohemi me mandatin që po lëmë pas dhe të jemi shumë optimistë për mandatin e dytë, se këtë mandat nuk e kemi vetëm me fjalë. Jo. Këtë mandat e bazojmë në ato premtime që kemi mbajtur. Por ne nuk i kërkojmë votën askërkujt thjesht për ato që kemi mbajtur, por besimin po. Ka një mijë arsye që të na besojnë qytetarët shqiptarë se ne i mbajmë premtimet tona.
Ne ua kërkojmë votën atyre, për projektet e mëdha që do të realizojmë në katër vitet që vijnë, në infrastrukturë, në arsim, shëndetësi, në softin social të kësaj shoqërie, në integrim, në fushën e energjisë dhe në çdo fushë tjetër.
Pra, duke çelur siparin e një seri marrëveshjesh, pasi koalicioni do të jetë i gjerë, ky sipar natyrisht, do të hapej me aleatin kryesor, me të cilin ne kemi rrugën tashmë 17-vjeçare që nga themelimi dhe përmbysja e diktaturës komuniste.
Edhe njëherë, dua të shpreh falënderimin tim më të madh për republikanët shqiptarë, për luajalitetin e tyre, për përkushtimin e tyre dhe të siguroj kryetarin e tyre dhe të gjithë zotërinjtë e kësaj partie se, PD është mirënjohëse, vlerësuese për gjithë rolin e kontributin e tyre.
Faleminderit”
Pyetje: A do të ketë ndikimi negativ fakti që ju nënshkruat sot marrëveshje me një parti, kryetari i të cilës është nënë akuzë nga Prokuroria për çështjen e tragjedisë së Gërdecit?
Kryeministri Berisha: Atyre që shtrojnë këtë pyetje unë u jap këtë përgjigje. Shkoni në Kashar dhe pyesni pak. Të përvetësosh opinionin e qytetarëve, të shpallësh veten padron të opinionit të tyre, pa e vlerësuar dhe njohur atë, nuk bën gjë tjetër veçse përsërit klishetë e vjetra staliniste në këtë vend. A patët një test elektoral në Kashar? Ju mendoni se nuk janë qenie shoqërore qytetarët e Kasharit? Ju mendoni se ata nuk kanë dhembshuri? Ata kanë dhembshuri shumë herë më të madhe se të gjithë të tjerët, sepse jetojnë ngjitur me qytetarët e Vorës dhe ata, me votën e tyre vërtetuan manipulimin me shpirtrat e viktimave të Gërdecit. Dhe cili ishte qëndrimi i tyre? Qëndrimi ishte ndëshkimi.
Ju jeni të rinj, por do ju them një gjë: ju nuk duhet kurrë të harroni se ky komb, me gjithë vështirësitë, me gjithë varfërinë ekstreme që ka njohur, mjerimin më të tmerrshëm që ju fatmirësisht nuk e njihni, mjerimin që ka pasur në sistemet kolektiviste, me gjithë të shkuarën, pushtimet e gjata etj, e ka ruajtur Kodin e Vdekjes të paprekur. Nëna nuk do që ti të manipulosh me vdekjen e djalit. Babai nuk do që ti të manipulosh me vdekjen e vajzës, familja nuk do qw t'i cenosh respektin e paprekur ndaj të vdekurve të saj, për qëllime politike.
Do të ishte mirë që në valët tuaja të bënit avokatinë e këtij kombi, sepse ky komb, sado që ka të bëjë me më të padëshirueshmen, ka të bëjë me vdekjen. Por prapë se prapë e kemi atë prore, jemi të gjithë vdekatarë dhe nuk kemi alternativë tjetër veçse respekt të plotë ndaj vdekjes, si një trashëgimi e shkëlqyer e këtij populli, si trashëgimi ne të cilën ky popull e ndan zinë në copëza dhe e lehtëson atë. Pra, jo t’ua rëndojmë atë, siç ndodhi me qytetarët e Gërdecit. Unë dua t’i përshëndes një herë dhe njëmijë herë ata qytetarë që refuzuan në mënyrë fisnike që t’u ndërhyhej në Kodin e tyre të Vdekjes. Ai manipulim i shëmtuar politik më la pa shkuar te këta qytetarë, sepse mendoja se edhe vizita ime te ata do të merrej si një kundërpërgjigje. Ndaj u detyrova të nxjerr një deklaratë përmes zëdhënëses dhe të shpreh qëndrimin tim. Nuk mund të bëhet ajo që iu bë familjes Trebicka. Këto gjëra nuk kanë ndodhur kurrë. Unë ju ftoj që vlerat t’i mbrojmë. Pra, përgjigjen më të mirë e dhanë qytetarët e Kasharit. Pyetja juaj ishte shumë e drejtë, por unë këtë ligjëratë nuk e bëra për asnjë arsye tjetër, por vetëm për një gjë me të cilën nuk mund të pajtohem, nuk mund të pajtohem kur shoh që nuk ngurohet të shkelmohet edhe Kodi i Vdekjes, kodi më i lashtë dhe më sublim i këtij kombi, por besoj i çdo kombi të qytetëruar. Të gjithë jemi vdekatar, ndaj mundësisht respekto dhe lexo zgjedhësit e Kasharit.
Pyetje: Zoti Berisha, ju nuk e ndani opozitën nga Prokuroria, pasi unë fola për akuzë të ngritur nga Prokuroria për zotin Mediu?
Kryeministri Berisha: Meqenëse sërish më shtron këtë çështje, sërish do marrësh një përgjigje. Prokuroria, me akuzat false që ka formuluar në fillim, ka përdhosur të vdekurit. Mos harroni se ata janë vëllezërit e mi, vëllezërit e tu, nënat tona, motrat tona, njerëzit tanë. Në mënyrën se si nisi Prokuroria, me urdhrat politikë, për të formuluar pseudo - akuza, ka qenë ky Kryeministër që ju ka thënë ju se duhet të zbardhet e vërteta dhe duhet të jeni të bindur se e kam bërë jo për të mbrojtur ndokënd mbi tokë, por vetëm për të mbrojtur hetimin që duhet të bëhej, pasi, nëse e akuzon tjetrin për atë që nuk qëndron, siç iu tha zotit Mediu se ai ka shmangur dhe anashkaluar ushtarakët, kjo është si t'i thuash këtij populli se 'ti ha bar'. Me formulat e vjetra dhe unë mund të të them ty ç'të duash dhe ti më beson, por aty ishin 32 dokumente, secili me nga 3 deri në 7 firma dhe nuk kishte asnjë shmangie. Por, ku ishte problemi? Problemi ishte se duhej devijuar një linjë e tërë, në mënyrë që dikush, diku, të dilte krejtësisht i larë.
Duhet të keni të qartë si gazetare se këto mesazhe që ju drejtoj, i kam dhimbje dhe keqardhje, por për ato mesazhe që ju merrni nga ata persona që nuk duhet t’i merrni, unë do të luftoj deri në fund që t’ju çliroj prej tyre, pra nga këto mesazhe, t’ju bëj të pavarur ashtu siç duhet të jeni.
A e keni parë sot dosjen të publikuar në media? Kush e nxori dosjen? E nxori opozita? Jo, nuk e ka nxjerrë opozita. Unë do doja të thosha se e ka nxjerrë opozita. E ka nxjerrë ai që do të shndërrojë prokurorinë në parti politike. Ata e kanë nxjerrë, sepse po të kishte argumente dhe po të ishin të fortë, botonin gazeta. Por nuk ka nevojë për gazeta. Kemi një sistem gjyqësor të konsoliduar në 3 shkallë. Duhet të kemi besim të plotë. Por, kur nuk ke besim tek gjykata dhe shkon u bën presion, siç ka ndodhur, atë e përdor, por keqpërdor dhe opozitën dhe median.
Kjo është një çështje që ne i kemi dhënë dhe do i japim vëmendje çdo ditë. Kemi besim të plotë tek sistemi gjyqësor i këtij vendi, por nuk mund të pranojmë përdorimin e shpirtrave të të vdekurve për politikë. Kjo nuk mund të ndodhë dhe këtë nuk duhet ta pranoni as ju, si gazetar, asnjë shqiptar, pasi jemi të gjithë vdekatar. Kjo është përgjigjia ime. Po të ishte për opozitën, mund ta atakoja unë, por nuk mund t'i bie në qafë. Dosja sot del nga të dobëtit, të keqpërdorur politikisht, që kanë frikë nga ligji dhe marrin e bëjnë mediatizim. Ky nuk është shteti ligjor.
21/03/2009