E Diel, 1 Nëntor 2026

deruar zoti ministër, zoti ministër i pakicave të Malit të Zi,

“I nderuar zoti ministër,

zoti ministër i pakicave të Malit të Zi,

zoti rektor,

të nderuar studentë e pedagogë,

Ndihem shumë i nderuar t’ju përshëndes sot, në këtë përvjetor, i cili është jo vetëm përvjetori i veprimtarisë së universitetit tuaj, por një përvjetor i madh për Shkodrën, qytetin e dijes dhe për të gjithë jetën akademike dhe botën e dijes shqiptare. Unë përkulem me nderim të madh përpara atyre plejadave të kuadrove dhe mësuesve të këtij qyteti, që në dekada shpërndanë, mbollën dhe rritën dijen në të katër anët e vendit. Universiteti “Luigj Gurakuqi” vërtetë u ngjiz vetëm 50 vjet më parë, por e veçanta e këtij universiteti është e se lindi në qytetin ku dija ishte tradita e tij më e shkëlqyer, në qytetin e mendimit të madh të rilindësve shqiptarë, të shpirtit dhe vlerave demokratike, në qytetin e besimeve të mëdha , të trashëgimisë mijëravjeçare të kombit, në qytetin e vokacionit tonë perëndimor.

Universiteti i Shkodrës vjen në këtë përvjetor me një trashëgimi shumë të pasur, të çmuar dhe me krenari shumë të madhe. Në këtë universitet punuan, studiuan dhe kërkuan figura shumë të ndritura të dijes shqiptare, si Vehbi Bala, Jup Kastrati e shumë e shumë të tjerë. Universiteti juaj vjen krenar në këtë jubile, sepse arriti me shpejtësi të transformohet, të përshtatet dhe të shndërrohet në një kohë të shkurtër në njërin nga universitetet më të fuqishëm të vendit.

Zoti rektor, kjo është meritë e juaja, e të gjithë ekipit pedagogjik të këtij universiteti, e paraardhëse tuaj, e pedagogëve dhe studentëve. Për këtë unë këtë kam përgëzimet më të mira. Universiteti juaj sot ka gjashtë fakultete dhe një logjistikë krejt tjetër. Unë zotohem se do t’ju mbështes të bëheni me 12 fakultete, të keni kampusin më modern, sepse ju jeni një universitet me rrezatim të fuqishëm rajonal dhe ndërkombëtar. Ndaj, zoti kryetari baskisë, të punojmë së bashku për të ndihmuar universitetin për të pasur të gjitha kushtet për një zgjerim të shpejtë dhe të fuqishëm. Universiteti duhet të jetë qendra dhe laboratori i të gjitha ideve të zhvillimit rajonal dhe të rrezatojë më gjerë, në mbarë Shqipërinë.

Të dashur studentë dhe pedagogë,

Për qeverinë që unë drejtoj arsimi përbën përparësinë më madhore dhe në dy vjet, ne e kemi faktuar këtë përparësi. Në dy vjet numri i studentëve në Shqipëri është dy herë më i madh, nga 52  mijë studentë që kishim në vitin 2005, sot në bankat e universiteteve tona publike dhe private ulen mbi 100 mijë studentë. Por unë sërish nuk jam i kënaqur, derisa në shkollat e Shqipërisë të shoh 140 mijë studentë. Ne do të bëjmë një punë akoma dhe më të madhe që të arrijmë standardet më të larta. Në qoftë se dy vjet më parë mesatarja e studentëve për frymë ishte 4 herë larg mesatares së vendeve evropiane, sot, ndonëse sërish është larg, është vetëm dy herë larg dhe këto dy herë ne do t’i arrijmë së shpejti.

Ne jemi të vendosur të investojmë në buxhetin tonë për fushën e dijes. Unë kam kënaqësinë t’ju raportoj se brenda 4 viteve ne do të tejkalojmë këtë objektiv. Ne do të punojmë me përkushtim të madh që universitet tona të përshtaten dhe të zhvillohen gjithnjë e më shpejt. Ne do të nxisim universitet private dhe pjesëmarrjen dhe kontributin e sektorin privat në arsimin privat. Sikundër jemi të vendosur të kontraktojmë agjencitë më serioze ndërkombëtare për vlerësimin dhe kualifikimin e universiteteve tona. Do të mbwshtesim fuqimisht dhe do tw vlerësojmë kurrikulat dhe përshtatjen e tyre. Arsimi është dhe do të mbetet përparësia e parë në axhendën e qeverisë.

Ne ia kemi dalë të rrisim me 47 për qind rrogat e mësuesve. Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekjet për të mbajtur premtimin tonë për dyfishimin e tyre. Kjo është e domosdoshme, sepse, në rast se mësuesi nuk merr atë status që kombi i dha, nuk mund të kemi shkolla në nivelin e duhur. Ndaj ne do të përqendrohemi shumë tek mësuesit dhe do të investojmë për trajnimin e tyre. Këtu, në Shkodër, është djepi dhe laboratori më i shkëlqyer i përgatitjes së  mësuesve. Ndaj zoti Ministër, të punojmë së bashku për të ngritur në Shkodër institutin më të mirë të trajnimit të mësuesve. Këtu është tradita më e mirë se kudo tjetër. Unë kam pasur një karrierë të gjatë në universitet dhe në punën time kam pasur një ligj të hekurt. Çdo ditë ripërtërija leksionet, për të mos mbetur tek viti që kishte kaluar. Ndaj ju ftoj që çdo vit të përpiqemi të tejkalojmë vitin që lamë pas, çdo vit të përpiqemi të vendosim standarde të reja.

Megjithë arritjet që kemi, arsimi sërish përballet me probleme të hidhura të trashëguara. Sot më gëzon shumë fakti që kemi 100 mijë studentë të shkollat tona, por nuk jam aspak i qetë për fëmijët  e Theshit, të Kalasë së Dodës, për fëmijët e Frashrit e të Mokrës. Prandaj është në detyrën tonë të krijojmë kushte më të mira, t’ju japim stimujt e domosdoshëm që mësuesit të shkojë kudo, në Shosh, në Theth e në zonat më të thella, në mënyrë që edhe atje fëmijët të kenë shkollimin që meritojmë.

Ne jemi të angazhuar të ngremë një zinxhir të tërë konviktesh moderne. Në rast se shprehemi që çdo maturanti t’i japim mundësinë për shkollim në universitete, detyrim madhor është edhe që çdo fëmije që mbaron klasën e 9-të t’i krijojmë mundësinë e shkollës së mesme dhe këtë ne do ta shndërrojmë në realitet. Natyrisht kjo ka një çmim, që ia vlen të paguhet. Ndaj dhe ne po punojmë për të ngritur një zinxhir konviktesh të përshtatshme në mbarë vendin, për t’u dhënë mundësi fëmijëve nga zonat më të thella të vendit të ndjekin shkollat e mesme.

Zoti rektor, unë kërkoj ndihmën tuaj dhe të ekipit tuaj që të nxisni në këtë qytet dhe në mbarë vendin arsimimin profesional. Arsimi profesional është jetik për reformën arsimore. Ai është vendimtar për përshtatjen e sistemit të edukimit me kushte e tregut. Ne vërtet po ngremë shkolla profesionale në çdo bashki, por auditorët, laboratorët, klasat e universiteteve janë ambientet më të shkëlqyera për përgatitjen e kuadrove me të mirë për shkollat profesionale, në mënyrë që të arsimojnë sa më shumë nxënës në këto shkolla. Raporti i treguesit të nivelit të arsimit profesional me atë të përgjithshëm në Shqipëri është i papranueshëm . Vetëm 21 për qind e nxënësve ndjekin shkollat e mesme, ndërkohë që në vendet perëndimore ky raport është një me një. Ndaj unë ju drejtohem sot universiteteve të na ndihmojnë, sepse ato  kanë potenciale të mëdha, në mënyrë që t’i adresohemi me shpejtësi edhe arsimit profesional.

Të dashur studentë dhe pedagogë,

investimi në arsim është një vendim i pandryshueshëm për qeverinë. Historia e zhvillimit të arsimit fakton se jo gjithmonë ka një korrelacion të drejtë midis financimit dhe cilësisë. Kjo e fundit kërkon shumë më tepër se financimin. Cilësia kërkon përkushtim, metodike transparente e të hapur në rekrutimin e pedagogëve, kërkon shpirt të hapur. Ndaj dhe ne kërkojmë që universiteti i Shkodrës dhe universitetet e mbarë Shqipërisë të jenë tempuj të mendimit të hapur, të transformojnë metodikën e rekrutimit të tyre, të ftojnë në procesin e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor më shquarit dhe më të shkëlqyerit.

Vitin e kaluar, ne ndërmorëm një nga reformat më të rëndësishme të këtyre 15 viteve të fundit. Ne sollëm tek ju kërkimin shkencor, sepse tek ju e ka vendin. Universitetet mund të çojnë përpara kërkimin shkencor, që është jetik për ardhmërinë e universiteteve dhe të vendit. Kjo kërkon që të rekrutohen e të ftohen më të mirët, të identifikohen kudo që ata janë, në Shkodër, në Tiranë, në Vjenë, në Milano, në Washington, në New York, kudo ku janë shqiptarët, të shkëlqyer dhe të vullnetshëm të kthehen për të dhënë kontributin e tyre e për të përshpejtuar procesin e zhvillimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Unë kam shumë besim se ju do të jeni model në këtë drejtim. Ju keni krijuar lidhje të shkëlqyera ndërkombëtare me universitetet më të shkëlqyera të Evropës.

Edhe njëherë dua t’ju uroj shumë përzemërsisht në këtë 50 vjetor dhe t’ju shpreh bindjen time se, siç keni arritur të pesëfishoni për shtatë vjet numrin e studentëve, ju do të arrini të keni ritmet më të larta të zhvillimit të dijeve në Shqipëri.

Faleminderit dhe suksese.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›