Kryeministri Berisha pret Alessandro Nanni Costa, drejtor i Qendrës Kombëtare të Transplanteve në Itali
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, prof. Alessandro Nanni Costa, drejtor i Qendrës Kombëtare të Transplanteve në Itali, të shoqëruar nga një ekip mjekësh.
Prof. Alessandro Nanni Costa, duke vlerësuar arritjet në fushën e mjekësisë shqiptare, theksoi ndër të tjera domosdoshmërinë e krijimit të një rrjeti kombëtar të organizuar për dhurimin e transplantin e organeve, nevojën e formimit të mjekëve, infermiereve dhe informimit e përgatitjes së popullatës. Ai shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim konkret midis dy vendeve.
Kryeministri Berisha falenderoi për ndihmesën e dhënë nga qeveria italiane, në kuadër të projekteve në fushën e transplanteve. Duke vlerësuar rëndësinë jetike që ka transplanti, Kryeministri shprehu vullnetin e qeverisë në mbështetje të zbatimit të ligjit përkatës, të krijimit të rrjeteve eficiente, të përgatitjes së stafeve mjekësore multidisiplinare për këtë qëllim dhe gatishmërisë për të bashkëpunuar me mjekët e specialistët më të mirë të huaj.
29/05/2012