Shqipëria, shembull i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare
Kryeministri Berisha prit sot në një takim ambasadorin Felix Costales, Koordinator i Aleancës së Qytetërimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit të Mbretërisë së Spanjës.
Pasi i uroi mirëseardhjen ambasadorit Costales, Kryeministri Berisha e vlerësoi si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Shqipërisë në grupin e miqve të Aleancës së Qytetërimeve, ku bëjnë pjesë pothuajse të gjitha vende e Bashkimit Evropian.
Duke vlerësuar se dialogu ndërmjet qytetërimeve është shumë i rëndësishëm, Kryeministri theksoi se Shqipëria është shembull i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare, një vlerë që e sjell dhe me pjesëmarrjen në këtë iniciativë të rëndësishme.
Koordinatori Felix Costales e falënderoi Kryeministrin për pritjen e rezervuar dhe e vlerësoi si tepër të rëndësishëm bashkëpunimin nga ana e Shqipërisë si në iniciativën e Aleancës së Qytetërimeve, ashtu dhe në iniciativa të tjera si “ONE UN”.
Kryeministri Berisha dhe ambasadori Costales vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, si dhe shprehën angazhimin e qeverive të dy vendeve për intensifikimin e mëtejshëm këtij bashkëpunimi me takimeve të niveleve më të larta politike. Zoti Costales vlerësoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria për ndërtimin e infrastrukturës institucionale dhe ligjore për t’u bërë anëtare e Aleancës së Qytetërimeve.
Ambasadori Costales përshëndeti përparimet që ka bërë Shqipëria në periudhën e fundit, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Zoti Felix Costales vlerësoi se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO nga ana e Shqipërisë, është një tregues i qartë i suksesit të reformave në vend.
Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Costales për mbështetjen e vazhdueshme që Spanja ka për pjesëmarrjen e Shqipërisë në grupin e miqve të Aleancës së Qytetërimeve, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Aleanca e Qytetërimeve është themeluar në vitin 2005 me iniciativë të qeverisë Spanjolle dhe Turke, dhe nën mbikëqyrje të Kombeve të Bashkuara. Aleanca e Qytetërimeve synon të përmirësojë marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe popujve, përmes kulturave dhe feve.