E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ekonomia shqiptare është solide dhe ka besimin e tregjeve ndërkombëtare financiare

 Kryeministri Berisha, u shpreh sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave se kreditë e siguruara nga Ministria e Financave janë para së gjithash një besim i madh që tregu financiar ndërkombëtar ka në performancën financiare dhe ekonomike të Shqipërisë.  Kryeministri Berisha vlerësoi sigurimin e këtyre kredive, duke theksuar se ato vijnë “në një kohë kur shumë qeveri të tjera nuk sigurojnë dot të tilla kredi”

Duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar nga Ministri i Financave Ridvan Bode me bankat ndërkombëtare, Alpha Bank dhe Deutsche Bank prej 250 milionë eurosh për të kredituar qeverinë shqiptare për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009, Kryeministri Berisha tha se “kjo kredi,  e cila pati një rezonim të fuqishëm dje në agjencitë më të mëdha ndërkombëtare, dëshmoi edhe njëherë se ekonomia shqiptare është solide. Natyrisht nuk mund të them se nuk ka pasur ndikime dhe pasoja të krizës, por ajo është solide dhe tregjet financiare ruajnë besim të plotë ndaj saj”.  

Duke theksuar se janë edhe një seri kredish të tjera, Kryeministri vuri në dukje se  kredia e siguruar nga ministria e Financave, në një kohë të një stuhie financiare europiane dhe botërore, vjen si medalje, për të gjithë ata që i kanë qejf medaljet. “Unë do të thosha që më shumë vjen si një certifikatë e vërtetë besimi”, vijoi Kryeministri.


06/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›