Kryeministri Berisha pret Ministrin për Zhvillim Rajonal të Çekisë Cyril Svoboda

Kryeministri Berisha priti sot Ministrin për Zhvillim Rajonal të Çekisë Cyril Svoboda.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi këtë vizitë si një tjetër shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy qeverive dhe vendeve tona. Kryeministri Berisha i shprehu edhe një herë Ministrit Svoboda mirënjohjen më të thellë të tij, të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë shqiptarëve për Kryeministrin Topolanek dhe qeverinë e Republikës Çeke për mbështetjen dhe përkrahjen e jashtëzakonshme, që i dhanë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kryeministri i cilësoi këto dy ngjarje si madhore e historike, duke vlerësuar lart kontributin e mikut të tij, Kryeministrit Topolanek, por edhe të Presidencës Çeke të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të BE-së, për realizimin me sukses të aplikimit për statusin e kandidatit.
Ministri Svoboda e falënderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe e uroi përzemërsisht për arritjet historike e madhështore të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe aplikimit për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Ai shprehu vlerësimin e tij për prezantimin e shkëlqyer, që Kryeministri u bëri reformave të Shqipërisë në takimin në Varshavë, duke nënvizuar faktin se ishin këto arritje të qeverisë shqiptare që bënë të mundur aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu edhe mbi ligjin e lustracionit të figurave politike. Ministri Svoboda theksoi në këtë kontekst, se demokracitë duhet të tregohen të forta në mbrojtjen e vlerave të tyre dhe për këtë arsye ligji i lustracionit është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta bërë demokracinë të fortë.
Më tej, biseda u përqendrua mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri Berisha e i bëri me dije Ministrit Svoboda se qeveria ka ndërtuar infrastrukturën zgjedhore më moderne dhe është tërësisht e angazhuar të bëjë të gjitha përpjekjet për të zhvilluar zgjedhjet më të mira në Shqipëri, që plotësojnë standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme.
06/05/2009