Kryeministri Berisha në Krujë: Në mandatin e dytë do të ndërtojmë rrugën e re Tiranë - Krujë - Qafë Shtamë
Pasditen e sotme, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të Krujës. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Të dashur qytetarë të kryeqytetit historik të kombit shqiptar,
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore. Edhe një herë dua të përulem me nderimin më të madh përpara jush, përpara mbështetjes së madhe që ju i keni dhënë dhe i jepni demokracisë dhe vlerave të saj.
Unë vij sot këtu për të kërkuar votën tuja, besimin tuaj, në mënyrë që katër vitet që vijnë ta bëjmë Krujën dyzet herë më të njohur në Evropë dhe botë. Ne shqiptarët nuk kemi asgjë më të shenjtë, më të çmuar dhe më krenare se qytetin tuaj. Vij sot këtu para jush për t’u zotuar se katër vitet që vijnë janë vitet e Krujës evropiane. Ne do të sistemojmë dhe do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti, çdo rrugë dhe rrugicë të fshatrave të këtij rrethi.
Unë vij këtu për t’ju dhënë fjalën se një nga projektet e rëndësishme do të jetë rruga e re Tiranë - Krujë - Qafë Shtamë. Unë zotohem para qytetarëve të Krujës se katër vitet që vijnë rrogat dhe pensionet e krutanëve dhe të gjithë shqiptarëve do të jenë më të larta së ato të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Unë i premtoj fermerëve të Krujës së qeveria do të financojë çdo rrënjë ulliri të mbjellë në këtë tokë. Ulliri juaj është më i shijshmi, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Prandaj dhe ne do të financojmë të gjitha projektet që ju do të ndërmerrni për nxitjen e prodhimit, për drurët frutorë, për kulturat e tjera bujqësore dhe për blegtorinë.
Mbi të gjitha, Kruja në katër vitet që vijnë do të ketë mbi 1 milionë turistë. Sa më shumë ta ekspozojmë Krujën para botës, aq më shumë lartësojmë veten tonë, vokacionin dhe shpirtin tonë perëndimor.
Qytetare dhe qytetarë të Krujës,
Në katër vite, në Krujë ne kemi investuar 12 miliardë lekë, kundrejt 137 milionë që janë investuar nga qeveritë socialiste. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 15 rrugë, 5 shkolla të reja dhe kemi rindërtuar disa të tjera, kemi ndërtuar ujësjellës dhe kanalizime. Pra, kemi hedhur kështu bazat e një infrastrukture të vërtetë evropiane.
Katër vitet që vijnë, unë ju premtoj edhe ju garantoj juve se infrastruktura e Krujës do të jetë ultra moderne. Mjedisi i biznesit në Krujë ka njohur përmirësimet më të mëdha. Kruja sot është rrethi me investime ndër më të mëdhatë në industrinë minerare dhe atë të çimentos. Ata që frymëzohen nga Kruja dhe nga historia e Skënderbeut, e kanë të qartë se ekzistenca e kombit përcaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga mbrojtja dhe zhvillimi i vokacionit tonë perëndimor, i përkatësisë tonë perëndimore.
Projekti i Krujës evropiane dhe Shqipërisë evropiane është ëndrra shqiptare që nga Skënderbeu e deri në ditët e sotme, është projekti më madhështor për ne, për fëmijët tanë dhe për brezat që vijnë. Ndaj dhe ne, këtu nga Kruja, le t’u bëjmë një thirrje vëllazërore gjithë qytetarëve të Krujës që të bashkohen me ne, pavarësisht nga bindjet politike, sepse për ne bindja evropiane, ëndrra evropiane, projekti evropian është bindje e të gjitha bindjeve, është projekti i të gjitha projekteve, është ëndrra e të gjitha ëndrrave.
Të bashkohen me ne, sepse ne që bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve, ne kemi vullnetin, kemi përkushtimin dhe kemi mbështetjen për të bërë realitet dhe ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Bashkohuni me ne qytetarë shqiptarë, sepse këtë projekt ne duam ta ndajmë me secilin prej jush, sepse duke votuar së bashku me ne ju votoni ëndrrën tuaj, ju votoni rrogat dhe pensionet tuaja, ju votoni punësimin tuaj, ju votoni infrastrukturën moderne, votoni Krujën turistike, Shqipërinë turistike, ju votoni 10-ën. 10-a jeni ju, 10 – ë është Kruja e historisë sonë, 10-ë janë fëmijët tuaj, 10-a është Shqipëria evropian, është Partia Demokratike.
10-a është Evropa blu,e cila pa tek Kruja një nga kryekështjellat e historisë së saj. 10-a është Evropa blu, e cila gjatë vitit të parë të mandatit tonë të dytë do të heqë vizat për ne dhe do të na mbështesë fuqishëm në integrimin tonë në Evropë.
Më 28 qershor ju ftoj të gjithëve, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, në sheshin e atij burri që nuk vdes kurrë, në sheshin e Skënderbeut, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku të festojmë 22 marsin e ri, të festojmë së bashku fitoren historike të Krujës evropiane, të Tiranës evropiane, të Shqipërisë Evropiane.
Rrofshi ju!
Rroftë Kruja!
Rroftë Shqipëria!“
21/06/2009