Vetëm këtë vit janë mbjellë 2 milionë rrënjë ullinj
- Kryeministri Berisha: Shifra 20 milionë rrënjë ullinj e parashikuar në projektin e qeverisë, pas zgjedhjeve, mund të pësojë një rishqyrtim për rritje të mëtejshme
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha vlerësoi ecurinë e shpejtë të zbatimit të projektit të qeverisë për mbjelljen e ullinjve, duke bërë të ditur se sipas të dhënave, vetëm këtë vit janë mbjellë 2 milionë rrënjë.
“Kam shumës kënaqësi të informoj sot se të dhënat e fundit tregojnë se këtë vit janë mbjellë 2 milionë rrënjë ullinj. Kjo përbën një lajm jashtëzakonisht inkurajues. Unë dua t’i siguroj fermerët se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë, si me fondin e subvencionit, ashtu edhe me disa lehtësi të tjera që po hartohen ndërkohë, të cilat ata i meritojnë plotësisht” u shpreh Kryeministri.
Duke iu referuar garës normale midis tregut të lirë dhe sektorit publik në këtë drejtim, Kryeministri tha se tregu ecën me një shpejtësi të pa kapshme. “Ne tani po bëjmë studimin e të gjithë territorit, në mënyrë që në orientimet tona të jetë gjithçka e bazuar, por ndërkohë tregu ka mbjellë 2 milionë rrënjë ullinj. Ndaj më duhet të deklaroj këtu se, pas zgjedhjeve, shifra 20 milionë rrënjë ullinj, që dikur dukej shumë e largët, mund të pësojë një rishqyrtim për rritje të mëtejshme”, theksoi Kryeministri.
Shqiptarët, vijoi Kryeministri, po i kthehen me shpejtësi njërës prej traditave më të shkëlqyera të tyre, kultivimit të ullirit, më të shëndetshmit, më të dobishmit, të vetëdijshëm se nevoja botërore për prodhimet e tij, vajin dhe produkte të tjera, nuk do të plotësohet menjëherë, për shkak të brezit të kufizuar gjeografik ku kjo pemë e mrekullueshme rritet.
06/05/2009