E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: FMN, një aleat i shkëlqyer i Shqipërisë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në konferencën me temë “Shqipëria-Mundësitë dhe sfidat e kalimit drejt stadit të vendit në zhvillim”, organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Duke e cilësuar FMN-në si një aleat të shkëlqyer të Shqipërisë, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën e madhe që ky institucion i ka dhënë vendit tonë gjatë tranzicionit të suksesshëm ekonomik. “FMN-ja me qëndrimet e saj dha një kontribut thelbësor në rritjen e qëndrueshme dhe transformimin e madh jo vetëm të ekonomisë shqiptare,  por të të gjitha vendeve ish-komuniste”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej në fjalën e tij Kryeministri theksoi se  me gjithë politikat tepër restrictive monetare të përcaktuara kryesisht nga një gjendje inflacioniste botërore, por që me orën globale ndikon qartësisht dhe në Shqipëri, ekonomia shqiptare rritet ndjeshëm duke kaluar çdo vit në një nivel më të mirë.


Duke evidentuar disa nga nismat që mundësuan këtë rritje ekonomike, dhe përmirësuan situatën makroekonomike të vendit në përgjithësi,  Kryeministri Berisha e vuri theksin në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, evazionit fiskal, kontrabandës dhe informalitetit.              
“Qeveria që unë kryesoj shpalli luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe sot e ka bërë jetën e biznesmenëve dhe qytetarëve shqiptarë ndër më të sigurtat në rajon dhe në Europë. Një luftë shumë e vendosur u shpall kundër korrupsionit. Akoma ka korrupsion, por rezultatet e kësaj lufte janë impresionuese”, u shpreh Kryeministri.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan se Shqipëria po zhvillohet me shpejtësi, duke u shndërruar në një ekonomi gjithnjë e më të pasur. Sipas tyre ecuria e rritjes ekonomike e Shqipërisë gjatë viteve të fundit ka qenë e fortë, me një normë mesatare rreeth 6 për qind.  

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:

Kjo konferencë përbën një moment të veçantë për të shprehur falenderimet dhe mirënjohjen ndaj FMN-së, këtij aleati të shkëlqyer të Shqipërisë që në këto 16 vite  ndihmoi në mënyrë thelbësore vendin në një tranzicion ekonomik , që do ta quaja të suksesshëm.
FMN me qëndrimet e saj dha një kontribut thelbësor në rritjen e qëndrueshme dhe transformimin e madh jo vetëm të ekonomisë shqiptare, por të të gjitha vendeve ish-komuniste. Shqipëria dhe këto vende i detyrohen Fondit për mbështetjen, modelit të ofruar prej tij, suksesit të transformimit të tyre ekonomik.
Shqipëria vjen sot në këtë konferencë me nje bilanc impresionant. Dua të kujtoj audiencën se në vitin `92 rroga mesatare vjetore e shqiptarëve ishte 96 dollarë dhe kursi i këmbimit 130 lekë, rroga vjetore minimale ishte 48 dollarë, ndërsa sot rroga mujore minimale është mbi 200 dollarë , rroga mesatare mujore është mbi 300 dollarë. Fillimi i vitit `92 ishte kolapsi i plotë ekonomik, 80 % e popullsisë papunë. Qeveria vendosi të mbyllë të gjitha industritë e mëdha e inspiruar nga Ronald Reagan, i cili shkruan diku se “asgjë nuk ndëshkon më shumë ekonominë se sa përpjekjet për të ringjallur sipërmarrjet e sëmura dhe të pashpresa”.

Shqipëria ishte tërësisht e kolektivizuar,  por ne në një bashkëpunim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare nisëm rrugën e transformimit të ekonomisë të privatizimeve të shpejta të liberalizimit të plotë të tregut. Çmimet u rritën 15 herë si në asnjë vend tjetër të Europës ish-komuniste, paralelisht me to u rritën dhe rrogat. Në një periudhë të shkurtër brenda një harku kohor 3-4 vjeçar kursi i këmbimit u liberalizua  dhe fitoi stabilitet të plotë, rritja ekonomike njohu edhe vlera dyshifrore. U privatizuan toka banesa të gjitha sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Të gjitha këto hodhën themelet e një ekonomie solide, e cila dhe në krizën e piramidave dhe rebelimin e 97 nuk u lëkundën. Ajo ruajti themelet dhe vazhdoi gjatë gjithë dekadës, një rritje të admirueshme, stabilitet makroekonomik të qëndrueshëm, dhe në rast se njohu probleme gjatë dekadës që shkoi, problemet madhore të saj ishin krimi i organizuar dhe korrupioni, të cilat u shndërruan në një pengesë serioze për investimet e huaja.

Qeveria që unë kryesoj shpalli luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe sot e ka bërë jetën e biznesmenëve dhe qytetarëve shqiptarë ndër më të sigurtat në rajon dhe në Europë, treguesit e kriminalitetit në Shqipëri janë shumë më të ulët se sa treguesit mesatar të kriminalitetit në vendet e Bashkimit Europian. Një luftë shumë e vendosur u shpall kundër korrupsionit. Akoma ka korrupsion, por rezultatet e kësaj lufte janë impresionante. Sot Shqipëria klasifikohet si një nga vendet me lirinë fiskale më të lartë në Europë dhe më gjerë, dhe këtu nuk është ulja e nivelit të taksave që është përcaktuese në këtë liri. Edhe ajo ka peshën e vet, por dhe lufta kundër korrupsionit. Rezultat i kësaj lufte janë rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga 22 në 28 për qind të GDP-së dhe kjo vetëm duke luftuar evazionin, kontrabandën dhe informalitetin. Kjo i ka bërë të mundur kësaj qeverie që të çojë çdo vit përfshirë edhe kërtë vit një buxhet të dytë në parlament në muajin qershor.

Administrata është jashtë konfliktit të interesitm, prokurimet po shkojnë drejt dixhitalizimit të plotë, po kështu taksat doganat dhe shumë procedura të tjera. Lufta kundër korrupsionit mbetet një përparësi madhore e qeverisë  sime.
Shqipëria çdo ditë e më shumë po bëhet një vend tërheqës për investimet e huaja,  ndaj brigjeve të saj, ujërave të saj, rezervavev minerare janë të drejtuara sot kompani nga mbarë bota, të cilat shohin me interes të madh investimet në Shqipëri. Eksportet vitin e kaluar u rritën me 28 % , niveli i kredisë në ekonomi rritet me shpejtësi. Me gjithë politikat tepër restrictive monetare të përcaktuara kryesisht nga një gjendje inflacioniste botërore, por që me orën globale ndikon qartësisht dhe në Shqipëri, ekonomia shqiptare rritet ndjeshëm dhe ecën çdo vit në nivel më të mirë rritjeje. Konkurrueshmëria e saj po zgjerohet. Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nuk solli pasoja të padëshirueshme për ekonominë shqiptare, eksportet u rritën dhe janë në tërësi të adresuara drejt Bashkimit Europian.


Sërish ekonomia jonë me shpejtësi duhet të zgjerojë standardet e saj. Ne bëmë mirë që vendosëm barrën fiskale më të ulët në Europë, por ne duhet të vendosim sistemin fiskal më të thjeshtë në Europë. Ne bëmë mirë dhe u jemi shumë mirënjohës atyre që na ndihmuan për të vendosur  ‘one-stop-shop’ për biznesin, por duhet të thjeshtojmë në maksimunm sistemin e liçencave dhe lejeve, të heqim në maksimum atë që është për t`u hequr dhe të grupojmë në ‘one-stop-shop’ ato që nuk mund të hiqen . Disa projekte janë në vazhdim dhe këto projekte janë shumë të rëndësishme. Shqipëria duhet të reformojë plotësisht inspektoariartet e saj, të cilat kanë burokraci të madhe dhe konmpetencë të vogël dhe rëndojnë barrën mbi binesin.
Një drejtim themelor i qeverisë time është mosha dixhitale. Asgjë nuk ndikon më shumë biznesin se sa kjo. Çdo qytetar do të përfitojë nga mosha dixhitale shërbimet më të mira, më të lira dhe më të shpejta, më shumë se për të gjithë të tjerët koha është më e çmuar për biznesin, kështu që biznesi do të jetë përfituesi më madhor i kësaj përpjekje.
Ne shkojmë drejt finalizimit të marrësvehshjes me FMN-në për të vazhduar me artikullin 4. Përpjekjet tona për të ulur borxhin do të vazhdojnë, përpjekjet tona për të ulur defiçitin do të jenë konsistente. Asgjë më të rëndësishme për një vend se sa displina fiskale nuk ka. Mendoj se përqëndrimi ynë duhet të jetë tërësisht në forcimin e kësaj disipline dhe në përpjekjet e mëdha për të ulur maksimalisht borxhin, pavarësisht se trashëguam një gjendje të papëlqyer borxhi, por borxhi është  rëndesë në të ardhmen e brezave që vijnë.

Unë do të bëj çmos që të ul borxhin të ngushtoj defiçitin buxhetor të mbaj të ndezur motorët e rritjes së shpejtë ekonomike të vendit dhe shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës të investimeve të huaja në rajon.
Edhe njëherë z. Bell dua t`u falenbderoj ju, selinë tuaj, Drejtorin Ekzekutiv të Bordit, paraardhësit e tij për të gjithë ndihmesën shumë të çmuar që ju keni dhënë në këtë vend,i cili megjithë problematikat që ka, paraqet dhe transformimet më pozitive që mund të shënohen.        

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›