Kryeministri Berisha: Në 4 muajt e parë të këtij viti treguesit flasin për një qëndrueshmëri të qartë të ekonomisë
- Kryeministri Berisha: Të ardhurat katër mujore janë rreth 10 për qind më të larta sesa të vitit të kaluar
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për kuadrin makroekonomik dhe të treguesve makroekonomik fiskalë, të rishikuar, për periudhën 2010-2013.
Kryeministri Berisha vlerësoi se ky është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm, për të cilin parashikimet janë se ekonomia shqiptare, me sukses, do t’i rezistojë krizës, ku natyrisht nuk mund të pretendohet që të mos ketë ndikime nga pasojat e saj. “E vërteta është se në 4 muajt e parë të këtij viti treguesit flasin për një qëndrueshmëri të qartë të ekonomisë, natyrisht me ndikime të pamohueshme. Por, në rast se në tërësi ka vështirësi të mëdha buxhetore kudo, kjo qeveri nuk përjeton as edhe një vështirësi buxhetore”, u shpreh Kryeministri.
Duke informuar qytetarët shqiptarë, Kryeministri tha se, të ardhurat katër mujore janë rreth 10 për qind më të larta sesa të vitit të kaluar. Pra, jo vetëm që nuk ka rënie të të ardhurave, por ka rritje në raport me vitin më të fuqishëm të rritjes ekonomike që ishte viti 2008. Në këtë drejtim, kryeministri theksoi e vihet re një rënie prej rreth 5 për qind dhe aspak më e madhe e eksporteve në këta 4 muaj. “Ju garantoj se kjo është rënia më e vogël që unë kam lexuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Rënie të tjera janë nga 15 deri në 45 për qind të eksporteve. Pra, kjo rënie e jona është fare modeste”, vijoi Kryeministri.
Ndërkohë, Kryeministri vuri në dukje se nuk ka rënie të importeve, madje ka një rritje të lehtë të tyre, qoftë në tonazh, qoftë në vlerë.
Duke iu referuar qëndrimit të opozitës në këtë drejtim, Kryeministri Berisha tha se është jashtëzakonisht e pandershme t’u biesh borive të krizës vetëm e vetëm se të volitet për momentin. “Dua t’u them qytetarëve shqiptarë se fasoni mbahet në kushte të njëjta. Pra, ky pakësim nuk është pasojë e fasonit dhe janë tërësisht trillime qëllimkeqe ato zëra që thonë se janë mbyllur kaq apo aq sipërmarrje. Ne kemi të dhëna që përkundrazi, na tregojnë se eksportet e tyre janë intakte. Ka një rënie të eksportit të mineraleve, ka një rritje të eksportit të energjisë, pra ka ndryshime sipas zërave. Por në tërësi, ekonomia shqiptare është e qëndrueshme”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi se ishte shumë e pa pranueshme kërkesa e opozitës për mos rritjen e rrogave dhe pensioneve. “”Si mund ta kuptojmë këtë filozofi të opozitës; Nga njëra anë bërtet gjithë ditën për varfërinë, e shpik dhe e sajon atë aty ku ajo nuk është, nga ana tjetër thotë të mos rriten rrogat dhe pensionet. Vetëm me rritjen e pensioneve në fshat, dyfishimin e tyre, nga data 1 maj 2009, janë mbi 170 mijë familje të cilat kalojnë të ardhurat mbi 2 dollarë në ditë, pra mbi pragun e varfërisë”, tha Kryeministri.
Kjo rritje, nënvizoi Kryeministri, nuk mund të ndalej, ndërkohë që mundësitë janë. “Në rast se nuk janë këto mundësi, në rast se nuk ke të ardhura, nuk realizon të ardhura, natyrisht qytetarëve nuk mund t’u japësh letra pa vlerë”
Kryeministri vlerësoi se ky kuadër makroekonomik është një kuadër objektiv, i cili do ta shtyjë ekonominë shqiptare në mënyrë të qëndrueshme përpara.
“Agjencitë e mëdha do të shpreheshin dje se Shqipëria është shembull në rajon, kur ministri Bode finalizoi kredinë, të cilën, e siguroi jo nga bankat shqiptare, por nga ato ndërkombëtare, në mënyrë që të hapë tregun për bankat e vendit për sektorin privat dhe portofoli i tyre të përdoret për tregun privat””, tha Kryeministri.
06/05/2009