E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takohet me Ministrat e Arsimit dhe të Shëndetësisë së Shtetit të Kuvajtit

28 maj 2012
Kuvajt Siti, Shteti i Kuvajtit

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shtetin e Kuvajtit, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, zhvilloi dy takime të veçanta me Ministrin e Arsimit dhe të Arsimit të Lartë të Shtetit të Kuvajtit, Naif Felah Mubarak Al-Hajraf dhe me Ministrin e Shëndetësisë, Dr. Ali Saad Al-Obeibi.

Gjatë takimi me Ministrin kuvajtian të Arsimit u diskutua rreth projekteve arsimore të dy vendeve tona, për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes institucioneve homologe të arsimit, shkëmbimit të përvojës në mësimdhënie, rolit parësor të mësuesve e pedagogëve në përthithjen njohurive mësimore, eksperiencave universitare e pasuniversitare, rritjes së kapaciteteve dhe kualifikimit profesional, etj.

Në këtë drejtim, Presidenti Topi dhe Ministri kuvajtian i Arsimit, Naif Falah Mubarak Al-Hajraf, nënvizuan rëndësinë e përballimit të sfidave e përbashkëta të kohës, nëpërmjet bashkëpunimit sa më të ngushtë mes institucioneve tona dhe përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe mes institucioneve përkatëse arsimore.

Kryetari i Shtetit shqiptar e njohu Ministrin kuvajtian të Arsimit me ecurinë e kërkimit studimor pasuniversitar në vendin tonë, ku një rol të veçantë luan bashkëpunimi sa më i gjerë ndërkombëtar dhe hapja e universiteteve të reja sa më cilësore, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes dhe thellimit të mëtejshëm të shkëmbimit të përvojave edhe në fushën shkencore e kulturore mes universiteteve dhe akademikëve të dy vendeve tona.

Nga ana e tij Ministri kuvajtian i Arsimit, Naif Falah Mubarak Al-Hajraf e informoi Presidentin Topi lidhur me mundësinë e dhënies së bursave të studimit për studentët shqiptarë, të cilët do të duan të studiojnë në Kuvajt, duke theksuar se këto bursa do të rrisnin bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës mes dy vendeve tona. Presidenti Topi e çmoi në mënyrë të veçantë këtë nismë të palës kuvajtiane, duke vënë në dukje se ky hap do t’i shërbente akoma edhe më tej thellimit të marrëdhënieve dhe partneritetit afatgjatë mes Shqipërisë dhe Shtetit të Kuvajtit.

* * *

Ndërsa gjatë takimit të dytë me anëtarin e kabinetit qeveritar kuvajtian, Ministrin e Shëndetësisë, Dr. Ali Saad Al-Obeibi nënvizoi rëndësinë e përgatitjes së kualifikuar mjekësore dhe kërkimit shkencor për përparimin e mëtejshëm të mjekësisë dhe kujdesit shëndetësor, duke vënë në pah nevojën e sinkronizimit të nismave dhe iniciativave të rëndësishme mes vendeve që shfaqin interesa në këtë drejtim, e konkretisht, të hartimit dhe realizimit të projekteve të përbashkëta mjekësore shqiptare e kuvajtiane.

Kreu i shtetit, duke folur për rolin e rëndësishëm që luan shteti me gjithë strukturat e tij, veçanërisht Ministria e Shëndetësisë për konsolidimin e një sistemi shëndetësor në shërbim të qytetarëve, nënvizoi rëndësinë e një bashkëpunimi më konkret mes Shqipërisë dhe Kuvajtit. duke nënvizuar nevojën për një përkrahje më të madhe të mjekësisë dhe përfaqësuesve të devotshëm të saj në të gjithë sektorët, të cilët nëpërmjet rolit të tyre të madh, japin një kontribut të ndjeshëm në ruajtjen e shëndetit dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor në shoqëri.

Presidenti Topi dhe Ministri Kuvajtian i Shëndetësisë Ali Saad Al-Obeibi diskutuan dhe për vlerat e shkëmbimit të përvojave positive dhe të organizimit të konferencave apo aktiviteteve ndërkombëtare, me objektiv kryesor që mjekësia dhe kujdesi shëndetësor të jenë përherë në shërbim sa më të mire të shoqërisë dhe qytetarëve të dy vendeve tona.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›